FSK përfundoi me sukses operacionet e deminimit për 2017

Lajme

FSK përfundoi me sukses operacionet e deminimit për 2017

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 13:20
Ilustrim

Kompania e deminimit e regjimentit të mbrojtjes civile të FSK-së, në fund të muajit nëntor ka përfunduar me sukses operacionit e deminimit humanitar gjatë sezonit veror dhe pastrimit të fushëbetejave, sipas plan-veprimit për 2017.

Kompania në fjalë edhe gjatë këtij viti ka vazhduar bashkëpunimin shumë të mirë dhe profesional që e ka me ekipet e KFOR-it amerikan dhe me organizatat për pastrimin e fushave të rrezikshme që veprojnë në Kosovë.

Gjatë vitit 2017, ekipet e deminimit të FSK-së kanë pastruar gjithsej mbi 199.906 metra katrorë, si dhe kanë zbuluar mbi 722 mjete të pashpërthyera, të cilat më pastaj i kanë asgjësuar, dhe 24 pjesë të mjeteve të ndryshme të bombave dhe kasetë-bombave.

Gjatë këtij viti, deri më tani, kanë intervenuar sipas thirrjeve në 280 raste si dhe kanë demoluar dhe asgjësuar 710 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera si: granata, mina, bomba kasetore, projektil etj.

Kompania e Deminimit pas përfundimit të sezonit veror, do të angazhohet në realizimin e planit të paraparë për sezonin dimëror, e që është; aksioni vullnetar i mbajtjes së ligjëratave në shkolla fillore dhe të mesme për vetëdijesimin e nxënësve nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera dhe mjetet piroteknike, si dhe realizimi i trajnimeve të ndryshme profesionale për pjesëtarët e kësaj kompanie.        

Falë punës profesionale, eksperiencës dhe disiplinës, edhe gjatë këtij viti pjesëtarët e Kompanisë së Deminimit kanë kryer me sukses aktivitetet gjatë operacioneve për pastrimin e fushave të minuara pa pasur asnjë incident apo dëmtime tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat