Varrat, ëndrrat dhe shpresa në një roman

Libra

Varrat, ëndrrat dhe shpresa në një roman

Nga: Fatmire Duraku Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 17:50
Kopertina e librit

Kompozimi i romanit është bërë me përkushtim dhe në mënyrë të ve çantë,  mënyra e shkrimit është po ashtu e zgjedhur dhe e njënjëshme, ndërsa sintaksa e gjuhës së Nexhat Halimit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe asnjë krijuesi tjetër.  Romani “Jakia e Mujit” është kronologji e ngjarjeve tronditëse, kronologji e dhembjes që e përjetoi populli ynë në tokën e vet vite me radhë. Ky roman, nga shumë aspekte e prek brendinë e atyre që lëvizin në kohë e hapësirë, të ndjekur, të varruar dhe gjithnjë në udhë për ta shpëtuar kokën. Pa aspak qetësi shpirtërore dhe pa aspak liri, sado që gjaku u shkon rrëke për të.

Siç thekson dhe redaktori, Rrusem Berisha, romani është hartim modern artistik, me një mozaik specifik shpirtëror, me një frymim shumë të veçantë të disa nga personazhet, të cilat frymojnë mes tragjikes dhe ëndrrës, mes gjakut të varreve të tyre dhe shpresës.

Romani shtrihet në 320 faqe dhe përthekon një kohë prej afro njëqind vjetësh, duke shënuar në shpirtin e qenies shqiptare pësime, lindje dhe varrime... Ecje në kohë dhe hapësirë me të gjitha frymëmarrjet, me të gjitha dridhjet-pikëllimet dhe ngashërimet e pakta. Kjo botë e vogël, por me rrjedha tragjike, kalon pak nga pak në përjetimet e personazhit kryesor, që është një reporter, i cili gjendet atje – në afërsi të Prizrenit, me detyrë nga redaksia e gazetës “Rilindja”, të shkruajë për një fshat që frymon me vetëm një shtëpi. Reporteri ballafaqohet një të vërtetë të hidhur. Ai kupton se fshati  ka ngel vetëm me një shtëpi, ngase ndërtuesi i kullës së vetme në të, Muji, detyrohet të shkrepë armën, për ta mbrojtur gruan e vet shtatzënë...

Kjo ia rrënon të gjitha ëndrrat në tokën e lashtë gurore dhe për t`i ikur gjakmarrjes, shtrëngohet të largohet nga kulla dhe bashkë me djalin e vetëm dhjetë vjeç e merr botën në sy. Deri në  çastin e vdekjes në kullë jeton vetëm gruaja e Mujit me të bijën... Gjithnjë në pritje, me sy e mendje te i shoqi, i cili as ia doli ta ndërtoji një fshat të ri, siç ëndërronte, as të kthehet më dhe të shihet me të dashurën e vet; një grua-besnike, një Penelopë! Kështu, ngel fshati vetëm me një shtëpi, por dhe me dy varre: të nënës së Mujit dhe të vetë Mujit, eshtrat e të cilit ia kthen i biri në shtëpi, ngase sado larg të ketë ikur nga vetja, prapë është afër, prapë gjaku i vet e ndjek dhe e vret!

Pamja e fshatit me vetëm një shtëpi është sa e rëndë, nën hije malesh të ashpra, po kaq është dhe e çuditshme, ngase aty jetojnë vetëm hijet e atyre që e ndërtuan dhe kujtimet, të cilat do të zgjohen nga një i ri, nip i zotit të shtëpisë. Befasia e parë ndodh dhe në vetë reporterin, të cilit i përhijohet një i varfër me një mushkë, personazh për të cilin kishte shkruar kohë më parë në gazetë. Befasia e dytë është se ditën e arritjes së tij në fshatin me një shtëpi has në disa njerëz që e hapin një varr në gurore.- Varri është për gruan e njeriut që e ndërtoi shtëpinë dhe ajo i mbeti besnike shtëpisë së vetme, sado që burri mori udhë të largët e të pakthim... – rrëfen nipi i të vdekurës...

Ky libër-mjaft voluminoz, është i shkruar me një përkushtim të veçantë, i përshkruar fund e krye nga një poetikë, që herë-herë e bën mjaft emocional shkrimin, ndërsa herë tjetër në ndonjë masë dhe vështirë të kapshëm. Ngjarja e romanit ndodh dhe shtrihet në 320 faqe siç cekëm,  duke përthekuar ngjarje, data e çaste tronditëse  në afro njëqind vjetet e fundit. Datat, ngjarjet e çastet kapin dhe  fije  rrëfimesh të largëta, ndonjëherë mite dhe gojëdhëna, derdhje mistike dhe prapë të lidhura me unazën e kohës në të cilën ndodh ngjarja, që përfshin baticat dhe zbaticat shpirtërore të fshatarit të rrethinës së Prizrenit, larg pragut të shtëpisë, jo për të shijuar bukën e hidhur të punëtorit të krahut, por për të ikur nga gjaku i vet, nga hija e vet, tërë kohën i djegur për dashurinë që nuk i shuhet për gurin, për drurin, për kullë, që ndrit nën   hënën – këtë fanar qiellor, herë të shfaqur si  shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, ndez fantazinë e Mujit dhe të birit të tij, që  nëpërmjet saj edhe të kridhen në përsiatje e kujtime, të bien në hije e fenomene  që  ngacmojnë, ngase ky trup qiellor sa  dhe kaq herë i shpie në imagjinatë, e cila i ik nga rrjedha e ashpër e kohës, sepse shfaqet si diçka që sa e sheh sa s`e sheh – zhduket, diçka që shfaqet në qiell, të është afër,  pastaj ik ta shohësh prapë të pasqyruar në ujë, një shenjë drite herë në vete, mbi vete, herë në frëngji… më pastaj humb?!  Është njëherësh diçka si ëndërr, një bashkudhëtare në jetë, në gëzime e në hidhërime, në melankoli e shpresa  të kota.

Lexuesi i njëmend përveç kënaqësisë  gjatë  leximit të librit, do të kapërcejë dhe mbi copëza të hidhura të jetës së vështirë, duke përjetuar vdekje nga vrasjet e paqarta, duke i ndier rëndë deri në asht dhe zinxhirët e rëndë të robërisë së armikut të vjetër, i cili nuk heq dorë kurrë për ta zhdukur nga ky guri, nga kjo tokë e kjo kullë, frymën e njeriut, i cili këtu i ka rrënjët dhe yjtë e ëndrrës. Një simbolikë të veçantë për gjithë vitet në largësi e paraqet ëndrra, ajo bashkë me hënën e mban gjallë frymën dhe   dhembjen që personazhet i përjetojnë, për dashurinë e pambarim, si një diçka pa të cilën shpirti as zgjohet as njihet ndonjë herë.

Nexhat Halimi e shkroi romanin e parë ende duke qenë gjimnazist. Ky roman “Deri në kryq” qe botuar te gazeta “Flaka e Vëllazërimit”. Vite më vonë botoi romanin e dytë “Vigma e Fajkoit”, te “Buzuku”, për të cilin Anila Xhekaliu  shprehej...” Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë.”

Romani më i ri i tij ngërthen në vete gjithë përvojën krijuese të autorit, që mbërthen aty afër gjashtë dekada shkrim letrar të veçantë. Mendoj se Romani “Jakia e Mujit” meriton të shquhet për vlerën që ka.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat