Vrasja në tentativë- Dy të akuzuar mohojnë se morën pjesë

Lajme

Vrasja në tentativë- Dy të akuzuar mohojnë se morën pjesë

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 22:50
Gjykimi për vrasjen në tentativë

Dy nga katër të akuzuarit në lidhje me vrasje në tentativë mohuan se ishin pjesë e këtij krimi.

Dritmir Ahmeti e Gëzim Ibishi u deklaruan të pafajshëm për veprën e vrasjes së rëndë në tentativë.

I akuzuari për moslajmërim të përgatitjes së veprave penale Dritmir Ahmeti deklaroi se në natën kritike ndodhej në shtëpinë e tij duke u kujdesur për nënën që tha se atëherë ishte e sëmurë.

“Natën kritike kam qenë me nënën time në shtëpi sepse ajo ka qenë e sëmurë. Për një muaj gjatë gjithë kohës unë kam qenë me të. Kur ka ndodhur rasti unë nuk kam qenë aty”, tha i akuzuari Dritmir Ahmeti.

Por prokurorja e çështjes Besa Limani e ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën e tij të dhënë më herët në polici, në të cilën Dritmir Ahmeti kishte thënë se kur ndodhi brasja në tentativë e Remzi Beqirit, ndodhej te një shok.

Prokurorja kërkoi të dijë se ku kishte qenë i akuzuari më 7 maj 2015- duke u kujdesur për nënën e tij, apo te një shok.

I akuzuari deklaroi se ai edhe mund të ketë qëndruar me atë shokun pasi që atë e ka fqinj dhe shumë shpesh rrinë së bashku.

Për të dëmtuarit Qëndrim Sadiku dhe Remzi Beqiri tha se nuk i njeh, por vetëm në gjykatë i ka takuar.

Më pas kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini e pyeti dëshmitarin nëse kishte dëgjuar se të akuzuarit tjerë Leotrim Krasniqi apo Sokol Neziri kishin bërë ndonjë plan për të sulmuar të dëmtuarit.

Por dëshmitari tha se nuk kishte dëgjuar për ndonjë plan të tillë.

Edhe i akuzuari tjetër Gëzim Ibishi deklaroi se në natën kritike kishte qenë në shtëpi me familjarët e vet.

Ai tha se përkundër problemeve që kishin pasur më herët me të dëmtuarit, ai asnjëherë nuk kishte marrë ndonjë veprim për t’i dëmtuar ata.

“Këta kanë thënë se kam qenë edhe unë aty, por s’po mund të besoj se si kanë thënë ashtu, sepse unë nuk kam qenë. Këta më kanë plagosur një herë dhe është kryer ai farë muhabeti, e me thanë që jam dalë me ju hakmarrë, por unë jam takuar disa herë me Remzi Beqirin dhe s’kam reaguar. Edhe pse shumë herë më kanë provokuar me kerre në rrugë”, tha i akuzuari Gëzim Ibishi.

Për të dëmtuarit tha se Qëndrim Sadikun e njeh vetëm nga ky rast, pasi që e ka takuar në gjykatë, ndërsa Remzi Beqirin tha se e njeh prej më herët për shkak se kishin pasur disa probleme në mes vete.

Ibishi tha se për problemet me Remzi Beqirin kishte njoftuar policinë, por deklaroi se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përgjigje se çfarë ka ndodhur me këtë rast.

“Remzi Beqiri ka dalë me grupin e tij dhe me kanë rrahur te ‘Santea’, më kanë xhiruar me telefon duke më goditur mua, e video-incizimet i kam parë në facebook të Remzi Beqirit, e kam lajmëruar rastin në polici, por ende askush nuk më ka thirrë në seancë për atë punë, as për plagosje, as për asgjë. Janë bërë tri- katër vjet tani” tha i akuzuari Ibishi.

I pyetur nga prokuroja se nga e kishte kuptuar për vrasjen në tentativë të Remzi Beqirit, dëshmitari tha se pasi kishte dalë nga shtëpia për ngjarjen e kishte kuptuar nga fqinjët.

Më pas prokurorja e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë me herët ky dëshmitari kishte deklaruar se për ngjarjen e kishte kuptuar nga babai i tij.

Cila është e vërteta e pyeti prokuroja, ndërsa dëshmitari tha se mund të ketë ndodhur që e ka kuptuar nga babai, por kur ka dalë i kanë treguar edhe fqinjët.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 26  janar, ku pritet që ta japë mbrojtjen i akuzuari tjetër Sokol Neziri.

Në seancën e kaluar për shkak të mungesës së të akuzuarit Dritmir Ahmeti trupi gjykues kishte vendosur që ta veçonte lëndën ndaj tij, por pasi që në këtë seancë u paraqit ky i akuzuar, trupi gjykues në pajtim me palët mori aktgjykim që ndaj këtij të akuzuari të bashkohej lënda, kurse të veçohej lënda ndaj të akuzuarit tjetër Leotrim Krasniqit i cili përkundër arrestit shtëpiak nuk është paraqitur në gjykatë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Besa Limani, Leotrim Krasniqi, të cilit i është veçuar lënda, akuzohet për kryerje të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ai akuzohet se me dashje që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Remzi Beqiri, ka shtënë me armë automatike të panjohur në drejtim të veturës në të cilin kanë qenë të dëmtuarit Remzi Beqiri dhe Qëndrim Sadiku.

Vepra ka mbetur në tentativë, ngase plumbat nuk kanë qëlluar të dëmtuarit, por gomat dhe xhamat e dyerve të para të veturës.

Ndërkaq, Gëzim Ibishi, Dritmir Ahmeti e Sokol Neziri akuzohen se së bashku kanë kryer veprën penale “moslajmërim i përgatitjes së veprave penale”./Kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat