Në veri të Kosovës ka nisur sot aksioni i policisë për kontrolle të shtuara të automjeteve, me ç’rast ato që teknikisht janë të parregullta dhe ato që nuk janë të regjistruara, do të konfiskohen.
Po ashtu, ndaj pronarëve të tyre do të ndërmerren masa ligjore. Kjo pasi deri me tani, Marrëveshja e Brukselit për Tabelat e Regjistrimit, nuk është zbatuar në veri.
Në komunat veriore të Kosovës kanë qarkulluar automjete pa tabela të regjistrimit, ndërsa janë parë edhe vetura me tabela, të cilat i lëshojnë organet e përkohshme që funksionojnë me sistemin e Serbisë.
Në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012 në Bruksel ishte arritur Marrëveshja për Tabelat e Regjistrimit në kuadër të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011. Me këtë marrëveshje do të duhej të hiqeshin të gjitha tabelat e regjistrimit të MUP-it të Serbisë në qytetet e Kosovës. Por, kjo nuk ka ndodhur.