Në momentin e përkeqësimit të gjendjes së Vokrrit, ishte edhe një politikan i Kosovës

Lajme

Në momentin e përkeqësimit të gjendjes së Vokrrit, ishte edhe një politikan i Kosovës

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 16:46
Fadil Vokrri

Lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka qenë një nga dëshmitarët e rastit ku Fadil Vokrri pati përkeqësim të gjendjës, për të ndërruar jetë më pas.

Ish ministri i Diasporës ka treguar këtë moment të trishtuar.

“Isha dëshmitar i kësaj beteje sepse rastësisht qëllova në Gym, aty ku ishte edhe Vokrri. Ndihma ka ardhë shpejt, por si duket ka qenë sulmi shumë i rëndë. Vokrri ishte i gjallë kur u nxor nga vendi i ngjarjes, në gjendje të rëndë ishte, por i gjallë” rrefen Valon Murati.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi, ka treguar detajet e përpjekjes së dy ekipeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë të ndjerin.

“Ai e ka kryer punën e një paramediku sepse masazhi që i ka bërë në gjoks ka ndihmuar në qarkullimin e gjakut dhe kjo e ka mbajtur në jetë gjatë këtyre 7 minutave”, deklaron Gashi.

Ai tregon tutje se në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy ekipe të mjekëve të cilët e kanë trajtuar Vokrrin për më shumë se gjysmë ore në vendin e ngjarjes.

“Është intubuar, reanimuar dhe i është dhënë terapia e duhur. Ekipet kanë arritur që t’ia rikthejnë ritmin por jo ndonjë shenjë tjetër të jetës dhe është dërguar në Emergjencën e QKUK-së”, ka thënë Gashi.

Mjeku ka theksuar se nëse Vokrri nuk do të kishte asnjë shenjë jete, atëherë nuk do të transportohej për në QKUK.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Emergjencës, Basri Lenjani, ka deklaruar se Vokrri ka mbërritur pa shenja jete.

“Personi në fjalë ka pësuar arrest kardiak dhe përkundër masave ranimatore ka qenë e pamundur të rikthehet në jetë”, ka thënë Lenjani.BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat