PZAP-i shqipton 100 mijë euro gjoba në fushatë

Lajme

PZAP-i shqipton 100 mijë euro gjoba në fushatë

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 10:50
Zgjedhjet, foto ilustruese

Njëqind mijë euro është shuma e përgjithshme e gjobave të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë periudhës trijavore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it,  ka deklaruar se gjobat e shqiptuara nga PZAP-i për shkeljet në fushatë për këto zgjedhje janë më të ulëta sesa në zgjedhjet paraprake.

“Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013 shuma e gjobave ka qenë 190,550 euro, ndërsa deri më tani për këto zgjedhje lokale ndaj subjekteve politike janë shqiptuar gjoba mbi 100,000 euro”, ka thënë Desku.

Desku ka bërë të ditur se subjektet politike dhe kandidatët e tyre mund të dënohen deri në 50 mijë euro për shkelje të ligjit.

“Subjektet politike dhe kandidatët e tyre mund të dënohen sa herë që e shkelin Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme, rregullat zgjedhore, si dhe rregullat e brendshme të PZAP-it, si dhe në bazë të LZP-së mund të dënohen deri në 50,000.00 euro”, sqaron Desku.

Gjoba për shkelje në fushatë i janë shqiptuar Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Alternativës, etj.

Dënime do të paguajnë edhe kandidatët e këtyre partive për kryetarë komunash si: Lirak Çelaj (PDK) 3500 euro, Shpend Ahmeti (LVV) 2000 euro, Mimoza Kusari (Alternativa) 3500 euro.

Kandidatët tjerë ndaj të cilëve ka pasur ankesa dhe janë shqiptuar gjoba nga PZAP-i janë:

Selim Pacolli, kandidat i AKR-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Imri Ahmeti, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Burim Berisha, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës; Agim Bahtiri, kandidat i AKR-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës; Muharrem Sfarqa, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Ferizajt dhe Agim Veliu, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat