Esat Pashe Toptani i Ilir Ikonomit

Libra

Esat Pashe Toptani i Ilir Ikonomit

Nga: Asllan Bushati Më: 25 janar 2017 Në ora: 16:50
Ballina e librit

Këto vitet e fundit janë botuar shume libra biografik, ose të karakterit historik, por që në qendër kanë një personalitet  politik. Në jetën shqiptare kjo pothuaj  nuk  është një dukuri e re,  sepse edhe më përpara  janë  shkruajtur  shumë libra për Skenderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Bushatëlinjtë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ded Gjoluli, Mic Sokolin, Azem e Shote Galicën, Hoxhë Kadrinë, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi,Cerciz Topullin, Avni Rustemin e shumë e shumë të tjera. Por e reja e botimeve të kohëve të fundit  është  se në qëndër janë vënë figura qëndrore ose komplekse  të politikës shqiptare si : Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe së fundëmi Esat  pashë  Toptani, për të cilat  sipas medias ,lexueshmëria ka qenë më e madhe  se sa pritej.

Para disa ditësh  në një të përditëshme shqiptare, lexova titullin e një artikulli  që afërsisht thonte: “… kush është i interesuar për ringjalljen e tradhëtarit  Esat pashë Toptanit”? Më erdhi për të qeshur  dhe nuk e lexova për dy arsye: së pari se kjo  më kujtoi  kohën e shtetit totalitar ,ku  cdo gjë servirej bardhë e zi (ose atdhetar ose tradhëtar), dhe së dyti,  sepse isha në përfundim të leximit të librit “Esat Pashë Toptani-njeriu, lufta,pushteti”, të studiuesit serioz dhe gazetarit të mirënjohur të  VOA-së Ilir Konomi.  Libri prej 550 faqesh më mjaftonte të kisha gjykimin tim  të painfluencuar nga artikulli i mësipërm  për autorin, personazhin historik, dokumentacionoin,stilin, fotografitë, lidhjen etj.

Tani i “cliruar” nga  cdo efekt anësor,  mund të them se studiuesi  Ilir Konomi, na  befasoi me materialin shumë voluminoz (shumica  i  pa njohur më parë) ,që paraqet para lexuesit për figurën komplekse të Esat pashë Toptanit. Personalisht mendoj se nuk kemi të bëjmë me një libër të theshtë biografik, por kemi të bëjmë  me  një punë të mirfilltë kërkimore  e shkencore ,  bazuar kjo  në qindra dokumenta autentike  e mijra citime . Libri (studimi) është paraqitur me një stil të shkruari të thjeshtë,pa përsëritje, pa ndërlikime frazore e me një fjalor letrar të pasur. Nga këndshikimi logjik, në asnjë rast nuk deklarohet ose theksohet se kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, por me fakte të drejpërdrejta dhe me burime të tjera shkresore  , autori e shtynë lexuesin të mendojë e gjykojë vetë.  Pra,  Esat pashë Toptani, pas leximit, nuk është më  i Ilir Konomit,por i lexuesit. Ky i fundit me materialin që merr,vetëdijen e tij  dhe me bagazhin që posedon , ka të drejtën e vet ta vlerësojë Esat Toptanin real  si gjeneral   e si politikan, si atdhetar apo si tradhëtar, si trim apo frikacak, si njeri i mprehtë apo injorant, si i besës apo si i pabesë, si opportunist apo si dinak, si babaxhan apo si dallaverexhi etj.  Por në të njejtën kohë studiuesi  Ilir Konomi, nuk është vetëm vëzhgues e  ofrues  faktesh . Ai  tërthorazi   cfaq  mendimin e vet, i  cili është llogjik e i bazuar në  dokumenta dhe u hap një hpsirë të re në radhë të parë historianëve për ta riparë  e rivlerësuar Esat Toptanin  në kontekstin e kohës që ka jetuar ,se sa ai i ka shërbyer kauzës së Kombit ose sa dëme i ka sjellë asaj. Nisur nga sa më lart autori me të drejtë shtron pyetjet për Esat pashë Toptanin se :”Ku e mësoi artin e të folurit,që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse sesa  belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?”. Autori e përshkruan Esat Toptanin në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës : ”Përballja me sultan Abdyl Hamitin,rrethimi i Shkodrës, rivaliteti me Ismail Qemalin, bashkëjetesa dhe ndarja me Princ Vidin,rikthimi në Durrës dhe qeverisja nën rrethimin e rebelëve të Shqipërisë së Mesme,lufta në Frontin e Selanikut, Konferenca e Paqes dhe vrasja nga Avni Rustemi në Paris”.

Tani pyetja shtrohet edhe për mua (si autor i këtyre rrshtave) se si e shoh sot Esat pashë Toptanin?  Para se ta lexoja botimin e Ilir Konomit , njohuritë e mija për këtë figurë ishin të pakta dhe kryesisht ato që ka shpalosur shtypi  zyrtar dhe historiografia shqiptare. E thënë shkurt tradhëtar dhe dallaverexhi, sinonim i njeriut që i ka bërë keq atdheut. Kurse mendimi që kam sot për të është  më i gjërë, më kompleks dhe nuk mund ta them  me nje ose disa epitete, por sipas kohës, rrethanave dhe  alternativave që ka patur në dispozicin, parë të gjitha nga këndshikimi i interesave kombëtare.

Esat pashë Toptani gjeneral, kryesues i delegacionit të Parlamentit turk prej katër vetash i komunikon padishahut sulltan Abdyl Hamiti i dytë se ka rënë nga froni, lajm që tronditi  Turqinë dhe gjithë botën e asaj kohe. Pyetja shtrohet pse nuk qenë në gjendje ta bënin  këtë gjeneralë të tjerë të cilët do të hynin në histori me këtë veprim? Mendoj se gjeneral Esat pashë Toptani  ishte trim, guximtar, por edhe avanturier  duke synuar poste më të larta. Tjetër, Esat pashë Toptani deputet në parlamentin turk mbron hapur kryengritjet në Kosovë dhe bën përgjegjëse qeverinë se ka qenë shkaktare e zemërimit të popullit shqiptar dhe se është sjellë me brutalitet duke ju drejtuar me gisht  e duke bërë debat të ashpër  me kryeministrin dhe  ministrin e luftës.  Kur zona më e nxehtë e luftës bëhet Shkodra, Esati emrohet komandant i trupave  shqiptare të përforcimit (rezerviste), domethënë zëvëndës komandant i frontit të luftës me Malin e Zi. Kur komandanti turk  (Hasan Rizai), vritet, Esati emrohet komandant i frontit të luftës post të cilin e mbajti jo vetëm shtatë muajt e rrethimit të Shkodrës, por deri kur pjesën turke të ushtrisë e përcolli me anije nga Durrësi. Dokumentat që sjellë Ilir Konomi  për kohën e rrethimit në Shkodër dhe veprimtarinë ushtarake e diplomatike të Esatit, janë mbresëlënëse. Ai  e ruajti ushtrinë dhe popullsinë e qytetit me rrethinave, në kushte ekstreme, deri në kafshatën e fundit të bukës nën kërcënimin serioz të luftës dhe urisë. Mbante lidhje (krahas prijësve vendor ) edhe me austriakët, italianët, francezët, britanikët,rusët ,grekët, serbët,  madje dhe me armiqt e frontit malazest,në një kohë që Stambolli nuk i dërgoi asnjë ndihmë ushqimore gjë e cila solli urinë duke përdorur edhe mish kali të ngordhur vetëm për të mbetur gjallë. Ushtarët turq shpesh nuk deshën të luftonin e të vriteshin për një qytet shqiptar  që nuk i përkiste më Turqisë, por Esati i bindi dhe e mbrojti Shkodrën. Pyetja shtrohet se me këtë a ka vend ti thuhet atij se është tradhëtar dhe se  e dorëzoi Shkodrën kur për të kishte edhe një vendim të fuqive të medha për ta marrë ata në drejtim? Esati akuzohet se ka gisht në vrasjen e komandantit turk dhe se mund të ketë përfituar mjete monetare në mënyrë të pa drejtë, por ato mbeten akuza të pavërtetuara e si të tilla mund të jenë ashtu sic mund të mos jenë të vërteta.

Esat pashë Toptanin, disa e akuzojnë si turkofil me lidhje të forta me xhonturqit, por  pyetjes së gazetarit të” Corriere della sera”në korrik 1913 se :’Besoni se Shqipëria mund të mbetet nën sovranitetin formal të Stambollit? Ai i përgjigjet:Aspak. E përjashtoi në mënyrë absolute cdo formë të sovranitetit osman në Shqipëri dhe bashkë me mua këtë e përjashtojnë të gjithë shqiptarët. Gjatë dominimit prej pothuaj pesë shekujsh,turqit nuk kanë lënë në tokën tonë kujtime të tilla, për të dëshiruar sadopak që sundimi i tyre të vazhdojë ende tek ne si emër apo si kujtim historik”.

Esati pati kontradikta me Ismail Qemalin, disa të drejta e disa qëllimkëqija. E pranoi formalisht ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, por për qëllime e ambicje personale edhe i vendosi gurë në rrota qeverisjes së tij, për të cilën mori ndëshkimin e largimit  forcërisht nga Shqipëria. Austriakët fillimisht e përkrahën,por jo vonë e braktisën si i pabesueshëm për to. Italianët e përkrahën me gjatë, por menduan se autoriteti i tij,  mund t’ju rrezikonte qëllimet e tyre për  mbikqyejen e Shqipërisë dhe pushtimin e Vlorës me rrethina. Malazezët  e luftuan  dhe në pamundësi për ta mundur kërkuan ta korruptonin. Serbët i pranuan me vështirësi planet dhe qëllimet e tij për sundimin në një shtet të vogël në mesin e Shqipërisë. Por e ndihmuan  kur Esati ishte në rrezik, dhe si shpërblim,  ky i fundit  i ndihmoi për të kaluar nëpër Shqipëri , e për tu imbarkuar në anije  në kohën që austriakët pushtuan Serbinë. Grekët deshën ta afronin, por i trembeshin autoritetit dhe arrogancës së  tij. Britanikët qenë pothuase skeptikë, francezët besuan  përgjithësisht tek Esati, e ndihmuan, e cuan në frontin e Selanikut, por nuk ja njohën meritën në shkallë ndërkombëtare  Shqipërisë si shtet fitues në krah të Antantës. Amerikanët e vlerësuan sa Presidenti Willson e priti në takim zyrtar, ku Esati   i deklaroi:”Protektorati  italian, i urryer nga të gjitha pikpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i  besohej një fuqiie të painteresuar,do të ishte dicka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

Nga dokumentat e paraqitura nga Ilir Konomi, del se  Esati , vec e vec, me  shumicën e aktorëve ka lidhur marrveshje dhe  i kanë  dhanë mjete monetare të shumta të cilat i përdori për mbajtjen e ushtrisë   e për interest e tij personale. Këto mjete shpesh diktuan qëndrimet dhe lëvizjet e tij nga një aktor tek një tjetër, por shtetit të ardhëshëm shqiptar nuk i mbeti barrë pagesa e ndonjë dokumenti  të Esat pashë Toptanit. Ai ishte mosbesues për këdo, por dhe të tjerët ishin mos besues ndaj tij. Koha nga shpallja e pavarsisë së Shqipërisë e deri në konsolidimin e shtetit nga Ahmet Zogu ishte shumë e vështirë.

Nga gjithsa më lart, duke e studiuar me kujdes botimin e Ilir Konomit, unë nuk mund të them me se Esat pashë Toptani ishte thjeshtë tradhëtar, ashtu sic nuk mund të them se ishte një hero i vërtetë. Ai ishte një ushtarak dhe një politikan me  të mira dhe  dobësi si shumë udhëheqes  të së shkuarës dhe të sotëm të Kombit Shqiptar. Unë pajtohem plotësisht me autorin kur thotë se:”Ky punim nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia”.

Gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht studiusin dhe gazetarin e mirënjohur Ilir Konomi, për punën e madhe studimore që ka bërë me punimin”Esat pashë Toptani-njeriu, lufta, pushteti”, me të cilën na ndricoi një pjesë të historisë sonë të viteve të para  të jetës së Shtetit tonë Shqiptar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat