Parapagimi i RTK-së, e vetmja formë e pavarësimit të transmetuesit publik

Lajme

Parapagimi i RTK-së, e vetmja formë e pavarësimit të transmetuesit publik

Më: 29 mars 2018 Në ora: 14:00
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media,

Pavarësimi i mënyrës së financimit të mediumit publik RTK, do të bëjë që ky institucion të pavarësohet nga ndikimet politike. Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, thanë se edhe vetë ideja e plotësim-ndryshimit të ligjit për RTK-në ka ardhur për ta ndryshuar mënyrën e financimit të transmetuesit publik.

Gjatë diskutimit në komision, pati deklarime të ndryshme nëse financimi i RTK-së duhet të bëhet përmes parapagimit apo përmes themeluesit, e që është Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, edhe pse tha se RTK duhet të pavarësohet nga ndikimet politike, u shpreh kundër parapagimit përmes faturave të KEDS-it, pasi, sipas tij, provizioni që merr kjo kompani është e madhe - nga 0.50 cent për faturë.

Ramadani: Jam kundër parapagimit përmes faturave të KEDS-it

“Më mirë është të shkohet me formën qysh ka qenë deri tash, ose prej themeluesit të ndahet buxheti sepse neve diku 2.5 milionë na shkojnë huq. Kjo është forma që mendoj unë si anëtar i Komisionit, është edhe qëndrim i subjektit tim që unë përfaqësoj, që kjo formë nuk duhet të shkoj”, tha Ramadani.

Por, kundër kësaj ideje u shprehën të gjithë anëtarët tjerë të komisionit, të cilët thanë se e vetmja mënyrë për ta pavarësuar RTK-në është parapagimi.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Nait Hasani, e quajti të pavlerë ligjin nëse financimi i RTK-së mbetet siç ka qenë, përmes themeluesit. Sipas tij, pavarësia e RTK-së bëhet vetëm nëse ia pavarëson financimin.

Hasani: Pa buxhet s’ka pavarësi të transmetuesit publik

“Nëse dëshiron të kesh një transmetues të pavarur atëherë këto tjerat janë marrëveshje që bëhet mes kompanive që bëjnë inkasimin. RTK nëse do vetë mund t’i mbledh ato, do të thotë angazhon punëtorë t’i mbledhë vetë. Dikush do të paguhet për mbledhjen e tyre. Çështja është donë të kesh një transmetues publik të pavarur, apo doni të keni të varur. Tanë kohën flitet në Kuvend që transmetuesi publik është i varur prej Qeverisë, njerëzit e Qeverisë.  Unë jam pjesë e pozitë, por po kërkoj një pavarësi të transmetuesit publiku. Pa pasur buxhet nuk ka pavarësi, buxheti e përcakton edhe pavarësinë e një transmetuesi publik”, theksoi Hasani.

Deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, tha se  ideja e plotësim ndryshimit të ligjit për RTK-në, ka qenë si të bëhet pavarësimi financiar i këtij mediumi. Madje, ajo u shpreh e habitur me qëndrimin e kolegut të saj, deputetin e VV-së, meqë partia e tij dikur ka qenë me e zëshmja për t’u pavarësuar financimi i RTK-së.

Pantina: Pavarësimi i RTK-së nga politika bëhet vetëm me pavarësimin financiar

“Krejt ideja që ne kemi filluar ta amendamentojmë ligjin e RTK-së ka qenë kjo, që ne ta pavarësojmë RTK-në. E për ta pavarësuar RTK-në, duhet pavarësuar mënyrën e financimit. Tash ne mund të hapim debat a po duam televizion shtetëror apo publik, sinqerisht për mua nuk është temë tabu kjo. Po, po duam televizion shtetëror, atëherë shteti e financon, por nëse po themi që duam televizion publik ne duhet të pavarësojmë nga politika, e kjo nuk nënkupton kjo që nuk duhet kërkuar llogari, por ta pavarësosh”, u shpreh Pantina.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e ka quajtur të domosdoshëm parapagimin e RTK-së, ani pse do të ketë hezitime për ta paguar atë. 

Izmaku: Duhet ta fusim parapagimin për RTK-në pavarësisht hezitimeve

“Ne duhet ta fusim këtë kulturë dhe të paguajmë për shërbim se në krejt botën është kështu, nuk i pëlqen askujt të paguaj as për rrymë, po flas për Evropë krejt i kanë. Do të thotë paguhet për transmetues publik, bile nuk e kanë kualitetin aq sa duhet, mirëpo e dinë se është transmetues publik, e kanë detyrim të paguajnë”, theksoi ajo.

Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka shprehur dilemat e tij për formën e mbledhjes së parave nëse kjo bëhet përmes faturave të KEDS-it, ani pse tha se e mbështet plotësisht parapagimin e RTK-së.

Rrahmani: Kam dilema për formën e mbledhjes së taksës për RTK-në

“Edhe në punëtori, por edhe sot kam dilema të mëdha që forma e mbledhjes së parapagimit përmes orëve të rrymës a garanton me ligj barazi të gjithë qytetarëve ne dhënien e taksës për RTK-në. Dilemat e mia janë që qytetarët e thjeshtë, ekonomitë familjare mund të ngarkohen me dy apo tre fish të taksimit apo pagesës së parapagimit derisa, ka mundësi që forma përmes orëve të liroj biznese, në këtë rast po përmendi shërbimet hoteliere që e kanë obligim për cilësinë e shërbimeve të kenë edhe televizion, a në fakt ata paguajnë më pak se qytetarët”, tha Rrahmani.

Edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zekës, parapagimi i RTK-së duhet të bëhet gjithsesi, porse duhet të specifikohet se duhet të paguajnë qytetarët që kanë televizor, e jo sa njehsorë të energjisë elektrike ka.

Deputetët kanë diskutuar edhe për përgjegjësitë e drejtorit gjeneral, bordit të RTK-së dhe kryeredaktorëve të mediumit publik.

Në bazë të propozimeve, kryeredaktorët nuk do të kenë të drejt të kenë emisione të tyre. /B. Syla/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat