Let’s Do It Kosova edhe në Shqipëri, mobilizohen mbi 160 mijë vullnetarë

Lajme

Let’s Do It Kosova edhe në Shqipëri, mobilizohen mbi 160 mijë vullnetarë

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 15:17
Let’s Do It Kosova edhe në Shqipëri

Dhjetëra vullnetarë të Let’s Do It Kosova dhe ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot i janë bashkëngjitur aksionit “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, organizuar nga “Green Line Albania”, mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë.

Përfaqësuesi i Organizatës “Green Line Albania”, Ervin Shehu tha se qëllim kryesor i tyre ka qenë që problemet e mjedisit të zgjidhen përmes partneritetit të shoqërisë civile dhe pushtetit vendor.

Ai falënderoi ministrin e Mjedisit dhe Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, vullnetarët nga Let’s Do It Kosova dhe ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, për pjesëmarrje në aksion.  

Përfaqësuesi i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se së bashku me ekipin kanë ardhur për të mbështetur aksionin për pastrimin e Shqipërisë dhe ndihemi jashtëzakonisht mirë që këtë aksion e ka mbështetur edhe Qeveria e Shqipërisë, përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.

Tutje ai tha se pjesëmarrja e ministres së Mjedisit nga Kosova na bën të besojmë se problemi i ndotjes së mjedisit po fillon të zgjidhet.

Ndërsa, mobilizimi i mbi 160 mijë vullnetarëve për të pastruar Shqipërinë në një ditë është lajm i mirë që i ka munguar Shqipërisë në kohët e fundit.

Hasanaj ftoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës që nga sot të trajtojnë më mirë mjedisin, në mënyrë që t’u japin shansin edhe institucioneve që të fillojnë të veprojnë.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, Albena Reshitaj tha se vendi dhe natyra në Kosovë e Shqipëri meritojnë të mirëmbahen.

“Së bashku me Organizatën për mbrojte të mjedisit “Let’s Do It Kosova” kemi ardhur që t’i bashkohemi aksionit për pastrimin e Shqipërisë në një ditë. Do të vazhdojmë tutje projektet e përbashkëta për të pastruar dhe mbrojtur mjedisin në Kosovë e Shqipëri. Këto projekte pritet të diskutohet në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive, që do të mbahet të hënën”, ka thënë Reshitaj.

Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi deklaroi se sezoni turisitik 2018 do ta gjejë Shqipërinë më të pastër.

“Aksioni i sotëm është përpjekje për të krijuar një Shqipëri dhe Kosovë jeshile, në mënyrë që të mos përsëriten dëmet që po i bëhen mjedisit”, tha Klosi, i cili falënderoi vullnetarët e Let’s Do It Kosova dhe ministren e Mjedisit për pjesëmarrje në aksionin e sotëm.

Në përfundim të aksionit, të gjithë akterët u zotuan se do të vazhdojnë tutje aktivitetet e përbashkëta në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.

Image
Let’s Do It Kosova edhe në Shqipëri
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat