Prokurori Kryeziu: Ende nuk ka persona të dyshuar për vdekjen e 17 vjeçarit në “Sat Styro”

Lajme

Prokurori Kryeziu: Ende nuk ka persona të dyshuar për vdekjen e 17 vjeçarit në “Sat Styro”

Më: 3 korrik 2018 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Prokuroria Themeloer në Prizren në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës janë duke vazhduar hetimet në lidhje me vdekjen e Seldin Aliut, punëtorit 17 vjeç, që humbi jetën të premten tragjikisht në fabrikën e stiroporit “Sat Styro”, në Mushnikovë të Prizrenit.

Në një deklaratë për KosovaPress, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, njëherësh koordinator për media atje, Petrit Kryeziu, ka thënë se prokurori i çështjes e ka njoftuar se inspektorati i punës ka dalë sot në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin, por ende nuk ka dorëzuar një raport në organin akuzues.

“Derisa të sillet raporti i Inspektoratit të Punës vazhdon me mbet e njëjta gjendje, domethënë ende nuk ka ndonjë person të arrestuar apo dyshuar”, ka thënë ai.

Seldin Aliu sipas të dhënave të ofruara nga Policia në mesditën e së premtes ishte raportuar të ketë rënë në një nga makinat e përpunimit në fabrikë, dhe humbur jetën në mënyrë aksidentale.

Ai në atë fabrikë kishte filluar dy javë më parë punën, për ta ndihmuar familjen që të dalë nga varfëria për pagën prej 250 eurosh për të cilën thuhej se ishte pajtuar të punonte ani pse në moshë të re.

Ligji i Punës lejon punën tek fëmijët prej 15 dhe 16 vjeç, mirëpo ata kanë drejtë të punojnë vetëm punë të lehta, jo në ambiente të mbyllura si dhe jo më tepër se 30 orë në javë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat