Qytetarët e shteteve që s’e njohin Kosovën, urojnë pavarësinë e saj

Lajme

Qytetarët e shteteve që s’e njohin Kosovën, urojnë pavarësinë e saj

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 15:30
Ilustrim

Kosova ka marrë shumë urime në këtë 10-vjetor të Pavarësisë së saj, të arritur me aq sakrifica.

Krerë shtetesh, ndër të cilët edhe vet shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, Mbretëresha Elizabeth II dhe Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, përcollën urimet e tyre më të mira për 10 vitet e shtetësisë së saj.

Por, në këtë përvjetor të rëndësishëm për vendin mbërrijnë edhe disa përgëzime mjaft të veçanta, të mbledhura bashkë në një video nga dy të rinj e Kosovës, që studiojnë në Vjenë të Austrisë, Freskim Mustafa dhe Galdim Hajredinaj.

Ata kanë përfshirë mesazhet që i dërgojnë Kosovës në këtë ditë gëzimi për të, njerëz nga vende të ndryshme të botës. Videoja nis pikërisht me urimin e dy të rinjve serbë.

– Ç’kemi, unë jam Robert. Dhe unë jam Ina. Ne jemi nga Serbia dhe gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Unë jam nga Sllovakia, gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Dhe unë jam nga Rusia, gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Ne jemi nga Brazili, Kosovë gëzuar ditëlindjen!

Videoja vazhdon me urimet e disa vajzave nga Meksika, Spanja, Japonia, Koreja, Ukraina, Zvicra, Madagaskar, e nuk mungojnë as zërat përgëzues nga Britania, Gjermania, Portugalia e plot vende të tjera.

Kosova, shteti më i ri i Europës, kremton 10 vitet e mëvetësisë së njohur nga 115 vende të tjera të botës, një shifër kjo për të cilën presidenti Hashim Thaçi përplaset me ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili numëron dy njohje më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat