Prapaskenat e Paradës së Krenarisë

Lajme

Prapaskenat e Paradës së Krenarisë

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 22:56
Paradë në mbështetje të komunitetit LGBT në Prishtinë

E paralajmëruar për nesër, Parada e Krenarisë, e para që pritet të mbahet në Kosovë, ka një histori të përgatitjes dhe të shtyrjeve.

Liridon Veliu, menaxher në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL), e cila bashkë me Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe organizata të tjera kanë organizuar paradën e nesërme, tha se frika nga paragjykimet dhe nga dhuna ndaj komunitetit LGBT kanë bërë që këto organizata të operojnë në heshtje.

“Deri më 2012, komuniteti LGBT kanë qenë tepër të fshehur dhe organizata nuk ka ndërmarrë diçka që me qenë vizibël, për shkak se shoqëria nuk ka qenë gati. Andaj edhe nuk ka ekzistuar guximi për të diskutuar për të drejtat e këtij komuniteti”, tha Veliu për Kallxo.

Megjithatë, deri më sot janë organizuar tre marshe në mbështetje të komunitetit LGBT.

I pyetur se çfarë pret të ndodhë nesër, Liridon Veliu tha se nuk mund të paragjykojë për reagimin e qytetarëve.

Ai thekson se tre marshet e organizuara deri më tani kanë pasur për qëllim që të shihet se si do të reagojnë qytetarët dhe “kanë qenë pikënisje për komunitetin LGBT në mënyrë që të vihet deri te mbajtja e Paradës”.

Veliu thotë se “përveç atij të Ministrisë së Drejtësisë” nuk kanë marrë ndonjë konfirmim nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nëse do të marrin pjesë në Paradën e nesërme.

Përndryshe, në ngjarjen që shënonte hapjen e Javës së Krenarisë, javën e kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj u zotua se institucionet do të mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka thënë se ka përgatitur një plan operativlidhur me ngjarjen e paralajmëruar për nesër në Prishtinë.

Parada e Krenarisë do të fillojë nesër në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pse 10 Tetori?

11 tetori është Dita Ndërkombëtare e Daljes (National Coming Out Day), dedikuar personave të cilët janë pjesë e komunitetit LGBT.

Kjo ditë ka për qëllim që t’i ftojë qytetarët që të marrin guximin për të dalë si pjesë e këtij komuniteti.

Ndërsa, Liridon Veliu tha se arsyeja se pse është zgjedhur 10 tetori është për shkak se kanë dashur të caktojnë një ditë fikse, me qëllim që një paradë e tillë të mbahet për çdo vit dhe 10 tetori të shënohet si dita e Paradës me moton “Në emër të Dashnisë”.

Kjo moto, sipas organizatorëve të ngjarjes, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar që komuniteti LGBTI ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin.

“Moto e Paradës është: “Në emër të dashnisë”. Mesazhi dhe qëllimi kryesor i Paradës është për personat e komunitetit LGBT që nuk mund të jenë nesër në paradë, për shkak të frikës ndaj paragjykimeve”, tha Veliu.

Para se të caktohej kjo datë, organizatat që përkrahin të drejtat e komunitetit kishin planifikuar të mbanin një marsh më 17 maj.

Por, pas rënies së Qeverisë më 14 maj të këtij viti, organizatorët kishin vlerësuar se atmosfera nuk ishte e duhur prandaj e kishin anuluar për të filluar përgatitjet për diçka më të madhe – Paradën./Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat