Dyshohet për nepotizëm, zyrtarët ende nuk fillojnë punën në Gjykatën e Apelit

Lajme

Dyshohet për nepotizëm, zyrtarët ende nuk fillojnë punën në Gjykatën e Apelit

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 00:29
Gjykata e Apelit

Është bërë më shumë se 1 muaj prej se kanë dalë rezultatet për konkursin për 10 zyrtarë ligjorë në Gjykatën e Apelit, por kandidatët e suksesshëm ende nuk kanë filluar punën, shkaku i ankesave.

Sipas Arbër Jasharit, zëdhënës në këtë gjykatë, janë tri ankesa të cilat janë duke u shqyrtuar nga komisioni.

Megjithatë, nga burime të KTV-së, është bërë e ditur se disa prej kandidatëve të suksesshëm, janë të afërm të zyrtarëve të lartë të institucioneve të drejtësisë.

E para në listën e kandidatëve të suksesshëm, ka dalë Greta Ibraj, që siç është konfirmuar, ka qenë praktikante në Gjykatën e Apelit për një vit.

KTV-ja, në drejtim të Gjykatës së Apelit, ka bërë pyetje për të konfirmuar nëse kryetari Hasan Shala, ka miqësi me babanë e kandidates, por nuk ka marrë një përgjigje për këtë çështje.

Në mesin e kandidatëve të suksesshëm, është edhe Vilson Maloku, djali i kryeprokurorit të Gjilanit, Jetish Maloku, por i cili ka mohuar të ketë pasur ndikim në proces.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, për të konfirmuar nëse njëra nga kandidatet e suksesshme është mbesa e saj, por e cila nuk ka dashur të përgjigjet në pyetje, me arsyetimin se kjo çështje nuk lidhet me punën e saj si kryetare e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në listën prej 10 kandidatëve, pretendohet se ka edhe të paktën 3 kandidatë që kanë lidhje me zyrtarë të lartë nga institucionet e drejtësisë, por me të cilët nuk është arritur të vihet në kontakt.

Në këtë konkurs, kishin konkurruar gjithsej 650 kandidatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat