Shpërthen Hashim Thaçi kundër BE-së; Mjaft më me raporte, duam rezultate!

Lajme

Shpërthen Hashim Thaçi kundër BE-së; Mjaft më me raporte, duam rezultate!

Më: 17 prill 2018 Në ora: 18:11
Hashim Thaçi

 Pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka reaguar Presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta dhe se është koha për diçka konkrete.Vetëm pak çaste pasi shefja e diplomacisë së BE’së, Federica Mogherini, bashkë me komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn publikuan raportin e Progrestit, presidenti Thaçi shkroi rreth të njëjtit, duke thënë se Kosova tash po pret liberalizimin e vizave.

Ky është shkrimi i plotë i Presidentit:

Komisioni Evropian sapo publikoi raportin për Kosovën dhe pakon e zgjerimit. Më këtë rast, dua të theksoj se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Tani, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara. E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë.

Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE. Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë, dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin. HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat