Kurbanët sërish vijnë nga Hungaria

Lajme

Kurbanët sërish vijnë nga Hungaria

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 21:27
Ilustrim

Pas 10 ditësh do të theren Kurbanët për festën e Bajramit të Vogël. Bashkësia Islame e Kosovës sërish ka vendosur që kafshët të blihen dhe të theren në Hungari ani se tenderi u bë publik nga fundi i muajit. Pronarët e thertoreve në Kosovë po ankohen se ai u bë në mënyrë të heshtur.

Bashkësia Islame e Kosovës po i fton besimtarët që përmes saj ta kryejnë prerjen e kurbanit.

Kafshët që sakrifikohen, sërish blihen e priten në Hungari, te kompania Kosova-Farm me pronar kosovar.

Kjo e fundit po del se e fitoi tenderin edhe në vitin e tretë me radhë.

Sipas BIK’ut, kjo po ndodhë pasi ky institucion beson që Kosova nuk ka kapacitet të mjaftueshëm të bagëtive.

“Diku mbi dy mijë krerë lopë prehen në Kosovë. Vetëm ne vitin e kaluar kemi prerë mbi 1 mijë lopë dhe Kosova nuk ka kapacitete të tilla”, tha për Klan Kosovën Ahmet Sadriu, zëdhënës në BIK.

Bile Sadriu thotë se në krahasim me lopët e Kosovës sasia e mishit që marrin në Hungari del te jetë 30 deri në 40 për qind më e madhe pasi dhe çmimet e lopëve atje janë më lirë.

Por kryetari i shoqatës së importuesve-eksportuesve të bagëtive Bajram Mustafa tha se për tenderin po dëgjon tek tani ani pse shpallja në faqen e BIK’ut e ka datën e 30 majit.

Sipas tij më parë, ky institucion i njoftonte vetë thertoret për shpalljen dhe ua ndante therjen disave prej tyre. Kjo pasi Kosova ka kapacitet edhe përmbi 2 mijë krerë për kurban.

Se ka kapacitet në numër dhe hapësira për prerje thonë edhe ne thertoren ‘Malësia’ në Gjilan.

Organizim për therje në Kosovë po bën edhe organizata ndërkombëtare ‘Islamic Relief’ me çmim të ngjashëm si BIK prej 120 euro.

Por Bashkësia Islame këmbëngul se e ka monopolin në këtë fushë.

Ndërkohë të gjithë besimtarët që dëshirojnë të bëjnë therjen përmes BIK duhet të bëjnë pagesën para ditës së Kurban Bajramit që festohet më 21 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat