Presidenti Thaçi takon ish-refugjatët e Kosovës në Halifax, krenar me integrimin e tyre në Kanada

Lajme

Presidenti Thaçi takon ish-refugjatët e Kosovës në Halifax, krenar me integrimin e tyre në Kanada

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 21:43
Pamje nga takimi

Presidenti Thaçi, gjatë qëndrimit në bazën ushtarake në Halifax ku në vitin 1999 ishin pritur mijëra refugjatë nga Kosova, ka takuar Admiralin Dusty Miller që ishte në krye të bazës në vitin 1999 si dhe Zeqirja Rexhepin e Bedrije Rexhepin, që kishin arritur si refugjatë në maj të vitit 1999.

Duke vizituar palestrën në të cilën ishin vendosurit refugjatët e posa-arritur në vitin 1999, Presidenti u shpreh se Kosova i është përherë mirënjohëse Kanadasë për mikpritjen që u ka treguar refugjatëve në vitin 1999.

“Jam këtu që në emër të institucioneve të Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, të shpreh mirënjohjen më të thellë për popullin dhe shtetin kanadez që i mirëpriti mijëra refugjatë të ikur nga represioni, dhuna, gjenocidi i forcave të Milosheviqit”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Zonja Bedrije Rexhepi kujtoi kohën kur kishte arritur në Halifax dhe u shpreh se këtu kishte gjetur ngrohtësinë dhe kujdesin që e kishte bërë Kanadanë shtëpi të saj të dytë.

“Pas një jave nën qiell të hapur, në kampe refugjatësh në Maqedoni, kjo palestër ishte kulmi i parë mbi kokë pasi ishim dëbuar nga shtëpitë tona”, u shpreh znj. Rexhepi duke shtuar se “është krenare që ka shtëpi Kanadën por edhe krenare për lirinë dhe barazinë e Kosovës”.

Admirali në pension Miller i kujtoi ditët kur kishte organizuar misionin për pritjen e refugjatëve.

Presidenti u shpreh se Kosova ka ndërtuar paqe dhe stabilitet dhe nuk do të lejojë të përsëriten vuajtjet e të kaluarës.

“Jam krenar të shoh që familjet që kishin ardhur si refugjatë janë integruar në të gjitha sferat e jetës kanadeze dhe ndihen mirë për Kanadën por edhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundoi Presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat