Rita Ora do të performojë më 17 shkurt në Prishtinë

Lajme

Rita Ora do të performojë më 17 shkurt në Prishtinë

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 16:08
Rita Ora

Këshilli Organizativ për shënimin e pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet një konference për media ka shpalosur programin për festimin e dhjetë vjetorit të shtetit të Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit Organizativ Ardian Arifaj, tha se ka qenë një punë intensive e përbashkët e të gjitha inistitucioneve për me përgatitur një program sa më të pasur për këtë jubile të parë të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, këtë herë ka shumë më shumë aktivitete kulturore, aktivitete sportive, e aktivitete diplomatike.

Arifaj tha se festa do të shoqërohet me koncerte, muzikë, por edhe do të hedhë në dritë të gjitha të arriturat e Kosovës në këto dhjetë vite si shtet, por edhe do t’i tregojë edhe aspiratat e Kosovës për të ardhmen.

Arifaj: Më 17 shkurt do të mbahet seancë solemne në Kuvend dhe program kulturoro- artistik me Rita Orën

“Data 17 si gjithmonë do të sjellë një seancë solemne të Qeverisë së Kosovës, një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, pastaj do të kemi paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, policisë së Kosovës në sheshin Nënë Tereza si çdo vit, pastaj kjo do të pasohet më një pjesë artistike e kulturore, po ashtu lojëra për fëmijë dhe me koncerte. Edhe do të kulmojë në fund të natës me Rita Orën në orën 22.00 në sheshin Nëna Tereza. Të dielën, më 18 shkurt do të ketë një pritje solemne nga Presidenti i Republikës së Kosovës për personalitete që kanë kontribuar në pavarësimin e Kosovës, personalitete, vendore, rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Arifaj.

Ai ka shtuar se për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës aktivitetet janë shtri në tërë Kosovën

Anëtari i Këshillit Organziativ Adil Behramaj tha se do të ketë një festival multi kulturor në qytetin e Prizrenit më  16 shkurt.

Behramaj: Festivali multi-kulturor do të mbahet më 16 shkurt në Prizren

“Festivali multi-kulturor është organizuar në bashkëpunim me Këshillin për komunitete, ku pjesë e tij janë të gjitha komunitetet e Kosovës. Ata përpos këtij festivali kanë edhe aktivitete tjera nëpër komuna të tyre, si në Pejë ashtu edhe në Prizren. Jo vetëm gjatë këtij dhjetë ditshi, mirëpo gjatë gjithë vitit deri në shkurtin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Behramaj.  

Sonte prej orës 20.00 në Prishtinë do të ketë koncert me artistë për të gjitha gjeneratat.

Ndër aktivitetet tjera për shënimin e dhjetë vjetorit të shtetit të Kosovës, ka filluar dekorimi i kryeqytetit, Prishtinës por edhe disa qytete nëpër Kosovë me ikonat “Kosova 10”, të cilat janë shpërndarë nëpër qytetet e  Kosovës.

Po ashtu sonte do të vendoset flamuri i Kosovës në ndërtesën e Qeverisë, i cili është larguar për shkak të erës së fortë, si dhe do të rikthehen disa prej dekorimeve në sheshet në të cilat gjithë ashtu janë dëmtuar nga era.

Sonte do të zbukurohen ndërtesat e sheshit Nënë Tereza me drita në kuadër të asaj që është quajtur ‘Festa e dritave për pavarësinë e Kosovës’.

Organizatorët kanë thënë se gjatë këtyre ditëve ka pasur disa konferenca, si për ekonomi, për artin, kulturën dhe për diplomaci të politikës së jashtme të Kosovës.

Organizatorët e Këshillit, ndër të tjera thanë se kostoja financiare do të bëhet e ditur pas festës , dhe do të jetë gjithçka transparente.

Ndryshe dje Qeveria e Kosovës ka ndarë 600 mijë euro për festën e Pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat