Vuçiq: Pres porosi të kuptueshme nga pala shqiptare

Lajme

Vuçiq: Pres porosi të kuptueshme nga pala shqiptare

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 21:32
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në Kosovë do të vijë së bashku me disa ministra tjerë, të cilët sipas tij, do të jenë në disa pika, dhe pret porosi të kuptueshme edhe nga pala tjetër me qëllim të ruajtjes së paqes dhe avancimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Ai sonte në një konferencë për media foli rreth vizitës së tij të paralajmëruar dyditore në Kosovë gjatë së cilës pritet të qëndrojë në liqenin e Ujmanit. Vuçiq nuk ka dhënë shumë detaje se për cilët ministra të Qeverisë së Serbisë bëhet fjalë, por më herët kishte dhënë se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të mbajë fjalimin e tij më të rëndësishëm që ka mbajtur ndonjëherë.

I pyetur nga mediat se çfarë do të ndodhë nëse pala e Kosoves do të ndalojë vizitën e tij në Ujman, duke përdorur Policinë e Kosovës, kreu i shtetit serbe tha se është i bindur se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.

“Nuk do të bëjnë asgjë. Çdo gjë shkon sipas protokollit. Jam i sigurt se kjo nuk do të ndodhë. Nuk jam i përgatitur që diçka e tillë të përul Serbinë”, tha ai.

Mediat serbe kanë bërë të ditur sonte se Vuçiq nuk do të lejohet të vizitojë Zubin Potokun. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, ka thënë më herët për Tanjug se Prishtina, përveç Ujmanit, Vuçiqit nuk do t’i lejojë vizitën as në dy lokacione në Zubin Potok. Gjuriq ka thënë se vendimi nga pala kosovare është dhënë gojarisht, pasi sipas tij Prishtina zyrtare refuzon ta bëjë një gjë të tillë me shkrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat