Mungon prokurori, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit

Lajme

Mungon prokurori, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 13:33
Ilustrim

Mungesa e prokurorit të çështjes Agim Kurmehaj, ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës, e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit, Xhevdet Ramosaj, Ali Avdiu, Bekë Hasanaj, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe afaristit Nedi Jusaj, i akuzuar për mashtrim.

Prokurori Ardian Hajdaraj, deklaroi se kryeprokurori Kurmehaj, nuk ka arritur të jetë prezent në seancën e së hënës, për shkak të një takimi zyrtar në Prishtinë.

“I propozoj gjykatës që seancën ta caktojë për një ditë tjetër, ku prezent do të jetë edhe kryeprokurori Kurmehaj”, tha prokurori Hajdaraj.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sali Berisha, aprovoi kërkesën e prokurorit, për shtyrje të seancës, e cila nuk është kundërshtuar as nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar, ku palët do të njoftohen me kohë për seancën e radhës.

Sipas aktakuzës, Xhevdet Ramosaj, si menaxher i zyrës prokurimit në Komunën e Deçanit, ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyre që me rastin e lidhjes së kontratës publike për servisimin e automjeteve të komunës në fjalë, Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe shkollave, e ka nënshkruar këtë kontratë. E njëjta është dashur të nënshkruhet nga zyrtari më i lartë komunal, në këtë rast kryetari i komunës, e që sipas ligjit konsiderohet kontratë me vlerë të madhe. Me këto veprime Ramosaj pretendohet se i ka shkaktuar kuvendit komunal dëme në vlerë prej 8.706 euro.

Sipas prokurorisë Ali Avdiu, si zyrtar i pranimit në Komunën e Deçanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që më marrjen e raportit te pranimit të faturave të lëshuara nga operatori ekonomik “Seferi Mont”, nuk i ka kontrolluar dhe krahasuar çmimet e njësive të prezantuara në faturë nëse përputhen me çmimet që janë ofruar në kontratë. Me këtë rast i njëjti pretendohet se i ka shkaktuar dëm Komunës së Deçanit, në vlerë prej 8.806 euro.

Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe i akuzuari i tretë Bekim Hasanaj, për të cilin pretendohet se i ka shkaktuar dëm kësaj komune, në vlerë prej 8.706 euro.

Kurse, sipas aktakuzës  Nedi Jusaj, në cilësi të drejtorit të operatorit ekonomik “Seferi Mont”, me rastin e lëshimit të faturave për servisimin e veturave zyrtare të Komunës së Deçanit, ka ndryshuar çmimet e artikujve duke mos ju përmbajtur kontratës. Dallimi në çmim është 682 euro, ndërsa në faturimin e faturave, ka përfituar shumën prej 7.394 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat