Ministri i Drejtësisë synon ta bëj atë që nuk mundi ta bëj ish-shefi i tij Hashim Thaçi

Lajme

Ministri i Drejtësisë synon ta bëj atë që nuk mundi ta bëj ish-shefi i tij Hashim Thaçi

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 16:34
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se sipas Marrëveshjes së Brukselit Kosova shumë shpejt do të ketë qasje edhe në veri të vendit, duke dërguar Prokurorinë dhe gjyqtarët që të nisin punën në gjykata.

Ai nuk ka dhënë datë të saktë se kur mund të ndodh kjo, mirëpo ka theksuar se tani e tutje qytetarët e Kosovës, brenda tërësisë së saj territoriale, do të ballafaqohen me një sistem të drejtësisë bazuar në një Kushtetutë të vetme.

Ky është komenti i tij i plotë në Facebook:

Një prej sfidave më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte shtrirja e sovranitetit dhe integrimi në kuptimin e plotë të fjalës, veçmas në veri të vendit. Është punuar shumë në këtë drejtim, po aq sa është punuar shumë që shoqëria shumetnike e Kosovës të ndërtojë një konsensus për të ecur bashkërisht përpara.

Sot, situata po ndryshon konkretisht. Shumë shpejt do të zbatohet Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi, që krahas Policisë dhe Prokurorisë, edhe gjyqtarët të fillojnë punën e tyre në gjykatat në veri të vendit, që qytetarët e Kosovës pa dallim, të kenë qasje në sistemin e drejtësisë sipas ligjeve dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i kësaj marrëveshje është hap shumë i rëndësishëm që shkëputë përfundimisht çdo ndikim të jashtëm në sistemin juridik të vendit dhe si i tillë, është lajm i madh për institucionet, qytetarët dhe të ardhmen tonë të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Tani e tutje, qytetarët e Kosovës brenda tërësisë territoriale të saj, do të ballafaqohen me një sistem unik të drejtësisë të bazuar në një Kushtetutë të vetme, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat