Oda e burrave apo Gjykata e Apelit, kush do ta zgjidhë rastin e Donjetës së vrarë?

Lajme

Oda e burrave apo Gjykata e Apelit, kush do ta zgjidhë rastin e Donjetës së vrarë?

Më: 8 mars 2018 Në ora: 17:56
Donjeta Pajazitaj

Gjykata e Pejës e ka dhënë vendimin për Naser Pajazitajn, i cili deri të martën akuzohej se vrau kushërirën e tij Donjeta Pajazitaj. Por, tash me këtë rast do të merren odat e burrave të Deçanit, për të pajtuar dy familjet nga Strellci që janë në lidhje gjaku mes vete. Express sjell rrëfimin e babait të Donjetës, Halil Pajazitajt, dhe vëllait të Naser Pajazitajt, dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit për vrasjen që ka ndodhur në fund të vitit 2015.

Ofshama e Halil Pajazitajt tregon se burri nga Strellci i Deçanit ka humbur besimin në drejtësi. Para dy ditësh, Gjykata Themelore e Pejës e liroi nga burgu kushëririn e tij, Naser Pajazitajn, që dyshohej se në nëntor të vitit 2015 ia vrau me dy plumba vajzën 24 vjeçare Donjetën.  

Por, përkundër vendimit të gjykatës, deçanasi beson se kushëriri 55 vjeçar ia morri jetën e së bijës, derisa ajo më 9 nëntor 2015 po shkonte në punë. 

“Ai duhet me kanë, s’ka pas kush tjetër”, thotë ai, derisa qëndron para dyerve të shtëpisë së tij.

E për aktgjykimin lirues ndaj Naser Pajazitajt, Halili pretendon se ka të bëjë me korrupsion në këtë rast. 

Kjo atij i shton dyshimet se edhe dikush tjetër ka mundur të jetë i implikuar në këtë rast. Por, nuk e ka idenë se pse ka mundur të kryhet vrasja mizore e të bijës. 

“Paj korrupsioni. Parja është në pyetje. Ky nuk e ka bo vetëm, s’ka pas shans me bo vetëm”, tha ai gjatë një bisede, të enjten për Express. 

Shpjegon për momentin e fundit që është parë Donjeta më 9 nëntor 2015, ditën kur u zhduk për t’u gjetur e vdekur dhe e mbuluar me drurë, një muaj e gjysmë më pas, breg një mali në Strellc. 

“Tan e kan pa qetu në udhëkryq kah osht shku çika, tan e kan pa. Ai është shku 5 minuta mas me kerr. Kerri del në kamera, cika s’del. Ajo su kon zog me fluturu”, rrëfen burri nga Strellci, që ka humbur besimin në gjyqësorin kosovare. 

Por, vetëm pak metra nga shtëpia e tij, familja e Naser Pajazitajt ka krejt tjetër mendim për vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

Murat Pajazitaj, vëllai i personit që deri të martën u akuzua se kreu vrasjen makabre të kushërirës së tij 24 vjeçe, thotë se nga fillimi kanë qenë të bindur se Naseri nuk ka kryer krimin për të cilin u gjykua. 

“U pa që u shpall i pafajshëm, se s’ka pas të baj me këtë punë. Se na jemi vllazni. Vllavi jem s’ka të baj me këtë punë absolut kurgjo hiq”, thotë ai. 

“Kush jau ka shti në krye atë, me çfarë qëllimi, çka kanë bo tek kanë bo, ato janë punë e tyne. Na si familjarë tan qetu jemi, e kemi dhimten edhe për atë si vajzë, se e kemi pas i me pas tonën se është rritë qetu me qika tona”, thotë Murati. 

“Është ratë. Këmben e ka keq. Me paterica është end tona heret. Kaniher duhet me kap dy vetë për krah për me e çu”, shpjegon Murat Pajazitaj për gjendjen e Naserit. 

Tutje, shpjegon se raportet mes këtyre dy familjeve të cilat i ndan vetme një livadh në mes të pronave të tyre, janë të shkatërruara. Përkundër vendimit të gjykatës akuzat për njëri - tjetrin kanë vazhduar. Por, burrat e Dukagjinit, siç e do zakoni në këtë pjesë të vendit, thotë se do të mundohen të gjejnë zgjidhje. 

“Ato raporte janë niherë hala qyshtu. Nuk kem pas hala kontakte”, tregoi Murat Pajaziti. 
Ai konfirmoi se Oda e burrave është duke u organizuar, dhe se brenda pak ditësh do të ulen për të diskutuar, tash pasi gjykata ka dhënë vendimin e saj. 

“Tu grumbullu oda ashtë. Tashti kto punë shkojnë sikur jan kan përpara. Niher u kon derisa të vendos gjykata, qysh cka, tani kta janë”, shpjegon ai. 

Vëllai i Naser Pajazitajt shpjegon se pret që brenda dy apo tre ditësh të nisin këto punë. 

“Ata janë hala të mllefosum se nuk është dënu Naseri, tash po presim edhe nja dy tri ditë niherë”, thotë ai. 

Se nuk kanë biseduar ende me familjen e ish të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, thotë edhe babai i të vrarës, Halili. 

“Jo s’kemi fol”, përgjigjet shkurt ai. 

Por për dallim nga vëllai i Naserit që po pret që burrat t’i japin zgjidhje këtij konfliktit, Halil Pajazitaj po pret që Gjykata e Apelit ta dënojë kushëririn 55 vjeçar që e akuzon për vrasjën e të bijës. 

“Na ja kemi lanë shkallës të dytë në gjyq, le të del. S’di gjo çka bohet hiç”, tha në fund të bisedës, Halil Pajazitaj. 

Gjykata Themelore e Pejës, të martën, ka shpallur të pafajshëm Naser Pajazitajn nga Strellci i Deçanit. 55 vjeçari akuzohej se për vrasjen e kushërirës e tij 24-vjeçare, Donjeta Pajazitaj.

Krimi kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur gati dy muaj pas vrasjes, diku në malet e fshatit Strellc të Deçanit. E njëjta gjykatë, Pajazitajn e ka dënuar me 2 vjet e katër muaj dënim unik për dy vepra lloje të armëve pa leje që iu gjeten në shtëpi në momentin e arrestimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat