Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që vrau kushëririn e tij për prerjen e një mali

Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që vrau kushëririn e tij për prerjen e një mali

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 16:54
Pamje nga gjykimi

Gëzim Rexhepi, i cili dyshohet se ka vrarë kushëririn e tij për shkak të prerjes së një mali, në seancën fillestare të së mërkurës është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “vrasje”, ndërsa ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kjo përleshje mes kushërinjve e cila përfundoi me vrasjen e tani të ndjerit Shaip Rexhepi, kishte ndodhur me 26 tetor të vitit të kaluar, për shkak të prerjes së një mali.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Armend Hamiti, të pafajshëm për vrasje në tentative dhe armëmbajtje pa leje janë deklaruar të akuzuarit tjera Muharrem dhe Fadil Rexhepi, ndërsa të dyja këto vepra i ka pranuar i akuzuari Bedri Rexhepi.

Po ashtu fajësinë nuk e ka pranuar as i akuzuari për “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”, Pajazit Rexhepi.

Gjatë këtij shqyrtimi mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Rexhepi, avokati Nexhmedin Sejdiu ka kërkuar që të mbrojturit të tij masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Sipas avokatit Sejdiu, i akuzuari Fadil Rexhepi gjendet në masën e paraburgimit që 8 muaj, nga 26 tetori i vitit të kaluar, dhe në asnjë provë nuk ishte vërtetuar se i njëjti në ditën kritike kishte mbajtur armë në dorë.

Sipas tij, Fadil Rexhepi në bazë të kësaj përleshje ishte plagosur dhe se i duhej një trajtim mjekësor.

Zëvendësim të paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ka kërkuar edhe avokati Veton Rrecaj, për të mbrojturin e tij Bedri Rexhepi.

Ndërsa avokati Isa Salihu ka kërkuar ndërprerje të masës së arrestit shtëpiak për të akuzuarin Muharrem Rexhepi.

Sipas avokatëve Rrecaj dhe Salihu kishin pushuar të gjitha arsyet ligjore në bazë të të cilave të akuzuarve Bedri dhe Muharrem Rexhepi iu ishte caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

Këto propozime të avokatëve nuk i kundërshtoi prokurori Hamiti.

“Duke pasur parasysh se veprat penale janë të renda, dhe fakti se Fadil Rexhepi është i plagosur, besoj se raportet mes dy familjeve janë të mira pasi edhe janë kushërinj dhe nëse gjykata vlerëson se do të vijnë rregullisht në gjykime, pajtohem me propozimin e avokatëve që tu caktohet një masë më e butë” tha prokurori Hamiti.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva aprovoi këto propozime dhe të akuzuarve Fadil dhe Bedri Rexhepi ua ndërpreu masën e paraburgimit dhe ua zëvendësoi me masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa të akuzuarit Muharrem Rexhepi masën e arrestit ia zëvendësoi me paraqitje në stacion policor një herë në javë.

Gjykatësi Kashtanjeva gjithashtu i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë për këtë rast pritet të mbahet me 23 korrik 2018, në ora 9:00

Sipas aktakuzës, tani i ndjeri Shaip Rexhepi kishte kuptuar rreth prerjes së malit të cilin e kishin shitur ai së bashku me vëllain e tij, tani të akuzuarin Muharrem Rexhepi, të cilët së bashku me të akuzuarin tjetër Fadil Rexhepi, të armatosur kishin shkuar në shtëpinë e të akuzuarve Gëzim, Bedri dhe Pajazitt Rexhepi.

Të njëjtit në momentin kur ishin takuar me të akuzuarin Bedri Rexhepi kishin filluar të fjalosen për çështje të prerjes së malit, dhe kishin filluar ta sulmojnë dhe godasin më grushte dhe kondakt të revoles. Mirëpo, kur i akuzuari Gëzim Rexhepi e kishte dëgjuar zhurmën, ishte nisur në drejtim të tyre dhe në hamar e kishte marrë pushkën automatike duke shtënë në drejtim të Muharrem, Fadil dhe të ndjerit Shaip Rexhepi.

Nga këto të shtëna i akuzuari Fadil Rexhepi ishte plagosur, ndërsa njëri plumb e kishte goditur tani të ndjerin Shaip Rexhepi, i cili kishte ndërruar jetë.

Po ashtu, nga kjo përleshje, të akuzuarit Muharrem dhe Fadil Rexhepi kishin shtënë në drejtim të dëmtuarit Xhavit Rexhepi i cili ishte nisur në drejtim të tyre për ti ndarë, por njëri plumb e kishte goditur atë në dorën e djathë, ndërsa tjetri pas shpinës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Nga kjo ngjarje, i akuzuari Bedri Rexhepi, kur kishin filluar të shtënat dhe kur vëllau i tij Xhavit Rexhepi ishte plagosur, e kishte marrë pushkën gjysmë automatike dhe kishte shtënë në drejtim të tani të akuzuarit Muharrem Rexhepit.

Të njëjtën ditë, i akuzuari Pajazit Rexhepi kur e kishte marrë vesh për përleshjen mes vëllezërve të tij dhe kushërinjve, me kamion, me qëllim e kishte dëmtuar veturën e tani të ndjerit Shaip Rexhepi, e cila kishte qenë e parkuar përpara shtëpisë së të akuzuarit Muharrem Rexhepi.

Prokuroria të akuzuarin Gëzim Rexhepi e ngarkon me veprat penale “vrasje”, “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, të akuzuarin Muharrem Rexhepi me “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, të akuzuarit Fadil dhe Bedri Rexhepi me “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”, dhe të akuzuarin Pajazit Rexhepi me veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat