“Ramushi i fortë, plotë muskuj e mposhti një femër”! Gratë heshtin, nuk ballafaqohen me të fortët e politikës!

Lajme

“Ramushi i fortë, plotë muskuj e mposhti një femër”! Gratë heshtin, nuk ballafaqohen me të fortët e politikës!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 11 qershor 2018 Në ora: 12:15
Kryeministri duke e larguar nga foltorja Valdete Drellën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas skandalit të djeshëm, sot gjatë një konference për media ka vazhduar me skandalin e ri.

Për rastin gjatë ditës së djeshme ku në ceremoninë e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e largoi nga foltorja me dhunë pasardhësen e gjeneralit Mehmet Drellës, Valdete Drellën, kryeministri sot tha se po të ishte burrë e kishte kryer ndryshe me të.

“Me qenë burrë e kisha kry ndryshe me të”, është përgjigjur kryeministri Haradinaj.

Kryeministri është treguar i ashpër duke matur forcën e shtetit në largimin e asaj gruaje nga foltorja.

“Është e papranueshme një i paftuar me u paraqit në foltore, atëherë dikush duhet me largu, ja policia ja unë. Në prezencë timen nuk mundet me nëpërkëmbë askush shtetin. Ata që është dashur të reagojnë, nuk kanë qenë në nivel të detyrës”, ka thënë Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaratat e kryeministrit Haradinaj i ka lidh me një thënie të Mishel Obama.

“Mishel Obama: “Burrat e fortë, burrat që duan të jenë model, nuk kanë nevojë të rrezojnë një femër, ta mposhtin vetëm që ta bëjnë veten të fuqishëm”. Kjo thënie vlen për Ramush Haradinajn e fortë, plot muskuj që e mposhti një femër dje. Edhe atë nga pozita e Kryeministrit, pozitës më të fortë në shtet”, thotë deputeti.

Image
Haxhi Avdyli

 

Avdyli thekson se, më e çuditshmja është heshtja e grave dhe qindra shoqatave e aktivisteve pro drejtave të grave e kundër dhunës që mijëra konferenca e tryeza mbajnë çdo javë.

“Ato si duket mbrojtjen e drejtave të grave dhe kundër dhunës e kanë vetëm sa për të dalë në TV, por jo për tu ballafaqua me të fortët e politikës”, shprehet deputeti i LDK-së, Haxhi Aydyli.

Kryeministri Haradinaj ka komentuar edhe veprimin e kreut të Kuvendit Kadri Veseli, i cili ia ndezi mikrofonin me të dalë në foltore, gruas që vetën e prezantoi si familjare e Mehmet Derallës.

“Nuk jam kundër Kadriut, ai ka qenë korrekt ka shpresua që i thotë dy fjalë edhe largohet”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të shoqërisë civile, kanë kërkuar nga Haradinaj të kërkoj falje publike për këtë veprim.

Në këtë ceremoni kanë folur zyrtarët shtetëror, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, Kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe personalitete të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat