Prokurorja: Nuk kam prova direkte ndaj të akuzuarit për terrorizëm - Bota Sot
Prokurorja: Nuk kam prova direkte ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Lajme

E diel, 18 shkurt 2018

Prokurorja: Nuk kam prova direkte ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 00:38
Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Ardian Gjurajt

Në gjyqin e Ardian Gjurajt, i akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm, është dhënë fjala përfundimtare.

Ndonëse I akuzuari e pati mundësinë që të deklarohet rreth veprës për të cilën akuzohet, ai vendosi që të mbrohet në heshtje me arsyetimin se është i pafajshëm dhe se e ndjen veten të diskriminuar nga Prokuroria, pasi që, sipas tij, aktakuza është ngritur vetëm në bazë të supozimeve.

“Për shkak që po e ndjej veten të pafajshëm dhe të diskriminuar nga ana e Prokurorisë sepse akuza është e mbështetur vetëm në supozime prandaj kam vendosur që të mbrohem në heshtje dhe të mos përgjigjem në asnjë pyetje që mund të më parashtrohet nga prokurorja apo avokati”, tha i akuzuari për bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj.

Kurse prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, gjatë fjalës përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor pa mëdyshje është arritur që të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Konsideroj se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pa mëdyshje është vërtetuar që i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Ai është inkriminuar me ideologjinë e ISIS-it gjatë qëndrimit në Gjermani, edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në deklaratën e tij në hetuesi se vetë babai i tij e ka lajmëruar në polici”, tha prokuroja e çështjes.

Por, ndonëse ajo deklaroi se pa mëdyshje gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte vërtetuar që i akuzuari e ka kryer veprën për të cilën akuzohet ajo e pranoi se në lidhje me veprën për të cilën akuzohet Ardian Gjuraj nuk ka prova direkte që e vërtetojnë qëndrimin e tij në Siri ndërsa kërkoi nga gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

“Është e vërtetë që nuk ka prova direkte për qëndrimin e tij në Siri, por gjykata duhet të ketë parasysh që i akuzuari është arrestuar në kufi me Sirinë në qytetin Gaziantep që në internet përshkruhet si baza e ISIS-it. Arrestimi i të akuzuarit në këtë vend e ka ndërprerë pjesëmarrjen e tij në grupacionin e ISIS-it”, tha prokurorja.

Ndërsa mbrojtësi i Ardian Gjuraj, avokati Ali Beka deklaroi se edhe në aktakuzë por edhe nga ajo që deklaroi prokurorja në fjalën përfundimtare tregon qartë se kundër të akuzuarit nuk ka asnjë provë që dëshmon se i njëjti ka qëndruar në Siri.

“Me shumë kujdes e kam lexuar aktakuzën. Sot e dëgjova edhe fjalën tuaj përfundimtare dhe çuditërisht edhe fjala juaj përfundimtare është një lexim, vetëm një lexim, i aktakuzës pa asnjë fakt, pa asnjë provë, që vërteton se i akuzuari Ardian Gjuraj ka qenë në Siri dhe i është bashkangjitur organizatës terroriste, ekstremiste ISIS. Më së miri këtë e vërtetuat edhe ju në fjalën e juaj përfundimtare kur thatë se nuk keni asnjë provë direkte që e vërteton se Ardian Gjuraj ka qenë në Siri dhe gjoja iu paska bashkangjitur ISIS-it”, deklaroi avokati Ali Beka.

Ai madje tha se është i befasuar se si ka mundësi që në këtë shekull të propozohet që të dënohet një person vetëm për shkak të mendimit të tij pa asnjë fakt e provë.

“A ka mundësi në shekullin njëzetenjë në një shtet demokratik ta bini dikë para gjyqit, po propozon edhe me e dënu, me supozimin se ka qenë i indoktrinuar. Si ka qenë i indoktrinuar, cilat kanë qenë pasojat e atij indoktrinimi? Nuk keni dhënë asnjë fakt e asnjë provë. Sot po dëgjoj për befasi se po mundka të kërkohet që të dënohet dikush edhe për mendim të tij, pa manifestimin e jashtëm të mendimit të tij se ku është pasoja”, shtoi më tej avokati Beka.

Në fund avokati kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturit të tij t’ia ndërpres edhe masën e paraburgimit dhe të njëjtin ta shpallë të pafajshëm në mungesë të provave.

“Mbi këtë bazë gjykatës i propozoj që Ardian Gjurajn ta lirojë nga akuza sepse nuk u arrit të provohet se Ardian Gjuraj e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar. Krejt në fund gjykatës i propozoj që t’i ndërpritet masa e paraburgimit sepse tani veç kanë kaluar të gjitha rrethanat për të cilat është caktuar dhe është vazhduar kjo masë”, tha në fund avokati Ali Beka.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 12 shkurt.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit nga Kosova pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test