Shpërthejnë në lotë dëshmitarët në rastin e Vukotiqit

Lajme

Shpërthejnë në lotë dëshmitarët në rastin e Vukotiqit

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 17:09
Gjykimi i Zoran Vukotiqit

Deri sa po dëshmonin për vrasjet dhe përjetimet e mesnatës se 1 e 2 majit 1999 në fshatin Studime te Vushtrrisë, dy dëshmitarët Musaj Gërxhaliu dhe Baki Ademi kanë shpërthyer në lotë gjatë dëshmisë së tyre në rastin e të akuzuarit për krime lufte Zoran Vukotiq.

Ata gjatë dëshmisë së tyre kanë treguar se e kanë parë nga afër të akuzuarin kur po kryente vrasje.

Dëshmitari Musaj Gërxhaliu i cili u mor në pyetje nga prokurori Paul Flynn tha se e ka njohur te akuzuarin Vukotiq.

“Unë e kam njohur edhe më herët, sepse ka punuar me vëllain tim në Organizatën ‘Kosova’ e Vushtrrisë edhe më pas e kam njohur sepse ka punuar në gjykatë dhe kohën e fundit është veshur polic”, tha dëshmitari Gërxhaliu.

Dëshmitari tregoi më tutje se çfarë i ndodhi në vitin 1999 në Studime të Vushtrrisë, kur tha se Vukotiq e goditi me kondak të pushkës automatike.

“Në mesnatën e 1 dhe 2 majit kam qenë i ulur ne pjesën e pasme te rimorkios se traktorit ne kolonën e gjatë në Studime në drejtim të Vushtrrisë dhe këmbët i kam pasur jashtë rimorkios dhe aty ka ardhur Zoran Vukotiq dhe me ka thanë pse po më shikon dhe më ka goditur me kondakun e pushkës automatike në këmbë dhe më ka filluar gjaku nga aty”, theksoi dëshmitari.

Musaj Gërxhaliu ka thënë në gjykatore se i akuzuari Vukotiq u ka kerkuar para dhe ata ia kanë dhënë 50 marka gjermane.

Ai pastaj ka rrëfyer se si e pa që Vukotiq e vrau një djalë të ri.

“Pas një kohe një polic me mbiemër Kumpiroviq ka qenë duke e ndjekur një djalë të ri i cili ka ardhur dhe është takuar në Zoran Vukotiqin i cili e ka kapur për koke ka filluar ta largojë nga ne për disa metra. Në ato momente djaloshi dëgjohej duke i thënë mos më vraj se ende si kam 14 vjeç, mirëpo Vukotiq  se ka dëgjuar dhe e ka vra atë djalin disa metra larg nesh”, shtoi dëshmitari.

Pikërisht për vrasjen e një djaloshi akuzohet Vukotiq.

Pyetje për Gërxhaliu ka bërë edhe Nebojsha Vllajiq, avokati i të akuzuarit Vukotiq, i cili e ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e dhënë në gjykatç dhe atë që kishte deklaruar para policeve te EULEX-it.

Vllajiq ka pretenduar se ka kundërthënie në mes të këtyre dy dëshmive, mirëpo dëshmitari u përgjigj duke thënë se përmbajtja e deklaratës është e njëjtë dhe se dallimi është se sot ka ofruar me shumë të dhëna.

Ne pjesën e dytë të seancës ka dëshmuar Baki Ademi, i cili pyetjes së prokurorit Flynn se ku e njeh te akuzuarin i është përgjigjur me fjalët se e ka parë në Vushtrri Vukotiqin sa ka qenë nxënës i shkollës se mesme.

Dëshmitari më pas tregoi se në natën kritike në Studime të Vushtrrisë Vukotiq qëlloi Rrahman Ademin dhe Haki Ademin, dy civilë që i zbriti nga një traktor.

“I ka largu disa metra dhe ju ka kërkuar para, më pas i ka kthyer me fytyrë kah lumi dhe ka shti në ta me rafal dhe ata janë rrëzuar përtokë”, tregoi dëshmitari.

Dëshmitari më tutje tregoi se kishin dhënë para për ta shpëtuar një person tjetër që Vukotiq e mori për ta vrarë.

“Ka ardhur kah ne dhe e ka kapur Kujtimin, e ka zbritur në tokë dhe na ka thënë apo qitni pare a po ja baj edhe këtij si atyre dyve më herët. Ne i kemi nxjerrë 500 marka, ia kemi dhënë dhe ata u larguan nga aty”, tha Baki Ademi.

Dëshmitari tregoi se Haki Ademi kishte shpëtuar gjallë dhe bëri të ditur se e kishte marrë dhe me të ishte strehuar në mal.

Avokati Vllaiq e pyeti dëshmitarin se pse e ka dhënë kaq vonë dëshminë vetëm dy ditë pasi është arrestuar klienti i tij.

Dëshmitari u përgjigj se dëshminë e parë ku edhe e ka përmendur Vukotiqin e ka dhënë në vitin 1999 në KMLDNJ në Vushtrri.

Seanca e radhës në gjykimin e Vukotiqit do të mbahet më 21 nëntor, ndërsa nkë seancë e caktuar më 28 nëntor është shtyrë për shkak të Ditës së Flamurit./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat