Reshitaj: Vullnetarizmi, vlerë e një shoqërie - Bota Sot
Reshitaj: Vullnetarizmi, vlerë e një shoqërie

Lajme

E enjte, 14 dhjetor 2017

Reshitaj: Vullnetarizmi, vlerë e një shoqërie

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 16:20
Pamje nga takimi

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore (MMPH), Albena Reshitaj, ka pritur në një takim organizata jo-qeveritare që merren me punë vullnetare.

Ministrja Reshitaj, ka përgëzuar përfaqësuesit e këtyre organizatave për angazhimin e tyre vullnetar dhe iniciativat që ata marrin në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit ku jetojmë.

“Puna juaj për mjedisin, angazhimi vullnetar, organizimi në të mirë të komunitetit, janë misione shumë të rëndësishme për shoqërinë por edhe për shtetin tonë”, është shprehur ministrja Reshitaj.

Ministrja u ka premtuar mbështetje të vazhdueshme këtyre organizatave për penën e tyre vullnetare që bëjnë.

“Prandaj ju kam ftuar këtu që pos falënderimit të ju ofrojë mbështetje të fuqishme  në misionin e juaj. Punë vullnetare mund të bëjë secili qytetar, por në shumë raste dikush duhet të marrë iniciativë.  Organizatat që ju drejtoni apo përfaqësoni gjithmonë kanë luajtur këtë rol”, ka deklaruar Ministrja.

Sipas ministres Reshitaj, vullnetarizmi ka edhe një rëndësi tjetër, pos misionit human, ofron mundësi për të mësuar, t’u ofrojë njerëzve shkathtësi dhe përgjegjësi të reja, që rrisin mundësitë e tyre për punësim.

Ndërkaq përfaqësuesit e organizatave vullnetare  falënderuan ministren për angazhimin dhe gatishmërinë e saj për t’i përkrahur iniciativat vullnetare dhe u zotuan që do të kontribuojnë në kauzën e ministres së mjedisit për një mjedis të  pastër.

Në fund të takimit ministrja Reshitaj u ndau mirënjohje përfaqësuesve të organizatave dhe individëve për punën e tyre në mbrojtje të mjedisit.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është vendosur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985. Qëllimi i kësaj dite është të falënderohen vullnetarët për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test