Liria e shprehjes garantohet me ligje vendore e ndërkombëtare

Lajme

Liria e shprehjes garantohet me ligje vendore e ndërkombëtare

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 17:31
Pamje nga konferenca

Liria e shprehjes është e garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare, siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, saktësisht neni 10 që ia garanton secilit lirinë e shprehjes.

Flutura Kusari, juriste e drejtës së medias, theksoi se nuk është edhe e pakufizuar liria e shprehjes, ndonëse kufizimet shpesh herë edhe keqpërdoren kufizimet e tilla.

Kusari në organizimin e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së, me titull “Liria e Shprehjes dhe e Drejta e Medias”, theksoi se liria e shprehjes nuk është vetëm e drejta për të folur, por shumë më e gjerë.

Ajo përmendi shumë arsye pse ka rëndësi liria e shprehjes për njerëzit. Sipas saj, arsyeja më e rëndësishme që ka rëndësi liria e shprehjes është, sepse mundëson vetëzhvillimin, pasi secili person mund të zhvillohet nëse e ushtron lirinë e shprehjes. 

Kusari: Liria e shprehjes është e garantuar

“Liria e shprehjes e përfshin lirinë e mendimit, pra secili prej nesh ka të drejtë të mendojë absolutisht çka të dojë dhe kjo e drejtë është e garantuar dhe askush nuk mund ta cenojë. Përveç që kemi të drejtë të mendojmë çka të duam, kemi të drejtë edhe të marrim informacione. Shembull kemi të drejtë të dimë autoritetet publike si e kryejnë punën e tyre, kemi të drejtë të kërkojmë dokumente, kemi të drejtë të kërkojmë llogari prej politikanëve, pra kur e shihni një gazetar duke pyetur një politikan, ajo çfarë duhet të karakterizojë atë është fakti se arsyeja pse ai gazetar lejohet është se i garantohet me lirinë e shprehjes”, tha Kusari.

Por, Kusari thotë se liria e shprehjes nuk është edhe e pakufizuar. Ajo ka përmendur dokumentet e klasifikuara, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit, mbrojtjen e identitetit e raste tjera, kur kjo e drejt mund të kufizohet. 

Sipas saj, ka edhe raste kur keqpërdoren këto kufizime për të mos dhënë informacionet e duhura.

Kusari: Liria e shprehjes nuk është e pakufizuar

“Kjo e drejtë nuk është e pakufizuar dhe këtu shpesh fillon keqkuptimi, që shpesh herë e drejta e lirisë së shprehjes konsiderohet si e drejtë absolute, ku secili mund të thotë çka të dojë, secili mund të raportojë çka të dojë, e që në fakt nga perspektiva ligjore për të cilën po flasim sot nuk është ashtu. Ka disa raste kur liria e shprehjes mund të kufizohet me të drejtë dhe kjo bëhet me qëllim që të mos cenohen të drejtat tjera, të bëhet një balancë e shumë të drejtave. Disa prej rasteve ku ligjërisht pranohet të kufizohet liria e shprehjes përfshin sigurinë kombëtare”, theksoi ajo.

Kusari thekson se në një botë ideale, sundimi i ligjit ishte dashur të identifikohet me disa elemente, siç janë qeverisja e vendit me ligje që publikohen dhe promovohen që është element i transparencës, vlefshmëria e ligjit njëjtë për të gjithë, e jo për dikë më shumë e për dikë me pak, respektimi i ndarjes së pushteteve, e tjera.

Mirëpo, ajo përmend edhe obligimet që kanë gazetarët kur raportojnë.

Kusari: Gazetarët kanë dy obligime kur raportojnë

“Pa media ne nuk mund të zhvillohemi, nuk mund të kemi sundim të ligjit, nuk mund të kemi shtet demokratik por kjo e drejtë që iu takon mediave vjen edhe me përgjegjësi, disa obligime. Një gazetar nuk e ka të drejtën vetëm të raportoj, po atë raport duhet ta bëjë në bazë të disa kritereve. Janë dy obligime për gazetarët, duhet të raportojë në mirëbesim, jo për inati, jo pse nuk iu pëlqen dikush, por pse ata besojnë se raportimi i tyre duhet të bëhet është interes publik dhe e dyta raportimi duhet të bëhet bazuar në fakte”, u shpreh ajo.

Në këtë diskutim, pati edhe pyetje nga pjesëmarrësit për juristen e drejtës së medias, Flutura Kusari

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat