"Ne po mbesim të varfër, e komandantët po e plaçkisin dhe po e abuzojnë vendin"

Lajme

"Ne po mbesim të varfër, e komandantët po e plaçkisin dhe po e abuzojnë vendin"

Nga: D.RR Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 16:51
Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Ish-pjestari i UÇK-së, Liri Loshi, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka bërë thirrje që komandantët e luftës që sot janë në pushtet, të largohen pasi sipas Loshit, ata po e vjedhin, keqpërdorin dhe abuzojnë vendin.

Loshi thotë se pa u shkëputur ky zingjir, Kosova nuk do të ketë ndryshime pozitive.

Postimi i plotë i Roshit:

KOMANDANTËT TË LARGOHEN

Komandantët nuk duhet të bashkohen, sepse nuk jemi në luftë as në rrezik lufte. Ata i bënë zezditën vendit edhe pa qenë të bashkuar e dikush po kërkoka që ata të bashkohen?! Për çka? Që të jenë mirë mes vete dhe kundër jush?! Mos bëni ftesë që ata të bashkohen. Thirrja ime është që ata të largohen nga politika dhe ju ftoj që edhe ju ta përkrahni këtë ftesë. Është në të mirën tuaj, në të mirën e atyre vetë dhe në të mirën e ardhmerisë. Demokracisë i është zënë fryma nga komandantët, sidomos nga ata më të mëdhenjtë, nga komandantët me nam! Shikoni mirë pronat dhe pasuritë e tyre dhe krahasoni me veten tuaj! Ata plaçkitën, ata vodhën, ata keqpërdoruan, ata abuzuan. Prandaj ju mbetet të varfër! Ata tani kanë para për të blerë edhe lojalitetin tuaj. Po ju duhet të bëni përpjekje ta kapërceni vetëveten për ta mposhtur mjerimin tuaj dhe për t’i dhënë një mundësi të re zhvillimit të vendit. Të mos i mbështesni, të mos i kandidoni, të mos i votoni as ata dhe hë për hë as fëmijët e tyre! 19 vite mjaftojnë për ta kuptuar kush çfarë bëri për juve e çfarë bëri për vete. Është nevojë imediate që ky zingjir i trashëgimisë së pushtetit të këputet. Komandantët të largohen! Ndryshe nuk fillon ndryshimi. 
Pelqeje dhe shpërndaje këtë postim në shënjë solidarizimi për ndryshim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat