Daçiq: Amerika po kërkon nga ne që të bëjmë vetëvrasje poltike

Lajme

Daçiq: Amerika po kërkon nga ne që të bëjmë vetëvrasje poltike

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 14:43
Ivica Daçiq

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq tha të hënën se nuk kishte “asgjë të re” në mesazhet e përcjella nga zyrtari amerikan Brian Hoyt Yee drejtuar Serbisë.

Daçiq shtoi se Serbia duhet të përqëndrohet më shumë në presidentin e SHBA’së dhe nënkryetarin Pence në vend të zyrtarëve të nivelit Yee, raporton “b92”.

“Nuk e di se çfarë po pret nga ne, por me siguri ne nuk do të kryejmë vetëvrasje politike. Ai do që ne të vrasim veten duke zemëruar miqtë dhe aleatët tanë, ata që do të përdorin veton në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me siguri nuk do ta bëjnë këtë,” tha Daçiq duke shtuar se Yee ishte “duke i kërkuar Serbisë të prish punët me Rusinë dhe Kinën dhe të mbetet me askënd për ta mbrojtur vendin e vet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten ende në anën e shqiptarëve.”

Ministri gjithashtu tha se e vetmja rrugë për Kosovën për të marrë një karrige në OKB do të jetë kur nuk ka “asnjë vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të votuar për Kosovën”.

I pyetur “çfarë kërkoi Yee, kur është fjala për Kosovën,” Daçiq tha se Serbia “nuk po punon sipas asaj që kërkojnë të tjerët.”

“Nëntë vjet më parë, ata gjithashtu kërkuan që ta njohim Kosovën,” vuri në dukje Daçiq duke iu referuar deklaratës së njëanshme të pavarësisë të bërë në vitin 2008 nga shqiptarët etnikë në Kosovë.

Sipas tij, Serbia duhet t’i drejtojë aktivitetet e saj drejt Donald Trump si president i SHBA dhe Mike Pence, nënkryetar i tij, “dhe jo drejt Hoyt Yee”.

I pyetur nëse Trump ka njohuri rreth rrethanave në këtë rajon, Daçiq u përgjigj: “Ai nuk di shumë, nuk i di hollësitë, por duhet të punohet”.

Duke folur për “dialogun e brendshëm mbi Kosovën”, Daçiq tha se “Vëllezërit e Mëdhenjë” – dmth. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania – “duhet të binden se kjo është një zgjidhje për stabilitetin dhe jo për disa konflikte të reja”.

Kreu i diplomacisë serbe gjithashtu tha se, pavarësisht nga të gjitha dallimet, Kosova dhe Katalonja janë të lidhura me aktet e tyre të njëanshme të shkëputjes.

“Kutia e Pandorës është hapur, rregullat dhe parimet nuk ekzistojnë më, sot nuk varet nga e drejta ndërkombëtare por nga rrethanat dhe pozicioni juaj. Ne mbështesim integritetin territorial të Spanjës, që është mbështetësi ynë më i madh kur bëhet fjalë për territorin tonë të integritetit”, tha Daçiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat