Kosova dhe Mali i Zi pajtohen për rishikim të marrëveshjes për kufirin

Lajme

Kosova dhe Mali i Zi pajtohen për rishikim të marrëveshjes për kufirin

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 11:40
Ilustrim

Kosova dhe Mali i Zi janë pajtuar që të punojnë për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit duke përfshirë edhe mundësinë e korrigjimeve të vijës kufitare të përcaktuar më marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Marrëveshja pritet të hap rrugën për ratifikimin e saj në parlamentin e Kosovës.

Në tekstin e deklaratës së përbashkët të presidentëve thuhet mes tjerash se "një trup i përbashkët punues do të identifikojë dhe do të adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit... Trupi i përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Qakorrit dhe kullës së Zhlebit".

Dokumenti do të jetë pjesë shtesë e marrëveshjes për kufirin dhe ajo pasoi vizitën e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se deklarata e përbashkët e presidentëve "i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë".

Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat