Virusi i shkaktuar nga papagalli arsye e vdekjes së aktivistit Bajrush Behrami?

Lajme

Virusi i shkaktuar nga papagalli arsye e vdekjes së aktivistit Bajrush Behrami?

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 17:03
Bajrush Behrami

Të dielën, me 1 korrik, ka vdekur Bajrush Behrami, njëri ndër organizatorët kryesor të demonstratave të vitit 1981. Bajrami vdiq në moshën 62 vjeçare, në Qendrën Klinike Universitare. Por, rrethanat e vdekjes janë ende të paqarta, pasi flitet se ai ka vdekur nga një infeksion i shkaktuar nga papagalli. Media ka folur me vëllanë e të ndjerit, i cili thotë se ka vdekur nga një virus, por nuk jep më shumë detaje, sepse sipas tij, një gjë e tillë duhet të vërtetohet nga mjekët. E në QKUK, drejtorët e klinikave në të cilat i ndjeri ka qenë i shtrirë, nuk japin shumë informata për këtë rast, duke e komplikuar kështu ngjarjen edhe më shumë.

Vëllai i të ndjerit, Hamdi Behrami, thotë se Bajrushi kishte vdekur nga një virus, i cili fillimisht kishte filluar si grip, duke kaluar ndërkohë në një infeksion.në mushkëri. Ai gjithashtu thotë se fakti që Bajrushi ishte i burgosur për shumë vite, i kishte ndikuar edhe në ftohjen dhe sëmundjen e mushkërive, por ai nuk e kishte vërejtur, pasi nuk kishte pasur dhimbje asnjëherë.

 Ndërsa një papagall të cilin thuhet se ai vetë e kishte blerë për fëmijët, dyshohet se kishte ndikuar kështu edhe më shumë në infeksionin e mushkërive.

E simptomat që vëllai i të ndjerit tregon se ai i kishte pasur, përkojnë me virusin e shkaktuar nga papagalli, (apo Psitakoza humane, siç njihet ky infeksion), pasi simptomat e psitakozës janë të tilla, fillon si grip, me shfaqjen e temperaturës, dhe dhimbjeve në muskuj. Pas një kohe fillon edhe kolli i thatë, ndërsa fotografimi rëntgenologjik i mushkërive jep pamjen e pneumonisë intersticiale. Ndërsa i pyetur për virusin e papagallit, ai ka thënë se është përfolur për një gjë të tillë, por nuk mund të flasë më shumë pasi nuk është vertetuar ende.

“Është folë për një sëmundje të tillë, por kam pasë mundësi me bisedu me mjekët shumë, e pa e ditë saktë nuk mund të them asgjë”, ka thënë ai, duke treguar gjithashtu se mjeku që ka qenë me Bajrushin gjatë gjithë kohës ka qenë drejtori i klinikës Intensive, Naim Kuqi. “Është një mjek, Naim Kuqi, ai ka qenë afër tij gjithë kohën”, ka thënë Behrami.

 Ndërsa drejtori i Klinikës Intensive, Naim Kuqi nuk ka dhënë shumë informata për rastin në fjalë, duke thënë se nuk dihet nëse ka pasur një infeksion të tillë dhe se i ndjeri fillimisht ka qenë pacient i Klinikës Infektive, dhe ajo klinikë, konkretisht Drejtori i saj, Hamdi Ramadani duhet të japë informacione rreth pacientit, sepse sipas tij, ai e di më mirë çfarë ka qenë në pyetje.

Se drejtori i Klinikës Infektive duhet të japë të dhëna për rastin, ka thënë edhe Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Leniani, i cili po ashtu ka thënë se pacienti fillimisht është shtrirë në Klinikën Infektive, prandaj i takon stafit të kësaj klinike të tregojë për mbarëvajtjen e gjendjes së pacientit.

Media ka kontaktuar edhe me Drejtorin Hamdi Ramadani, mirëpo i njëjti ka thënë se pacienti nuk ka qëndruar shumë në Klinikën Infektive, dhe se është dërguar në kujdesin intensiv, ku edhe ka vdekur.

 Po ashtu, Naim Kuqi  ka thënë se janë në proces disa analiza të cilat mund të tregojnë shkaktarin e vdekjes, por rezultati i këtyre analizave vonon nga dy deri në tri javë.

 Ai më pas e pohoi këtë gjë, duke thënë se pas dy apo tri javësh do të dalin rezultatet e këtyre analizave dhe atëherë do të mësohet shkaktari i vdekjes. Ndërsa media ka kontaktuar gjithashtu me Institutin e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë thënë se të ndjerit, Bajrush Behrami, nuk i është bërë autopsia.

E deri në marrjen e rezultateve të analizave, mbetet ende i paqartë shkaktari i vërtetë i vdekjes së Bajrush Behramit nga Podujeva.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat