Në Skenderaj u përurua libri i poezive ,,Mall” i poetit Ferat Selimi

Libra

Në Skenderaj u përurua libri i poezive ,,Mall” i poetit Ferat Selimi

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 18:02
Libri ,,Mall” i poetit Ferat Selimi

Në ambientet e bukura të restorant M5, e në organizim të Asociacionit të letrarëve dhe artistëve Art Club ,Rifat Kukaj” u bë përurimi i librit me poezi të poetit mërgimtar Ferat Selimi. Në praninë një numri të konsiderueshëm të artdashësve, miqve e shokëve të poetit, përurimin e hapi kryetari i Art Club ,,Rifat Kukaj” z. Izet Abdyli i cili theksoi se vlerat e librit që po përurohet sot, janë të pakontestueshme dhe para vetës kemi një mërgimtar i cili para nesh ka sjellur vargje për mallin, vendlindjen, traditen e dashurinë andaj duke marr parasysh vlerat që përmban edhe botimi i librit është i justifikueshëm. Ferati përmes këtij libri ka shpalosur jo vetëm botine mërgimtarit, por edhe njeriut që e don dhe çmon vendin e vetë. Pastaj për rëndësinë e këtij libri u lexuan dy recensione nga Bedri Tahiri, shkrimtar dhe Xheladin Mjeku, poet dhe kritik letrar. Në vështrimin e tij shumë permbajtësor Bedri Tahiri theksoi se : Kohëve të fundit, mbase më shumë së kurrë, po dëshmohet se muza poetike e mërgatës sonë po bulbëron suksesshëm, saqë, veprat e saj paraqesin një spektër të rëndësishme, në mos më kryesoren, të gjithë letërsisë shqiptare. Kjo po shihet qartë, qoftë me organizime e aktivitete kulturore, qoftë me botime e publikime. Në këtë Panteon hyn edhe autori që sot na ka tubuar në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, poeti Ferat Selimi me përmbledhjen poetike Mall”, botuar ngaArtClub“RifatKukaj”.

Libri, që në vetvete ngërthen  nëntëdhjetë e pesë margaritarë, është shkruar me një mall të pashuar prej atdhetari mërgimtar, i cili, kudo që vete, penën e tij e ngjyen në lëngun e jetës që gëlon në vendlindje, aty ku i sheh edhe ëndrrat, aty ku nuk ngopet me ajrin e pastër e virgjërinë e natyrës mëmë, e cila i jep fuqi si Anteut mitik, që kur prekte tokën bëhej i pavdekshëm. Për të luksi perëndimor është fare i pavlerë në krahasim me bregorët bleroshe të Kuçicës së tij, ku çdo gjë frymon ëmbël në gjuhën e nënës, në këtë gjuhë perëndie që edhe zogjtë e malit e cicërojnë mahnitshëm.

Krijimet poetike që dalin nga gjirmë i ngrohtë i zemrës së zhuritur për çdo gjë të etnisë sonë të stërlashtë, paraqesin një mozaiktë shkëlqyer me ngjyrat e befta të ylberit dhe të qëndisura me një thjeshtësi madhështore, lënë mbresa të thella emocionale në shpirtin e lexuesit të vëmendshëm. Poeti, të gjitha këto latime mjeshtërore, i ka konceptuar në katër cikle tematike e motivore, që për nga struktura nuk paraqesin model simetrik, por një larushi sasiore e përmbajtjesore. Cikli i parë, Dashuria, përmban pjesën dërmuese të poezive, 50 sosh, ndërkaq tri ciklet e tjera: Mall për vendlindjen (17 copë), Kushtime për njerëzit e dashur (15) dhe Heroizmi që s’vdes kurrë (13). Lasgushi ynë i madh e i papërsëritshëm thoshte se po të mos dashuroheshin yjtë në njëri-tjetrin do të binin në tokë. Të gjitha këto teori e koncepte metaforike i ka kuptuar edhe autori ynë, Ferat Selimi, i cili gjysmën e librit ia kushton pikërisht dashurisë. Për të dashuria është vetë jeta dhe tek vjersha “Aromë dashurie” ai shprehet:

Mbështetma kokën tek supi,

Të ndjejë aromë dashurie...

Ndryshe hap portat e Ferrit,

Të hidhem,

Të mbytem,

Të bie...

 

Kurbeti, si plagë e rëndë shoqërore, çuditërisht, edhe etninë tonë e ka përcjellë si hije makthi që nga lashtësia.

Dhe, gjithherë, pa e harruar angështinë e hidhur pelin  të të qenit mërgimtarë, sepse:

 

Mërgimi pa shpirt, na ndau për së gjalli...

Një ditë do vdesim, s’do na gjendet as varri...

 

Dhe, fare në fund, Tahiri nxjerr konkludimin se vargjet e librit “Mall”, vërtet janë shkruar me mall të pashuar dhe më një dashuri të veçantë, që vetes ia bëjnë një vend nderi në Panteonin e quajtur Letërsi, andaj, besoj se do të këtë rrethin e merituar të lexuesve.

Ndërkaq në vështrimin e Xheladin Mjeku thuhet se:  Ferat Selimi (1963) takohet me lexuesine tij përmes vargjeve plot mall e dashuri për atdheun dhe jetën prej mërgimtari, duke e sjellur këtu dhimbjen e pambarim për të afërmit, farefisin, familjen dhe gjithë njerëzit që i mbanë mend dhe i takon në vendlindje, ndonëse ka ikur kohë e gjatë prej dekadash qëkur ai bën jetën emërgimtarit, por gjithmonë me mendje dhe ëndrra të pashuara për atdheune  tij, që e do dhe jeton me të e për të!

  Një paraqitje e mirë e krijimtarisë së tij, e strukturuar në katër cikle: “Lirika dashurie”, “Mall për vendlindjen”, “Kushtime për njerëzit e dashur”  dhe “Heroizmi që s’vdes kurrë”, të përcjellura edhe me shkrime e analiza nga krijues me përvojë në gjininë e poezisë, dëshmojnë  se autori ka një bagazh të begatë, që bën të kuptohet se kemi para vetes krijime të një emri që premton, fal frymës së tij krijuese plot “Mall”, për njerëzit dhe për atdheun, dhe duke evokuar të kaluarën me ngjarje e situata, që tashmë janë pjesë e historisë.

 

Dy dashuri të një jete

 

“Ëndrra mëkatare” e rishfaqur pas një kohe të gjatë, sikur ia sjell fuqinë e këngës së tij me dashuri, shqetësime dhe besim në rrugën e re të jetës: “Pse m’u shfaqe prapë, o ëndërr e vjetër?!/ Të kisha mbyllur,…kyçur në sirtar…/ Ëndrra naive e rinisë së shkuar,/ Ëndrra e shpirtit tim, mëkatar…” Që në fillim të prezantimit të krijimtarisë së tij poetike, Ferat Selimi shpërfaq atë që ia dikton zemra. Në fakt,çfarë përmban cikli “Lirika dashurie”, i sajuar me pesëdhjetë poezitë e tij të një fryme plot vrull djaloshar, mund ta kuptojmë që në takimin e poezisë “Një jetë s’më del, dy jetë i kam pak…”,(fq. 29), ku:

 

 “Trokitjet t’i ndjej, edhepse të kam larg,

Një jetë s’më del, dy jetë i kam pak…

 

                                    Jeta s’ka vite, ka veç dashuri,

Marr frymë e jetoj, s’jetoj dot pa ty…”

 

Poeti i këndon “Dashurisë sëparë” dhe “Pranverës së dashurisë” dhe ndihet “Princ në përrallë”, duke evokuar “”Një kujtim të largët”. Nuk është kohë e shtruar gjithmonë me lule as kjo periudhë, sepse ka edhe pjesën tjetër të medaljes, që pasqyron  “mungesën e saj, që e çmend”, duke “e kërkuar” edhe në “Dhjetorine vetmisë”. Autori nuk rresht së kënduari, edhe atëherë kur ështëi vetmuar, edhe atëherë kur “Më lëndon heshtja jote” (fq. 25), ndien nevojën shpirtërore për sa më shumë “Aromë dashurie” që “Ta shuaj etjen” e mallit të pambarim, gjithnjë duke kujtuar “Puthjen, që kurrës’harrohet”.

      Do të veçoja poezitë: “Djallin në shishe, e ka futur femra”, “Unë jam hiç, po ti kush je?!”, “Lum si unë e lum si ti”, “Drenicas mua m’ke gjet”, “Do jem qen besnik” e ndonjë tjetër, të frymëzuara nga motivet popullore, që në trevën ku u rrit autori janë të njohura edhe si këngë, edhe si rrëfime popullore nga e kaluara. Një mjeshtri poetike e shprehur këtu sjell fuqishëm këto motive, perla dashurie plot mall që nuk shuhen kurrë!

      Ferat Selimi, me kohë e ka prekur temën, duke ndier fuqinë shpirtërore nëdy rrafshe të jetës: në mallin për atdhe dhe mallin për të kaluarën e kujtimeve djaloshare, që vazhdojnë ta “djegin” gjithnjë. Nuk është i rastësishëm edhe titulli i kësaj përmbledhje “Mall”, ku: “Të fola por s’të thashë, sa shumë ty të desha,/ Dhe dallgët, që pret shkëmbi, janë vetë e Vërteta…/ Janë vetë e vërteta, se shpirti më ka dallgë,/ Sa vite nuk të gjeta, sa vite pa të parë…”, (fq. 64).

       Me këtë ndjenjë frymëzimesh vazhdon ta mbaj pezull shpirtin e tij të trazuar nga “malli” për të bukurën, të dashurën që ia rrëmben frymën poetike, duke e kthyer në këngë të pambarim, me vlerat artistike-letrare, të kultivuara nga brumi autokton i vendlindjes.

 

Autori nuk ndalon së kujtuari edhe familjen, veçantë nënën e tij, pastaj shpreh dëshirën që të prehet në tokën e vendlindjes së tij, pas një jete plot sakrifica në dhe të huaj, duke aluduar në ngrohtësinë e dheut të Kosovës, ku prehen edhe ata që ia trasuan rrugën lirisë, pas kaq shekuj vuajtjesh. Të kësaj natyre janë edhe poezitë: ”Mërgimi”, “Atje dua të prehem”, “Një ditë do të kthehem”, “Tokë martire”, “I dua bashkë trojet etnike”, etj.  Në ndonjërën prej poezive, autori sikur ngre zërin prej rapsodi duke ia thënë me tërë  fuqinë e zërit, me vargun e rimuar dhe në frymën epike, që të kujton rapsoditë e krijuara nëpër kullat e Drenicës, saherë që kishte ngjarje e argumente të heroizmit të  këtyre trojeve, që gjithmonë frymuan me shpirtin e tyre liridashës. Do të veçoja, sidomos poezitë: “Kosova ime”, “Mallkim”, “Moj Kosovë, kështjellë ndër mote…”, “S’jeton Shqipja pa liri”, etj.

  “Kushtime për njerëzit e dashur” është cikli i poezive që autori i sjell këtu nga dashuria për njerëzit e tij, për familjen, për fëmijët, për prindërit, motrën, etj. që nuk mund t’i ndaj nga pjesa e jetës dhe me nostalgji evokon kujtime për emra e personalitete që kanë lënë ndonjë kujtim në jetën e tij. Edhe datat e shënuara, si: dita e mësuesit, pastaj ngjarjet e minatorëve, djemtë e minierës,përkushtimi për Kuqicën e  tij të rinisë, që e kujton dhe jeton për të,i pasqyron me sens të veçantë me vargjet më  të përkushtuara, me pikënisje nga gurra e pashuar e zemrës së tij, që pikon pandërprerë  mall e dashuri njerëzore.

 

Kur flet poeti

 

       Padyshim se edhe me këto pak fjalë mbresëlënëse pas një leximi të vëmendshëm të kësaj përmbledhje poetike, mund të kuptohet në parim se cili është mesazhi i fjalës së shprehur nga Ferat Selimi, që pasqyron peisazhin e vërtetë të  vendlindjes, edhepse prej vitesh jeton e krijon në mërgim. Malli e dashuria që e përcjellin në jetë, ia shtojnë energjitë krijuese që me sukses ta përmbush dëshirën e tij në realizimin e ëndrrave të jetës, të shijoi bukuritë e atdheut dhe lirisë.

      Vargjet e rimuara, konsonantike, gjuha e rrjedhshme, metaforat dhe figurat stilistike qëe përshkojnë gjithë materien poetike të kësaj përmbledhje,dëshmojnë fuqishëm se autori nuk vjen rastësisht tek lexuesi, por ka një shtytje të pandalur që e provokon muzën krijuese, për të shpërfaqur prushin e shpirtit të tij në sipërfaqen e quajtur “Mall” për të bukurën, për jetën, dashurinë dhe atdheun, që bashkëjetojnë pafundësisht në  shpirtin poetik të Ferat Selimit.

Në fund autori i librit duke falënderuar të pranishmit, foli për rrugën e tij jetësore dhe kravata e tij në mërgim ku dhimbja dhe largësia bën që ai të ndryjë në vete shumë emocione e ndjenja të cilat një ditë shpërthyen përmes këtyre vargjeve. I vetëdijshëm për rruugën jo edhe të lehtë të poezisë, ai premtoi se së shpejti do nxjerr librin e dytë me prozë dhe pastaj sërsihë edhe librin tjetër me poezi. Të gjithë të pranishmëve ju dhurua një libër nga autori i cili ka vendosur ta shperndajë falas edhe për bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat