Shënohet 10-vjetori i vdekjes së Akademikut Remzi Bakalli

Lajme

Shënohet 10-vjetori i vdekjes së Akademikut Remzi Bakalli

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 22:51
ilustrim

Sot në hapësirat e Fakultetit te Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, u shënua 10-vjetori i vdekjes së shkencëtarit, profesorit dhe akademikut Remzi Bakalli.

Remzi Bakalli ka lindur më 9 shkurt 1944 në Gjakovë, ndërkaq ka vdekur mw 16 dhjetor 2007 në Athens (SHBA).

Me fjalime përkujtimore në këtë përvjetor u paraqiten përfaqësuesit e Universitetit te Prishtinës dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Fjalë rasti dhe kujtime gjate këtij përvjetori shkëmbyen edhe shumë kolegë, bashkëpunëtorë, ish studentë dhe familjarë të Prof. Remzi Bakallit.

Siç njofton UP, në të gjitha diskutimet, të pranishmit potencuan se Remzi Bakalli do të mbetet shkencëtari shqiptar i përmasave ndërkombëtare, që la gjurmë të thella në shkencat biologjike, shkencat e të ushqyerit dhe në shkencat e mbrojtjes së mjedisit.

Ai gjatë karrierës së tij të bujshme shkencore ka botuar disa tekste universitare dhe mbi 400 punime, kumtesa dhe ligjërata shkencore në revista me renome botërore. Puna e tij e shkëlqyer shkencore nga lëmi i të ushqyerit dhe toksikologjia ushqimore është botuar në faqet e revistave prestigjioze ndërkombëtare, siç janë: Poultry Science, Bulletin of Environmental Contamination and Toxicology, Veterinary and Human Toxicology, The British Journal of Nutrition, British Poultry Science etj.

“Emri i Remzi Bakallit do të qëndrojë një kohë të gjatë në krye të listës së emrave të skalitur me shkronja të arta për kontributin e tij në ngritjen e kuadrit shkencor dhe pedagogjik në Universitetin e Prishtinës. Gjatë jetës së tij të shkurtër ai ngriti qindra ekspertë, shkencëtarë dhe profesorë universiteti, të cilët po bëjnë emër nëpër universitetet dhe institucionet shkencore të Kosovës, por edhe jashtë saj, në shtetet evropiane dhe në SHBA.

Prof. Remzi Bakalli do të mbetet njeri i madh, i respektuar nga të gjithë, në sajë të diturisë, ndjenjës prej pedagogu dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme organizative. Për gjeneratat e reja, ai do të ngelet një figurë titanike, që tërë jetën e tij ia kushtoi shkencës dhe hapjes së shtigjeve të reja të dijes. Shkencëtarët e rinj do të gjejnë te personaliteti i ndritur i profesorit të madh udhërrëfyesin gjigant dhe pishtarin që do t’u ndriçojë rrugën për të arritur majat e thepisura të shkencës dhe për t’u afruar sadopak pafundësisë së dijes, u tha në fjalimet përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Prof. Remzi Bakallit”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat