Bujanoc: U shënuan “Ditët e Komandant Lleshit”

Lajme

Bujanoc: U shënuan “Ditët e Komandant Lleshit”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 26 maj 2018 Në ora: 08:24
U shënuan “Ditët e Komandant Lleshit”

 Me një varg aktivitetesh të shumta, u shënua Manifestimi tradicional – “Ditët e Komandant Lleshit”, me rastin e 17-vjetorit të rënies heroike të Ridvan Qazimit, njërit nga Komandantët e UÇPMB-së, ish negociator, midis palës shqiptare dhe asaj serbe.

Dita e parë e manifestimit, filloi më 23 maj, me një orë letrare, të organizuar në Pallatin e Kulturës në Bujanoc. Në këtë orën të madhe letrare ishin të pranishëm përfaqësuesit e OVL-së të UÇPMB-së,  drejtuesit e pushtetit lokal të  Bujanocit, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Shukri Yemeri me bashkëpunëtorë, qytetarë dhe familjarët   e  dëshmorit Ridvan Qazimi – Komandant Lleshi.

Dita e dytë e manifestimit filloi, më 24 maj me një marsh nga Stadiumi i Tërnocit, për te vendi i rënies së Komandant Lleshit “Gurtë e Buajve”, që përfundoi me një vizitë familjare në shtëpinë e dëshmorit të kombit.

Dita e katërt e manifestimit tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”, u përmbyll, më 25 maj, me një Akademi përkujtimore, të organizuar në Pallatin e  Kulturës në Bujanoc, në të cilën morën pjesë: Shukri Ymeri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Fatmir Hasani, deputet popullor, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, Bejtulla Bejtullahu, kryetar i OVL- të UÇPMB-së e përfaqësues të tjerë nga jeta politike, kulturore e shoqëria civile.

Për jetën dhe veprimtarinë e Komandant Lleshit, foli kryetari i OVL-së, Bejtulla Bejtullahu, ndërsa në emër të familjes Qazimi, e bija e Komandant Lleshit, Albulena Qazimi – Hasani, shprehu mirënjohje dhe falënderime për të pranishmit në këtë përvjetor të lavdisë kombëtare.

Akademia përkujtimore u përcoll me një program të pasur kulturor-artistik, i cili u përcoll nga përfaqësues të jetës institucionale, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, ish ushtarë e ushtarakë të UÇPMB-së, familjarë të Komandant Lleshit dhe qytetarë të shumtë.

Vlen të përmendet se Komandant Lleshit, alias Ridvan Qazimi, nga Tërnoci, ishte njëri nga figurat kyçe në UÇPMB dhe udhëheqës i Grupit Negociator të Delegacionit Shqiptar të Luginës së Preshevës në bisedime me faktorët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Qeverisë serbe për ndërprerjen e luftës dhe demilitarizimin e rajonit, më 23 maj të vitit 2001.

Një ditë më vonë, pikërisht, më 24 maj, në Tërnoc, te vendi i quajtur “Gurtë e Buajve”, vritet pabesisht Komandant Lleshi dhe që nga ajo ditë edhe pas 17 vjetësh, nuk u ndriçua rasti i vdekjes së tij.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata në diasporë e kanë kthyer në traditë manifestimin përkujtimor për Komandat Lleshin, duke e nderuar dhe respektuar emrin dhe veprën e tij e cila paraqet një histori të veçantë të luftës çlirimtare të UÇPMB-së.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat