Niman Ferizi, pishtari i arsimit shqip

Libra

Niman Ferizi, pishtari i arsimit shqip

Nga: Kadri Tarelli Më: 19 shtator 2016 Në ora: 19:24
Ballina Librit

Monografi nga Shevqet Canhasi

Pak kohë më parë, Shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë botoi librin: “Pishtari i arsimit e i demokracisë, Niman Ferizi. (1883 - 6 Korrik 1937)” me autor Dr. Shevqet Sahit Canhasi. Një libër monografi kushtuar atdhetarit dhe misionarit të arsimit shqip në Kosovë e Shqipëri, i cili u bë pishtari i hapjes së shkollës së parë shqipe në Gjakovë, në vitit 1915.

Që në nisje të shkrimit, më takon të shpreh mirënjohje dhe falënderim për autorin, sepse na sjell një dhuratë të çmuar për intelektualët shqiptar dhe në veçanti për mësuesit dhe veprimtarët e arsimit shqip, pasi jeta dhe vepra e Niman Ferizit është model frymëzimi, i një njeriu të mësuar e fisnik, mësuesit guximtar e vizionar, mëmdhetarit të ndershëm dhe luftëtarit atdhedashës, që gjithë jetën e shkriu në përpjekje: “Me pushkë e penë, për mëmëdhenë”.

Jam i kursyer në përshtypjet lidhur me përmbajtjen e librit, pasi mendoj se lexuesi ka mundësi dhe të drejtë të gjykojë për çka lexon. Vetëm ai mund të ndajë egjrën nga gruri, të ndjejë peshën e mundimit të luftës, dhe të shijojë nektarin e fitoreve, të orientohet në detin me stuhi edhe në netët e errta që sjellin ngjarjet e historisë, që për ne shqiptarët kanë qënë e janë tepër të trazuara. Lexuesi i  nderuar ka qasje që të pasurojë e shëndoshë mendjen dhe qëndresën, që të mos joshet nga dhuratat e premtimet dhe as të thyhet para vështirësive e tallazeve që sjell koha, ashtu siç jetoi, punoi dhe luftoi Niman Ferizi. Nëpërmjet materialit dokumentar historik e arkivor të bollshëm, të sjellë me mjeshtëri qëndistari nga autori dhe të shoshur e qëruar me durim skllavi për gati 57 vjet studim, lexuesi mund të fisnikërojë shpirtin me ndjenja njerëzore e atdhetarie, njëkojhësisht të trimërojë e forcojë zemrën për vepra të larta në dobi të atdheut dhe kombit.

Më pëlqen ta citoj fjalën e urtë të Kosovës: “Shkund njëqind shosha byk për një kokër grurë”, pasi i shkon përshtat punës kërkimore dhe shkencore të autorit, për të sjellë në dritë jetën dhe veprimtarinë e vërtetë të heroit tonë Niman Ferizi. Kështu vepron çdo krijues dhe historian, që guxon dhe merr përsipër t’i hyjë punës për të nisur e bitisur një monografi, që kërkon kohë e mundim të madh. Në këtë hulli edhe unë bashkohem me çdo lexues, që ta përgëzoj dhe admiroj autorin për vullnetin dhe durimin që ka treguar, duke gjurmuar e grumbulluar nëpër arkiva dhe biblioteka dokumenta e fotografi, një pjesë e tyre të panjohura më pare. Nuk mbaron këtu udha e mundimit, pasi autorit i është dashur të udhëtojë gjatë në Kosovë e Shqipëri edhe më tej akoma, për të takuar e mbledhur kujtimet e bashkëkohësve, “Arkiv i gjallë” i kujtesës popullore. E për të shtuar më tej, se ky “thes” i mbushur duhet lëçitur dhe çveshur me kujdes e pa anësi nga subjektivizmat.

Niman Ferizi jetoi në një periudhë mjaft të trazuar për fatet e shtetformimit dhe të mbijetesës së kombit shqiptar, ku ai nuk qëndroi si sehirxhi, por veproi me guxim dhe trimëri, veçori të një shqiptari me ndjenja të forta atdhetarie dhe të një luftëtari të orëve të para. Në libër jepen si në një filmë dokumentar ngjarjet kulmore të historisë sonë, ku i pranishëm është edhe Niman Ferizi, i cili përjetoi kongresin e alfabetit shqip të manastir dhe më pas çeljen e shkollës normale në Elbasan, kryengritjet e fuqishme të viteve 1910 – 1911 – 1912, dhe shpalljen e pavarëisë. Me shpirt të plagosur përjetoi coptimin e trojeve shqiptare dhe ndarjen e kombit me kufinj. I’u përgjigj thirrjes për të qënë mësues në disa qendra të vendit si në Berat, vlorë, etj. Nuk na çudit fakti se është pjesëmarrës në luftimet për mbrojtjen e qeverisë së Princ Vidit në Durrës, nga rebelizmi i Haxhi Qamilit.

Nimani me vizionin e një intelektuali të sprovuar, kuptoi dhe realizoi porosinë e rilindasve, se nuk mjafton vetëm trimëria dhe pushka për të fituar e mbrojtur lirinë, duhet edhe arsimi dhe dituria për ndërgjegjsimin e kombit, ndaj ai së bashku me plot atdhetarë të tjerë u vu në ballë të përpjekjeve për hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjakovë, më pas edhe në qytete e fshatra të tjerë. Këtu qëndron edhe merita e tij dhe e bashkëluftëtarëve, sepse shfrytëzuan me mençuri rastin më të parë, kur Serbia gjatë luftës së I-rë botërore, u pushtua nga AustroHungaria dhe Kosova fitoi lirinë e arsimimit në gjuhën shqipe. Vetëm për këtë gjest të lartë atdhedashurie, ai meriton një përmendore në mes të Gjakovës, pse jo edhe në qendra të tjera ku ai punoi me përkushtim.

Fatkeqësisht, unë e quaj fatkeqsi në historinë tonë kombëtare, që pranvera e kësaj lirie zgjati shumë pak. Kam përshtypjen se kjo përvojë e punës dhe e luftës, i mësoi intelektualët e Kosovës që pas gati 100 vjetësh, më 1999, të bëjnë bashkë diturinë e trimërinë, librin dhe pushkën dhe të vihen në ballë të luftës për liri dhe të fitojnë. Megjithatë, siç theksohet edhe në libër Nimani ishte personazh aktiv në përpjekje për liri dhe bashkimin e trojeve shqiptare, ndaj është anëtar i Komitetit “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”, më pas deputet i parlamentit shqiptar pas qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës. Ka qendruar e luftuar përkrah Bajram Currit gjatë gjithë kohës, edhe në kryengritjen e vititi 1922, e më pas në të ashtuquajturin Revolucioni Demokratik i Qershorit, që solli në fuqi qeverinë e Fan Nolit.

Në këtë libër, besoj se jam në një mendje me lexuesin, se sipas të gjitha fakteve që renditen për të, Nimanin duhet ta kundrojmë në disa drejtime dhe ta portretizojmë të plotë, ashtu siç është në të vërtetë, me të gjitha cilësitë e bukura që ka një burrë shteti, një idealist dhe atdhetar i betuar.

Më së pari, si portret mësuesi, si pishtar i shkollës dhe gjuhës shqipe, si misionar i dijes dhe edukimit atdhetar të fëmijëve dhe rinisë shqiptare. Për këtë mjafton të ngulemi pak në periudhën kur punoi si shtetar në zonën e Tropojës, Hasit dhe Kuksit, ku problemin më të parë, që ngulmonte ta vinte ne jetë, kishte hapjen e shkollave shqipe në këtë zonë të largët e të prapambetur.

Më tej e shikojmë si veprimtar politik, duke qënë i parnishëm dhe veprimtar në të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë sonë kombëtare në katër dekadat e para të shekullit të XX. Ai ishtë pjestar dhe organizator i disa shoqatave atdhetare, kulturore dhe politike, duke mbajtur njëkohësisht lidhje të forta me personalitete nga më të njohurat e kombit.

Më lart akoma, i çmuar dhe i vlerësuar edhe si poet e krijues. Niman Ferizi punoi me përkushtim e durim studjuesi, për botimin e librit historik “Familja Curri”, një punim shkencor që është gur themeli për të gjitha shkrimet dhe librat kushtuar Bajram Currit dhe pinjollëve të fisit të tij, njëkohësisht edhe pjesë e vyer e historisë sonë kombëtare.

Së fundi, si njeri i ndershëm dhe burrë shumë i qendrueshëm, besnik i fjalës dhe idealeve atdhetare, që nuk thyhet para vështirësive e as u josh nga paratë dhe nga premtimet për ofiqe dhe pasuri. Viryte të bukura e të admirueshme, që do deshironim t’i kishin edhe shtetarët e politikanët tanë të sotëm.

Lexuesi, shpresoj që të jetë në një mendje me mua, kur po shkruaj se autori i librit ka merita të spikatura në trajtimin shkencor të jetës dhe vepërs së Niman Frizit. Nuk do shumë mundim të arish në këtë përfundim, pasi duke shfrytëzuar disa arkiva, përfshirë këtu edhe të komuniteteve fetare, na jepen njoftime dhe hollësi për shumë ngjarje që nuk janë njohur më parë, ose janë anashkaluar nga punëtorët e letrave.

Një dukuri me interes në libër është se, e gjithë veprimtari e Nimanit jepet e lidhur edhe me veprimtarët e tjerë, qofshin ata pozitiv ose negativ, në qendrimin ndaj personit, apo ndaj çshtjes sonë kombëtare, që gjithsesi duhen parë e gjykuar në rrethanat dhe kohën kur kanë ndodhur. Besoj se kjo qasje i ka dhënë më shumë vlerë dhe hapsirë librit, e ka bërë më të plotë, pasi kështu njohim edhe shumë figura të tjera në kompleksin e ngjarjeve që ndjekin njëra – tjetrën.

Ajo që më ngazëllen pasi lexova librin, është se përjetova të drejtën që kanë të mençutit kur thonë se: “E vërteta vonon, por nuk harron”. S’ka pse të hallakatemi për të nxjerrë këtë përfundim. Ka afro 80 vjet që Nimani është shuar nga jeta dhe nuk kemi patur një studim të plotë të jetës dhe veprës së tij. Kështu shkruajnë në recencën e tyre, që në hyrje të librit edhe Prof. Dr. Shukri Rahimi dhe Prof. Dr. Bedrush Shehu: “Studimi shkencor i jetës dhe veprimtarisë së Niman Ferizit…. Ishte lënë pas dore në historiografinë tonë”. Dhe ja ku e kemi në dorë këtë vepër të shkruar me dashuri e përkushtim nga Shevqet Canhasi, si një premtim dhe amanet të munguar ndaj heroit tonë Niman Ferizi dhe ndaj historisë së arsimit dhe të kombit.

Kur lexoj libra të tillë, sidomos për veprimtarët e çshjes kombëtare, më pëlqen të përmend fjalët e shkrimtaritë të madh Viktor Hygo: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”. Ndërsa unë do të shtoj, se Niman Ferizi e ka ngritur vetë edhe piedestalin edhe përmendoren, ndërsa Shevqet Canhasi me këtë libër, vetëm sa e gdhendi dhe e vendosi në mes të sheshit, për t’u parë dhe për t’u kujtuar e nderuar në përjetësi, nga të gjithë brezat.

Përgatiti

Kadri Tarelli

Durrës më 18. Të vjeshtës së parë. 2016.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat