Shënohet 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë

Lajme

Shënohet 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë

Më: 18 prill 2018 Në ora: 14:33
Ilustrim

18 prilli i para dy dekadave, dita kur në këtë fshat u paraqit Njësiti i parë i UÇK-së, ishte dita e krenarisë sonë kombëtare në rajonin e Shalës, dhe ditë që nuk përshkruhet me laps e me fjalë.

Kështu u tha sot në fshatin Zabërgj, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë të Bajgorës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, pjesëtarë të FSK-së, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të luftës, si dhe banorë të rajonit të Shalës e më gjerë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se para 20 vitesh, trimat e kësaj ane i treguan armikut se durimit i ka ardhur fundi, dhe kapën armët në duar për t’i dal zot atdheut.

“E di që ka qenë luftë e pabarabartë, mirëpo Shala gjithmonë ka treguar trimëri, jo vetëm gjatë luftës së fundit, por ndër shekuj”, ka thënë Bahtiri.

Rafet Ibishi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Mitrovicë, theksoi se sa herë që përmendet e kaluara, kujtohet rruga nëpër të cilën kaluan luftëtarët për të arritur deri në ditët e sotme.

“Lufta e UÇK-së bëri kthesën më të madhe në historisë tonë qindra vjeçare dhe ishte më meritorja për lirinë të cilën e gëzojmë sot, ndërsa popullata shqiptare ishte kurrizi dhe tabani I kësaj ushtrie çlirimtare. Banorët e fshatit Zabërgjë ishin dhe do të mesin shembulli më I mirë I kësaj”, u shpreh Ibishi.

Në anën tjetër, Nexhat Dedia, njëri nga themeluesit e Njësitit të parë në këtë zonë, duke përshkruar kronologjinë e ngjarjeve të atëhershme, ka bërë të ditur se pas vendosjes të Njësitit në fshatin Zabërgjë, detyrë parësore ishte grumbullimi i armëve.

Sipas tij, shumë armë u grumbulluan vullnetarisht dhe për një kohë të shkurtër.

“Në këtë kohë Zabërgja shndërrohet në qendër të rekrutimit të vullnetarëve, kështu që të gjitha rrugët të shpienin në Zabërgjë. Ky fshat ishte edhe burim i vetëm me bukë, kripë e zemër”, theksoi Dedia.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje për gjashtë themeluesit e parë të UÇK-së në këtë zonë, si dhe për familjet e këtij fshati që kontribuuan në ato kohë të vështira. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat