Apeli vërteton hedhjen e aktakuzës në rastin e ministrit Jevtiq

Lajme

Apeli vërteton hedhjen e aktakuzës në rastin e ministrit Jevtiq

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 17:34
Ministri Dalibor Jevtiq

Apeli ka vërtetuar hedhjen e aktakuzës ndaj ministrit të Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq, i cili së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim akuzoheshin për keqpërdorim pozite apo autoritetit zyrtar.

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për hedhjen e aktakuzës ndaj Dalibor Jevtiqit, Nenad Stojçetoviqit dhe Mihajlo Prlinçeviqit.

Përmes komunikatës bëhet e ditur se Apeli e ka cilësuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë kundër aktvendimit të Themelores, përmes të cilës është hedhur aktakuza dhe pushuar procedura penale kundër tre të akuzuarve për keqpërdorim detyre dhe të autoritetit zyrtar.

“Gjykata e Apelit vlerëson se duke pasur parasysh provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza në këtë çështje penale, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur e ka hudhur atë, konform nenit  250 e 253 të Kodit të Procedurës Penale, sepse në veprimet e pandehurve nuk konsumohen elementet e veprës penale për të cilën ata akuzohen”, thuhet më tej në komunikatën e lëshuar nga Apeli.

Më 24 qershor të këtij viti, në seancën fillestare, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Prokuroria ngarkonte Jevtiqin, Stojçetoviqin dhe Prlinçeviqin se kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre.

Sipas aktakuzës, Jevtiq në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim (në Qeverinë Thaçi), më 11 shkurt të vitit 2014 nxori një vendim me anë të të cilit i dha në shfrytëzim të përhershëm makinën e tipit “Hyundai Accent”, pronë e Ministrisë, kompanisë private Radio KiM- TV Centar me seli në Çagllavicë.

Në aktakuzë thuhej se Jevtiq vendimin për dhënien e makinës e ka marrë në kundërshtim me udhëzimet administrative për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, Stojçetoviq akuzohej se duke qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe përgjegjës për ruajtjen e pasurisë së kësaj Ministrie, edhe pse e ka ditur se vendimi i ministrit është i kundërligjshëm, e ka urdhëruar Zyrën Ligjore të Ministrisë të përgatisë kontratën për dhënien në shfrytëzim të makinës zyrtare.

Prlinçeviq akuzohej se si person përgjegjës në Departamentin e Administratës dhe Financave në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim të Republikës së Kosovës ka nënshkruar kontratën mes Ministrisë dhe kompanisë private më 11 shkurt 2014.

Kur u ngrit aktakuza ndaj Dalibor Jevtiqit, atëherë kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi shkarkimin ose dorëheqjen e tij.

Në Qeverinë aktuale, Dalibor Jevtiq drejton sërish Ministrinë për Komunitete dhe Kthim si dhe është edhe zëvendëskryeministër./Rel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat