Vuçiq nuk e pranon “ofertën e Amerikës” për Kosovën

Lajme

Vuçiq nuk e pranon “ofertën e Amerikës” për Kosovën

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 11:08
Aleksandar Vuçiq

Gazeta propagandistike serbe Novosti në një artikull të publikuar sot, shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë propozimin e Amerikës për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, që njihet si “paketa amerikane”.

Këtë propozim Vuçiq, gjithnjë sipas burimeve të gazetës serbe, e ka refuzuar pasi e ka cilësuar të padenjë dhe të papranueshme për Serbinë.

Gazeta pretendon se i ka siguruar  katër shtyllat kryesore të këtij propozimi.

“Asocacioni merr fuqi të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës. Asociacioni do të ishte i lidhur ngushtë me zv/kryeministrin e Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb, e që do të ishte kontrollues i kësaj bashkësie”, janë dy pikat e para të paraqitura në këtë artikull.

Tutje thuhet se Serbia nuk duhet ta pengojë rrugën e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Beogradi duhet të mundësojë që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, dhe OKB-së. Në qoftë se Serbia bie dakord me këtë paketë, do të ishte në gjendje të hyjë në BE dhe Amerika do të mbështeste në aspektin ekonomik dhe politikën ndërkombëtare”, thuhet të jenë dy pikat e tjera të kësaj pakete.

Gazeta e cilëson të papranueshme këtë paketë, duke shkruar se në një mënyrë nëse e pranojnë këtë propozim, atëherë Serbia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës.

“Pra fuqitë perëndimore presin që në këmbim të Asociacionit, Kosova të fitojë anëtarësimin në organizatat e huaja. Kjo do të ishte absolutisht e papranueshme për palën tonë, dhe kjo nuk u mor parasysh nga lideri i shtetit”, shkruhet tutje.

Përmendet edhe deklarata e zv/kryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ky i fundit vazhdmisht ka thënë se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Për fat të keq për mbajtjen e një vakumi politik në Kosovë, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi vetëm po rrisin qëllimet e tyre djallëzore me ndihmën e SHBA-së”, ka shkruar kjo gazetë, që njihet për tekstet propagandistike kundër Kosovës.

Si mundësi për zgjidhjen mes dy shteteve është përmendur edhe ndarja e Kosovës.

Por edhe Novosti e ka pranuar se me këtë dëshirë të serbëve nuk po pajtohet në asnjë mënyrë Amerika.

“Se si perëndimi do ta trajtojë masën e Vuçiqit për ta injoruar paketën amerikane tani mbetet të shihet. Burimet tona thonë se Serbia për shkak të mos-bashkëpunimit me Kosovën, do ta rrezikonte rrugën drejt BE-së. Një tjetër faktor është edhe reduktimi i investimeve të huaja, kryesisht nga Amerika që do të ishte goditje e madhe për ekonominë serbe”, përfundon raporti i gazetës serbe.

Mundësinë që një marrëveshje finale mes dy shteteve të arrihet këtë vit, e ka konfirmuar edhe ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat