Engjëlli i Rebekës

Libra

Engjëlli i Rebekës

Nga: Ardian Haziri Më: 8 janar 2017 Në ora: 00:45
Kopertina e librit

Pa dyshim që poetët janë shumë të dashur dhe se ndjenjat e tyre shpirtërore dhe mendimet e tyre, ata i shfaqin në letër. Shkrimtarët shqiptarë gjithnjë kanë motivuar popullin e tyre përmes shkrimeve në përgjithësi e poezive në veçanti. Ata kontribuan shumë përmes penës, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në shpëtimin nga asimilimi i tij. Shkrimtarët janë ata që vazhdimisht ndikojnë në kulturën e një populli në përgjithësi. Por zhanri i shkrimeve që pëlqehet më së shumti nga lexuesit është romani. Romani është gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë. Në një roman ndërthuren të gjitha llojet e gjinive letrare: poezia, drama, eseja, tregimi, novela, peizazhi, njohja psikologjike, morali, politka, filozofia dhe panorama e gjerë jetësore  e kohës. Po flasim për një shkrimtar, një engjëll, po flasim për autorin e madh shqiptar, Engjëll Koliqin dhe romanin e tij “Rebeka”. Libri i tij i 16-të me radhë.

Autori, me mjeshtëri, stil, frazë të saktë e gjuhë të pasur na rrëfen artistikisht për një vajzë me emrin Rebeka, e cila ishte një flokëtare dhe njëkohësisht studente  nga Prishtina. Rebeka ishte një vajzë tejet e bukur dhe e zgjuar. Ajo u dashurua me një djalë, i cili quhej Samir dhe po ashtu ishte student. Këta dy të rinjë filluan një lidhje dashurie dhe më pas e kurorëzuan edhe me martesë. Më pas morën lajmin e gëzueshëm se po pritnin një fëmijë, por Samiri u desh të shkonte në shërbim ushtarak dhe u largua për një vit nga vendlindja dhe Rebeka. Atyre u lindi një djalë, që për fat të keq nuk jetoi. Rebeka e pikëlluar dhe e trishtuar nga humbja e fëmijës dhe mungesa e Samirit, gjente ngushëllim pranë familjes dhe miqve të saj. Kaloi një vit dhe Samiri u kthye nga shërbimi ushtarak, por që nuk ishte më i njëjti. Kishte marrë vese të këqija, kishte ndryshuar tërësisht, vinte i dehur në shtëpi, në këto sjellje padyshim që kish ndikuar edhe humbja e fëmijës. Nuk kujdesej për Rebekën fare, vinte i dehur në shtëpi, luante edhe bixhoz dhe shiti madje edhe stolitë e Rebekës. U shkatërrua gjithçka, dy student, dy të rinjë që dikur ishin dashur aq fort, tani u ndan përgjithmonë për t’u takuar në befasitë e jetës pas shumë vitesh.

Samiri kishte shkuar në SHBA, ndërsa Rebeka kish mbetur në Prishtinë, pranë familjes së saj dhe kishte zgjeruar biznesin e saj si flokëtare që e trashëgoi nga prindërit. Rebeka dhe Samiri kishin shkëputur çdo lidhje dhe po vazhdonin jetën secili për vete. Samiri kishe krijuar familje, kishte një djalë dhe po punonte e jetonte në SHBA. Po ashtu edhe Rebeka ishte martuar me një djalë që quhej Fatmir dhe së bashku kishin dy vajza dhe një djalë. Pas shumë vitesh fëmijët u rritën dhe po vazhdonin studimet. Djali i Samirit quhej Sokol dhe ishte student  mjaftë i zellshëm, në Fakultetin e Ekonomisë, në SHBA, ndërsa vajza e madhe e Rebekës quhej Teuta dhe po ashtu ishte studente e shkëlqyeshme në Fakultetin e Ekonomisë, në Prishtinë.

Sokoli dhe Teuta u njoftuan përmes internetit dhe po vazhdonin me bisedat e tyre miqësore dhe profesionale, meqë ishin të dy studentë të të njëjtit drejtim. Ata bisedonin, tashmë për më shumë se një vit.

Por këta të dy e pëlqenin shumë njëri tjetrin dhe i treguan edhe familjeve të tyre dhe pritej që Sokoli me familjen e tij të vinin në Prishtinë dhe ta kërkonin dorën e Teutës sipas traditave shqiptare. Pas pak ditësh Sokoli me të atin, Samirin, po bëheshin gati për të shkuar në Prishtinë, dhe ashtu ndodhi.

Kur arritën në aeroportin e Prishtinës, Teuta po i priste plot gëzim e dashuri. Teuta ju tha që të shkonin te shtëpia e saj, ku po i prisnin prindërit dhe se kishin organizuar ceremoninë e fejesës për Sokolin dhe Teutën. Pasi shkuan te shtëpia e Teutës, Fatmiri, babai i saj, doli dhe iu uroj mirëseardhje dhe i futi brenda. Pas shumë përshëndetjeve erdhi radha e përshëndetjes së Samirit dhe Rebekës, dy të dashur të dikurshëm, një përshëndetje përplot kujtime, vuajtje, dashuri, tashmë e ringjallur, po vlonte në zemrat e tyre, pa ditur kush pos atyre dyve. Një mrekulli që s’mund të ëndërrohej e lëre më të përjetohej, siç e thotë edhe autori Koliqi.

Dashuria që ishte ringjallur përmes fëmijëve të tyre, po vlonte fuqishëm në zemrat e të dyve. Ata dy që dikur ishin shumë të dashur me njëri-tjetrin, kujtuan momentet e dikurshme dhe natyrisht të paharruara. Ishte kjo një dashuri e ringjallur, një rigjenerim, një kujtim, një përjetim, një rrugëtim dashurie i lënë në gjysmë, po vazhdonte përsëri edhe pse në rrethana krejtësisht të tjera.

Kjo është vetëm një përmbledhje e rrëfimit të autorit Engjëll Koliqi nga romani i shkëlqyeshëm “Rebeka”, e që nuk mund ta ketë as për së afërmi atë ndjenjën, emocionin që ta jep leximi në tërësi i romanit në fjalë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat