Versioni i prokurorisë për nënën së dyshuar për mbytjen e foshnjës

Lajme

Versioni i prokurorisë për nënën së dyshuar për mbytjen e foshnjës

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 09:11
ilustrim

KALLXO.com siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, përmes së cilit iu caktua paraburgimi nënës së foshnjës së vrarë, A.S.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, kështu duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurës.

E pandehura nga Komuna e Gjilanit dyshohet se më 27 tetor 2017 ka privuar nga jeta foshnjën e saj gjatë lindjes apo pas lindjes dhe është përpjekur ta fshehë kryerjen e kësaj vepre.

Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së foshnjës gjatë lindjes.

Sipas këtij aktvendimi, e pandehura do të zbatojë masën e paraburgimit pasi që t’i përmirësohet gjendja shëndetësore, meqë e njëjta është e shtrirë në spital. Sipas cilësimit të mjekut kujdestar, ajo ende ka nevojë që të trajtohet në spital, marrë për bazë gjendjen e saj momentale.

Për përmirësimin e gjendjes së saj, bëhet e ditur se gjykata do të njoftohet me raport të veçantë nga mjekët gjinekologë të Spitalit Rajonal në Gjilan.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja e rastit, Leonora Shemsiu- Kadriu, ka mbetur pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurën.

Sipas prokurores Shemsiu- Kadriu ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura e ka kryer veprën penale për të cilën po dyshohet.

Vrasja e foshnjës së saj gjatë lindjes, sipas fjalëve të prokurores në seancën dëgjimore, do të vërtetohet përmes kallëzimit penal, kërkesës për autopsi, si dhe raportit të këqyrjes së vendit të ngjarjes.

Prokurorja në kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ka theksuar se nëse lihet në liri të plotë, ekziston rreziku që e pandehura të ndikojë te familjarët e saj, njëkohësisht edhe dëshmitarë me të cilët edhe jeton.

“Gjithashtu, është plotësuar kushti ligjor, ngase natyra e kësaj vepre penale është e rëndë- vrasje e privilegjuar, që konsiston në privimin e fëmijës nga jeta, nga ana e nënës së vet menjëherë pas lindjes, derisa zgjasin çrregullimet e shkaktuara nga lindja, motivet, rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre, si dhe mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër, këmbëngulësia e saj me kryerjen e veprës penale”, është cituar prokurorja në aktvendimin e Gjykatës.

Prokuroria para se të përcaktohet për këtë masë, ka vlerësuar se të gjitha masat e tjera për sigurimin e pranisë së të pandehurit mirëpo ka ardhur në përfundim se asnjëra nga masat e parapara përveç paraburgimit nuk ofron kushte të mira për zhvillimin normal dhe sa më të suksesshëm të procedurës penale.

Në seancën dëgjimore për shqiptimin e masës së paraburgimit, avokatja e të pandehurës, Lumije Azemi, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturës së saj, me arsyetimin se duke pasur parasysh çrregullimet e shkaktuara nga lindja, si dhe gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të të pandehurës, ajo nuk ka qenë e koncentruar në dhënien e deklaratave.

Avokatja Azemi ka kërkuar që ndaj saj të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe vet e pandehura.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliun, i cili konfirmoi se autopsia ka përfunduar, por, trupi i foshnjës ende nuk i është dorëzuar familjarëve.

“Trupi i foshnjës së vdekur ka arritur të dielën në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Autopsia ka përfunduar dje, derisa trupi i foshnjës gjendet në Institut, pasi që ende nuk i është dorëzuar akujt”, tha Gërxhaliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat