Drama e dhunës dhe e të pagjeturve

Libra

Drama e dhunës dhe e të pagjeturve

Nga: Ajete ZOGAJ Më: 14 shtator 2016 Në ora: 13:32
Kopertina e librit

Është poetja, infermierja e humanistja Shqipe Hasani, që kësaj radhe, në dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” na sjellë tablo dhembjeje e vuajtjesh nga lufta e fundit, të cilat të bëjnë të rrëqethesh nga gjithë ajo që ka përjetuar Njeriu i këtij nënqielli nga njerëzit gjakatarë...Nga njerëzit bisha e barbarë...

 Hyrje

      Edhe pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh liri, Kosova rënkon nga plagët e luftës,  rënkim ky që frymon në dhimbjet e familjarëve që kanë humbur më të dashurit, frymon në krijimtarinë e krijuesve dhe artistëve.  Është poetja, infermierja e humanistja Shqipe Hasani, që kësaj radhe, në dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” na sjellë tablo dhembjeje e vuajtjesh nga lufta e fundit,  të cilat të bëjnë të rrëqethesh nga gjithë ajo që ka përjetuar Njeriu i këtij nënqielli nga njerëzit gjakatarë...Nga njerëzit bisha e barbarë...

 Struktura e dramës

Dramën “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” autorja Shqipe Hasani e ndërthurë në katër akte me gjithsejtë pesëmbëdhjetë skena të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën, duke shpalosur skena dhimbje e tmerri nga lufta, por në të njëjtën kohë si një tisë e hollë paraqitet optimizmi e mbijetesa, se përkundër të gjithave, jeta duhet të vazhdojë!

  Drama hapet me një prolog ku paraqiten personazhe të grupmoshave të ndryshme: ata që kanë përjetuar tmerrin e luftës, ata që kanë mbijetuar, dhe fëmijët pa prindër që ose i kanë të vrarë ose të zhdukur.

Janë kryesisht gra të cilat të mbledhura në një klasë i rrëfejnë njëra- tjetrës gjithë katrahurën që u kishte ndodhur: vrasjet, plagosjet, dhunimet, dëbimet dhe zhdukjet e luftës së fundit shqiptaro-serbe.    

      E gjithë ngjarjen e dramës e përshkruajnë dy motive, secili më i dhimbshëm se tjetri: Motivi i njerëzve të zhdukur që nuk u dihet as varri dhe ankthi i familjeve të tyre, dhe motivi i dhunimit të femrave shqiptare nga paramilitarët dhe barbarët serbë. Janë këto dy motive që të rrëqethin kur i përjeton nga rrëfimet e personazheve të kësaj drame ,e që na bëjnë të mos e harrojmë të kaluarën, e të punojmë për të ardhmen.

     Personazhet e kësaj drame, janë kryesisht gra që kanë humbur më të dashurit, djemtë, burrat, baballarët, nënat, motrat...

Të dy skenat, si ajo e të pagjeturve dhe ajo e grave të dhunuara, ndërlidhen mes tyre nga personazhe që kanë përjetuar këto tmerre.

        Derisa në Prolog, përmes personazheve: Shamilokes, Gruas së Parë, Gruas së Dytë, Xha Islamit e Gentit, pasqyrohet fati i atyre që kërkojnë të pagjeturit dhe njihemi me fatin e këtyre personazheve. Në skenat dhe aktet  kësaj drame njohim personazhet: Hykën së cilës i kanë humbur të dy djemtë dhe nusja duke i lënë vajzën pesëmbëdhjetëmuajsh Norën, Gentin  nga Krusha e Madhe i cili ka babanë e zhdukur, dhe gra e burra të tjerë të mbledhur në Sheshin Nënë Tereza që kishin ardhur të protestojnë e të kërkojnë zbardhjen e   fatit të të zhdukurve. Nëna, gra e fëmijë të pikëlluar me lule dhe me fotot e të zhdukurve janë një tabllo e dhimbshme e kësaj drame,  e dramës së hidhur kosovare....

Skenë mjaft mbresëlënëse është edhe skena e njohjes së Norës me Gentin, njëri pa nënë e tjetri pa baba, si dhe vdekja e gjyshes së Norës Hykës një ditë para se ta martonte mbesën ( Ajo bëri njohjen e Norës me Gentin) dhe vdiq me dëshirën e plotësuar të martesës së mbesës me djalin që ajo ja përzgjodhi.

Skena më e dhimbshme, është ajo e fatit të Tiles, nuses së djalit të Hykes e nënën së Norës. Në kohën e luftës, të shoqin dhe kunatin ia rrëmbyen serbët, kurse ajo deri sa po kthehej në shtëpi pas punës e rrëmbejnë paramilitarët serbë dhe e dhunojnë e poshtërojnë...Disa javë më vonë kupton se ishte shtatzënë nga ata që e dhunuan...Ndihej e turpëruar...U zhduk e nuk dihej më për të...Në bark mbante një fëmijë...ishte fryt i gjakatarëve...

Atë çka i kishte ndodhur ia rrëfen shoqes së saj Ludes, duke i treguar se ndihej e turpëruar nga ajo që i kishte ndodhur: “ Marrja nuk më linte t’u dilja njerëzve përpara. Sidomos Hykes, vjehrrës sime...Nuk mund të duroja të shihte barkun tim duke u fryrë dhe fëmijën e vrasësit duke u rritur në  këtë bark”. (faqe. 71)

     Shumë skena të kësaj drame i përshkruajnë momente të dhimbshme, skena që të bëjnë të të mbushen sytë me lotë...Është shumë prekëse vdekja e gjyshes së Norës Hykes, si dhe dalja nga shtëpia e Norës tek përshëndetet me pragun e derës...por edhe skena optimiste se ky popull ka ditur të mbijetojë e të tregojë forcë edhe atëherë kur dhembja e çanë gurin: ”Nora:... Ëhë, do t’i them, Genti, qysh jo. Do t’ia tregoj të gjitha shtëpisë, që të mos pikëllohet e vetme. Do t’i them se një ditë fëmijët do ta mbushin cep më cep me zëra të ëmbël. Dhe në ato stinë do të bëhet shtëpia më e lumtur në botë”...(faqe, 68)

     Skenë shumë prekëse, ndoshta ndër më të të realizuarat është skena Prolog. Është një ditë pranvere në fshatin e Gentit në Kurshë të  Madhe, në Krushën e plagëve të shumta të luftës...Nora derisa qëndronte në oborrin e shtëpisë së burrit, një zë e thërret në emër... I shfaqet nëna e saj Tilja që erdhi ta takojë pas shumë vitesh, tani vajzën e saj nuse...” Mos më pyet pse të lash, nga brodha, nëpër ç’ferr kalova! Kurrgjë mos më pyet, bijë!Vetëm një gjë mbaje mend: as varri nuk më mbajti brenda pa të të takuar sërish, pa të gjetur tek më thërret nënë!” (faqe 77)              

     Është skenë dhimbje, malli, rinjohje e nënës me të bijën....skenë që e përcolli fatin  e një femre shqiptare...

Përfundim

Drama “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” e autores Shqipe Hasani, është një dramë mjaft e realizuar qoftë në aspektin e trajtimin të temës dhe motiveve, por edhe të skenave dhe portretizimit të personazheve. Nëpërmjet kësaj drame, autorja synon të trokas në ndërgjegjen e atyre që bënë këto krime: të zhdukurit dhe të dhunuarat, e njëkohësisht, në gjuhën e artit, ajo synon të lë një përmendore kujtese të gjithë asaj që ka ndodhur...sepse duke kujtuar të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen tonë më të ndritur dhe nuk lejomë të na përsëritet historia.

  Me një gjuhë të pastër të mbushur me fjalë e shprehje të figurshme, me përshkrim të skenave dhe personazheve, autorja ka arritur që dramën e saj “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” t’ia ofrojë lexuesit me mjaft mjeshtri e thjeshtësi.

Krejt në fund, urojmë dhe shpresojmë që kjo dramë të realizohet si skenarë filmi a shfaqje teatrale, për t’i pasqyruar gjeneratave të reja sakrificën e madhe dhe çmimin e lirisë që dha Kosova, që paguan me jetën dhe gjakun e tyre bijtë e bijat e saj!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat