Ndodh edhe kjo: Kandidati i AAK-së bëri fushatë për numrin 19, por…

Lajme

Ndodh edhe kjo: Kandidati i AAK-së bëri fushatë për numrin 19, por…

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 14:04
ilustrim

Kandidati i AAK-së për asamblenë komunale të Skenderajt, Dritan Syla, është befasuar kur i kanë treguar se është në numrin 18 në listën e kandidatëve për asambleistë të kësaj partie.

Gjatë gjithë fushatës, ai u ka treguar votuesve se numri i tij në listë është 19.

Madje me numrin 19 ai ka përgatitur edhe posterët që i ka vendosur nëpër qytet.

“Njerëzit të cilët kanë vendosur të më votojnë mua, votojnë në numrin 19 mirëpo në listën zyrtare të KQZ-së të kandidatëve për asamble unë figuroj në numër 18. Kjo për shkak të keqkuptimeve apo gabimeve të KQZ-së”, tha Dritan Syla.

Kallxo.com e ka kontrolluar listën e kandidatëve të KQZ-së, në të cilën Syla në listën fillestare figuron në numrin 19, ndërsa në listën përfundimtare numri i tij ndryshon në 18.

Qazim Xani, kryetar i degës së AAK-së në Skenderaj dhe shef i shtabit zgjedhor në këtë komunë e pranon se listat e kandidatëve të kësaj partie kanë ndryshuar.

Image

“Ne në fillim jemi certifikuar 22 kandidatë dhe kjo ka qenë lista e certifikimit ndërsa në broshurat e kandidatëve renditja e kandidatëve ka ndryshuar sepse ne listë nuk po figuron Agron Hajra me numër 7 dhe te gjithë numrat nga numri 7 kanë ndryshuar për nga një numër dhe si e tillë ne sot e kemi listën me 21 kandidatë dhe jo 22 si në fillim”, tha Xani.

Në listën fillestare të certifikuar nga KQZ-ja janë 22 kandidatë për Asamble. Mirëpo, në broshurën që KQZ-ja e ka shpërnda me vonë dhe që aktualisht është nëpër vendvotime janë vetëm 21 kandidatë. Numri 7 që ka qenë i certifikuar, Agron Hajra më nuk është në listën e kandidatëve. KQZ-ja i ka lëvizur për një numër të gjitha kandidatët nga numri 8 deri në numrin 22, kjo ka ndikuar që 14 kandidatëve ju është ndryshuar numri. Një hulumtim i KALLXO.com nëpër profilet e kandidatëve zbulon se ata nuk kanë qenë në dijeni për këtë ndryshim që e ka bërë KQZ-ja. Driton Syla ka bërë fushatë për të votuar numrin 19, mirëpo në KQZ e ka numrin 18. Njëjtë edhe Hajzer Ahmeti ka bërë fushatë për numër 20, ndërsa në broshurë ka numrin 19.

Edhe Imer Koca ka bërë fushatë për të votuar atë në numër 13, por në fakt në broshurë figuron me numër 12.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat