Një dramë e vogël-gjigande!

Libra

Një dramë e vogël-gjigande!

Nga: Bajram Sefaj Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 11:40
Libri

E ndjej vetën fatlum e të privilegjuar.. Të gëzuar e ndjej vetën. Sa herë që me jepet rasti të lexojë vepër te re, të shkurtër a të gjatë, të Ardian-Christian Kyçykut, këtij të riu nga Pogradeci ynë, tani e sa kohë, mbase një “shekull e tepër”, jeton, punon e krijon në Bukuresht të Rumanisë. Është ky një krijues relativisht i ri, por i njëmendet, i vërtetë që, nëna natyrë e bekoi, e veçoi dhe e stolisi. E veshi me rrobën më të bukur të talentit të madh e të çiltër. Çka prek me dorë Ardiani, shkrihet në ar(t). Qëndisë me fije të ar(tit) të kulluar.

Mjet i punës tij nuk është gjë tjetër pos një stilolapsi, dikur, kur ishte nxënës i fillores në Enkelanën tonë të moçme, sikurse ndryshe i thonë Pogradecit të Lasgushit tonë. Një kompjuter (llap-top sot), që nuk është tjetër pos laps i ditëve të sotme, jo moteve të perënduara.

Lexues të tij të privilegjuar e pagëzova vetën, (si në formulën e pagëzimit!), edhe atëherë kur veprën e tij e tij e lexova pas (a krahas) qindra mijë lexuesve besnikë që Ardiani, vepra e tij madhore letrare, i ka në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni dhe kudo tjetër, ku flitet e lexohet shqip. Por edhe në Rumani, pasi që ndërkohë, Ardiani ynë ka shkruar dhe botuar direkt, aq shumë dhe po aq mirë, edhe në këtë gjuhë! (Të përsëritët e nënvizohet edhe kjo!).

Pra, në qoftë se të tjerave herë, kam qëlluar i pesti, i pesëqindi a i pesëqind mijti,  çfarë rëndësie ka kjo!, kësaj radhe, kur në dorë kam dramën më te re të tij, atë me titull “Një botë më tutje”, m plotë gojën mund të pohoj se jam i privilegjuar, ngase garantoj se, pos atyre tre-katër anëtarëve të jurisë së konkursit tradicional për dramë origjinale “Katarina Josipi”, të Teatrit Kombëtar të Kosovës, tjetër “civil”, pos meje, as në Kosovë, as gjëkundi, (me përjashtim të shokëve e miqve të ngushtë të Ardianit, e që ka shumë), akoma ende nuk e ka lexuar!

Është këtu çasti jetik (hyjnor) që të hap parantezat e të sjell informatën e njohur: drama e Ardian-Christian Kyçyku “Një botë më tutje”, është nderuar me shpërblimin e dytë ( ku është çmimi parë, ai i pari i të parëve!). Nejse, ai është sekreti dhe misteri i jurisë gjegjëse, ajo ka në dorë të gjitha të drejtat dhe kompetencat e, pse jo, edhe të gjitha përgjegjësitë!

Si atëherë, para shumë vjetësh, kur në dorë marr e me garbi (s’e di pse?) nis të lexoi romanin e tij të parë  (për mua) “Sy”, si atëherë kur lexoj varg, të tjerët romane, me radhë ( Home-ç’kena, Puthmë skelet, Lumenjtë e Saharasë...), blej tregimesh e drama të tij, ashtu edhe sot, kur nis të lexojë dramën e tij, pra, atë të shpërblyer, përjetoj të njëjtën ndjesi: një kënaqësi të përzier me frikë. Kënaqësia shkon me leximin e, frika, frika ka të bëjmë më atë që pason pastaj. E di, e kam provuar disa herë, nuk mund durohem, me nguc morthi, të lexoj vepër të re të këtij gjeniu të lerave tona,  pa qitur (edhe unë) diç në letër. Jo pse di e jam i zoti të zbërthej e shpjegojë e analizojë veprën e tij, aq më pak filozofinë dhe mençurinë që ato bartin ne vete... Edhe kësaj radhe, e bëj këtë “krim”, (lirisht mund  të hiqen “prangat” e thonjëzave!). E bëj këtë, jo për tjetër motiv, pos i udhëhequr nga ideja që, gëzimin tim ta ndaj me të tjerët. Me ata që e kanë lexuar ose, shumë shpejt, do ta lexojnë veprën re të tij, siç është rasti sot, me dramën “Një botë më tutje”. Këtë po e bëj edhe sot, pra, kur jam para portave të mëdha të një vepre të hollë (me fletë), dhe të madhe deri në fund të tij!

*

Pjesa “Një botë më tutje” mund të zbërthehet edhe si “Ja ç’bënë e ç’nuk bënë nganjëherë shqiptarët për të shumëpërfolurat luftë, paqe, famë, art, mbijetesë… ”.

Përfaqësuesit e tri breznive të fisit Vrana, në kapërcyellin mes dy shekujve, zgjedhin një rrugë të panjohur për të mposhtur kohërat. Ideja e tyre është e thjeshtë dhe gjeniale, e frymëzuar ndoshta edhe nga njëfarë lodhjeje, ose zvordhjeje gjenetike ndaj luftërave. Gjyshi (Plaku Vrana), djali i tij (Poeti i Pabot(ë)uar), dhe nipi (Djaloshi) hyjnë me vetëdije të plotë në një “betejë” që, me kalimin e kohës, synon të vendosë paqen, ose të paktën të shpëtojë sa më shumë jetë të pafajshme. Ata pranojnë të luajnë një rol të rrallë, me një thelb të ndjeshëm poetik dhe ëndërrtar. Hiqen sikur luftojnë, dalin në televizor, në lajme e dokumentarë që paraqitin jetën e ballkanasve, duke harxhuar njëherazi sa më shumë municion.

Veprimtaria e Vranajve mund të emërtohet edhe “verbim plumbash”. Mirëpo poezia, ose teatri i tyre, shlyhen me gjak, jo si në art. Art është vetëm jeta e tyre; vdekja mbetet pó ajo që mbyll çdo jetë njerëzore. Nga një botë më tutje, të tjerë vdekatarë bëjnë çmos e nuk stepen para asgjëje që municionet të mos shkojnë dëm. Njëra palë flijohet për çarmatimin, kurse tjetra: për arritjen e paqes përmes vdekjes së sa më shumë njerëzve. Është vetëm njëra nga linjat që lidh e ndan dy botët e pranishme në pjesë (pa llogaritur botën e teatrit), derisa të gjitha treten në botën tjetër. Nga ku, në gjendjen e tanishme, çdo botë është vetëm “më tutje”. (Autori, 2012).

*

Gjatë e gjatë, një shekull e tehu, reflektova mbi këtë Pjesë.

Ndalova në një grimë tekst që autori e quan Synopsis dhe e vë që në hyrje të dramës se vet. Ajo, para se synopsis a hyrje, apo çka do qoftë tjetër,  ngjanë në rreze dielli, ose në një si llambë në fronin e ballit mbi kaskën e minatorit, që orienton lexuesin të mos humb rrugën labirinteve filozofike dhe mos të ngatërrohet në rrjetin e dendur të porosive të urta dhe atyre të tjerave ironike, që e presin në çdo hap, pas çdo rreshti të ri, në ato shtatëdhjetë faqet e kësaj drame të vogël gjigante, siç e quaj unë, pa droje se gaboj, asfare!. Dilema mu zhbë, mu sos e me iku krejt, kur i mëshova zërit e heshtjen e bëra copë e grimë e, thashë: ore, askush më mirë se autori vet, hëpërhë, i lemë i nënës, nuk di e mund të zbërthej këtë dramë apo Pjesë, siç e quan atë autori, më ironi, ndoshta edhe pa ironi, kushedi!

*

Shih (ti!) tani  Njerëzit, ose regjistrin (e Njerëzve), atyre që, qoftë me monologë ose dialogë, mbi supet bartin ngjarjen e kësaj drame, sa dinamike, goditëse, aktuale për të gjitha kohët, aq edhe të paparë, kur del nga pena e mbrehtë dhe mendja e hollë e Ardianit, që (ne) jemi mësuar t’i quajmë Personazhe. Ardiani Njerëzit e vetë i prezanton disi ndryshe, në mënyrë specifike dhe krejt origjinale!

Ja, shihni dhe njihni ata Njerëz! Nuk janë shumë. Janë të mirë. Të skalitur mirë nga dora e Mjeshtrit dhe janë Funksionalë:

Mjeshtri i Huaj – Bujtur nga larg, harton skenarin, filmon ngjarjet-kyçe të një periudhe trazirash ballkanike dhe i përcjell në televizione të huaja, duke i paraqitur si të drejtpërdrejta. E flet gjuhën e vendasve më keq nga sa e kupton.

Djaloshi – Ka dhunti të rralla për të qëlluar me çdo lloj arme, në ajër, duke bindur teleshikuesin se ndodhet në kulm të një beteje për jetë a vdekje kundër forcave të errëta. Ose kundër forcave në përgjithësi.

Poeti i Pabotuar – Babai i Djaloshit.

Gjyshi – Babai i Poetit të Pabotuar

Nëna – Gruaja e Gjyshit, e përkushtuar ndaj farefisit, hallemadhe, fjalëpakë.

Kori i Grave – Përbëhet nga pesë gra moshash te ndryshme, si pesë shqisa të përdorura në mënyrë jo të barabartë. Qëndrojnë ulur në rreshtin e parë të sallës, bashkë me spektatorë të rastësishëm. Dy, ose tri syresh ngrihen dhe ngjitën në skenë pak para mbarimit të pjesës.

            Dy vajza – Të kolme, epshndjellëse, veshur aq shtrenjtë, sa të mund të shiten sa më lirë.

            Një djalosh me bishtalec – ndihmon Mjeshtrin gjatë filmimeve.

            Gruaja Shtatzënë

            Fqinjë, Kalimtarë, Sehirxhinj, Zëra

            Ngjarjet zhvillohen:

            °  Në kopshtin pas shtëpisë se Fisit që njerëzit e kanë pagëzuar Vrana.

            °  Ne haurin e moçëm  të shtëpisë

            ° Në një qosh të varrezave të qytetit

            ° Në Pallatin e Ri, Oda  e miqve.

            *

Lidha bast e bëra bë në të gjitha bëtë që bën lexuesi i ndërgjegjshëm që, pasi ka(m) lexuar një tekst të mrekullueshëm, të veçantë në origjinalitetin dhe në xhenialitetin e tij, do të marr një shportë, një shami të madhe dhe të bardhë, do të bëj një promenadë nëpër ato shtatëdhjetë faqe të kësaj Pjese dhe, bash sikurse se bleta punëtore, fletë më fletë fluturon kopshtit e, lule më lule, mbledh majën e nektarit... Por, jo, të shtegu hapin ndali, Pjesa Një botë më tutje, me doli pemë e madh alamet!. Shtatëdhjetë degët (lexo shtatëdhjetë faqet e saj), shin të mbarësuara me shumë fruta, secili më i ëmbël se tjetri, kështu që ishte punë fare e kotë të filloj e të bëj përzgjedhjen, seleksionimin e tyre. Fletët e  Pjesës “Një botë më tutje”, me shpini në një Tjetër botë, botë çudish  e befasish...

Vura pikën finale, si presë muri të ishte, e thash, lus perëndinë që kjo Dramë kolosale, sipas meje, kjo Pjesë, sipas autorit, të bie në dorë të një regjisori të mirë që, se paku, di të lexoi mirë e pa gabime...

Shfaqja e kësaj Pjesë do të dal e mirë, garant!

Tash provova, të qes në letër, një mbresë leximi, atëherë do të provoj të qes në letër mbresë shikimi (loje në dërrasa teatri!).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat