Aksion i madh i Policisë së Kosovës, arrestohen disa persona

Lajme

Aksion i madh i Policisë së Kosovës, arrestohen disa persona

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 13:39
ilustrim

Katër lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë dhe janë arrestuar pesë persona të dyshuar, për posedim të armëve të zjarrit, në kuadër të aksionit të Policisë së Kosovës “Vjeshta 2017”.

Plani operacional, i cili ka për qëllim identifikimin dhe parandalimin e veprave të ndryshme kriminale, është realizuar me ushtrimin e kontrollit në 30 lokacione të ndryshme të Kosovës.

Me këtë rast janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale, dokumenteve të punës, si dhe janë konfiskuar dy revole të tipit TT, tre karikatorë, 16 copë municione, tri thika ushtarake dhe një qese e vogël me marihuanë.

Kryesisht në të gjitha lokacionet ku janë ushtruar kontrolle policore janë legjitimuar edhe 212 femra, nën dyshimin e mungesës së dokumentacionit të punës, ku prej tyre 123 janë shtetase të Shqipërisë, një nga Mali i Zi, dy nga Maqedonia dhe 86 nga Kosova.

Të gjitha shtetaset e huaja  në mungesë të  paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, do të trajtohen nga Drejtoria e Migrimit e PK-së, e cila  është në proces të administrimit të lëndëve në fjalë.

Ky operacion i gjerë policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim edhe me Prokurorët kompetent, ATK-në, Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Sanitar të niveleve lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat