Berisha merr letër urimi nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës

Lajme

Berisha merr letër urimi nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 15:52
Rrustem Berisha

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha ka pranuar një letër urimi, me rastin e Ditës së FSK-së nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjeneral Timothy Orr.

“Urimet më të mira për Ty dhe të gjithë pjesëtarët tuaj, me rastin e kremtimit të Ditës së FSK-së 2017. Si shtet- partner i juaji, ushtarët dhe pjesëtarët e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës  janë jashtëzakonisht krenarë për lidhjet e thella  dhe serioze që janë  krijuar mes  organizatave  tona, dhe ndihen të nderuar që t`i kujtojnë për një çast të arriturat e mëdha të FSK-së gjatë këtij viti”, thuhet në urim.

Më tej, në letrën e urimit dërguar ministrit Rrustem Berisha, gjenerali Orr thekson se Garda Kombëtare e Ajovës ka përqendruar përpjekjet e saj në punën me homologët e tyre të FSK-së. Bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë kanë qenë evident në më shumë se 20 shkëmbime brenda programit të partneritetit shtetëror të cilat kanë ndodhur këtë vit.

“Ashtu siç Ushtria Amerikane udhëhoqi përpjekjet për integrim në vendin tonë në fund të viteve 1940, FSK-ja, sot po bën të njëjtën gjë në Kosovë. Edhe pse nuk është  e lehtë gjithmonë, ky është një hap i rëndësishëm në vazhdën e  zhvillimit të FSK-së pasi që po përpiqet të jetë Forcë për të mirë në rajon”, ka thënë ndër tjerash gjenerali amerikan.

Republika e Kosovës dhe Shteti i Ajovës, përkatësisht Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Garda Kombëtare e Ajovës janë në partneritet shtetëror që nga viti 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat