Ribotohet vepra e Ndue Gjon Markut, “Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni” nga Bianca Gjomarku

Libra

Ribotohet vepra e Ndue Gjon Markut, “Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni” nga Bianca Gjomarku

Nga: Leonora Laçi Më: 17 janar 2017 Në ora: 08:25
Ballina

Me endje lexova veprën e Kapidan Ndue Gjon Markut, pinjoll i Derës së famshme të Gjomarkut në Mirditë.

Njohunit e thella të Kapidan Ndue nuk të çudisin, pasi kemi të bëjmë me një politikan largpamës, njohës i Kanunit, si dhe vet prejardhja e tij, i rritur në odën e burrave ku merreshin vendimet e rendësishme si dhe i ushqyer me kulture e arsimim evropian nga Vjena në Firencë, të gjitha këto plotësuan personalitetin e Kapidan Ndue.

Kjo vepër e titulluar “Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni”- ka vlera të dyfishta, për faktin se është shkruar nga Kapidan Ndue, pasi askush më mirë se ai, si dëshmitar i disa ngjarjeve nuk mund të thotë fjalën e drejtëpeshuar, dhe nga ana tjetër, rëndësia qëndron tek objektiviteti i Kapidan Ndue, pasi dyshon, ngreh pikëpyetje, arsyeton, ku përpiqet që të mos i mvesh Mirditës merita të pameritueme, si dhe i jep Mirditës atë që i takon.

Vepren e daton që në kohën e Skenderbeut e Lek Dukagjinit si bashkëkohës i tij, duke vazhduar deri me hymjen e komunizmit në Shqipëri dhe rrjedhojat që pasuan.

Kjo vepër mund të quhet pamflet, dokumentar, udhërrefyes për studiuesin, historianin, lexuesin e thjeshtë, apo çdo kend tjetër që është i interesuar të dijë të vërtetën historike.

Përmenda më lartë që Kapidan Ndue Gjon Marku, me anë të kësaj vepre mundohet të jetë objektiv duke i mveshur Mirditës vlerat që i ka apo duke i zhveshur ato që nuk i ka.

Vlerat qëndrojnë tek trashegimia historike tek prejardhja e  Familjes Gjomarku që e lidh me Pal e Lek Dukagjinin, për të kaluar pastaj në momente të caktuara historike siç ishte fakti se Mirdita si krahinë katolike ruajti me fanatizëm fenë e zakonet e veta, duke pasur një farë autonomie të brendshme për të vepruar pa u shqetësuar nga pushtuesi otoman.

Mirdita me Kapidanët e saj, ndër shekuj ka tërhequr herë pas here vemendjen apo vullnetin dashamirës të perandorive Europiane siç ishte Austro-Hungaria apo dhe Francës, duke e mbështetur dhe në arenën ndërkombëtare, Mirditën katolike së bashku me bajraqet e saj.

Mirdita me anë të Kanunit të Lek Dukagjinit që u zbatua besnikërisht nga Dera Gjomarkut, u vetëqeverisë.

Dera e Gjomarkut apo dhe personaliteti i  Prengë Bibë Dodës ishte unifikues në mbarë Gegnin. Ku dha ide të ndryshme siç ishte ajo e ndarjes së Shqipnisw në Kantone si Zvicra ishte hedhur  së pari, nga Preng Bibë Doda tek Ismail Qemali. Si dhe përgaditi terrenin për Shpalljen e Pavarsisë që në verë të 1912.

Jepen në vepër dhe raportet e Mbretit Zog me Gjon Marka Gjonin. Po ashtu hidhet dritë dhe mbi qëndrimin ndaj Italisë gjatë Luftës II Botërore të Gjon Marka Gjonit. Kur ju kërkua nga Konte Çiano që të kryesonte delegacionin e Shkodrës drejt Romës dhe ti ofronte kurorën e Skanderbegut, Vitorio Emanuele III, ai u shpreh:-“Shqipnin e pushtuet e un kunorën e Skanderbegut nuk e kapërcej përtej Adriatikut veç lidh kambësh e duerësh”. Kështu ai refuzoi të shkojë në Romë.

Fakte të rëndësishme na paraqet Kapidan Ndue, dhe për përpjekjet antikomuniste të Shqipërisë së Veriut në bashkërendim me Mirditën, si dhe për tratativat që të arrihej një bashkëpunim dhe me Ballin e Legalitetin siç ishte Mbledhja e Bulgrit.

Komunizmi pa në Shqipërinë e Veriut, armikun e pabindur ku vetëm persekutimi, internimi, terrori, mundën ta nënshtronin gjatë viteve 50’.

Mirdita nën prisjen e Dr. Markut e Lleshit vazhdoi luftën kundër regjimit të E.Hoxhës, ku dhe u vranë nga forcat komuniste.

Veprimtarinë antikomuniste me të njëjtin vrull e vazhdoi dhe Kapidan Ndue në emigracion, ku do ishte figura qendrore, pakompromis e luajale që Anglo-Amerikanët do i kërkonin mbështetje duke dërguar tek ai atashet e tyre. Ndue Gjon Marku do ishte në kontakte të shpeshta për fatin e atdheut  me mendjet me të ndritura të këtij kombi siç ishin: Mustafa Merlika-Kruja, Ernest Koliqi, Mons.Zef Oroshi, Karl Gurakuqi etj.

Ndërsa studiuesi shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj do shprehet kështu për Kapidan Ndue që ishte një nga miqtë e tij më të afërt:- “Kapidan Ndue Gjon Marku ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit”. Duke pas parasysh faktin se Kapidan Ndue e filloi i pari luftën antikomuniste, dhe e përfundoi i fundit, deri me rrezimin e regjimit komunist në vitet 90’.

Megjithëse vepra e Kapidan Ndue Gjon Markut është e vogël nga sasia por e madhe për nga vlera dhe  përmbajtja. Ribotimi i saj u pa si nevojë e kohës, si dhe shërben si dokument i së vërtetës historike. Çdo studim që do mund të ndërmerret për Mirditën dhe Kapidanët e saj, s’mund të quhet i plotë nëse nuk referohet në këtë vepër. Ky pamflet historik thotë atë të vërtetë që për 50-vite, madje ende dhe sot, është denigruar, tjetërsuar me qëllim që të mohohet rëndësia e Mirditës dhe Derës së Gjomarkut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat