Libri me tregime “Hapi i një gruaje” me autore Mina Çaushin

Libra

Libri me tregime “Hapi i një gruaje” me autore Mina Çaushin

Nga: Albert Z. Zholi Më: 26 janar 2017 Në ora: 11:07
Libri “Hapi i një gruaje” i autores Mina Çaushin

Libri me tregime “Hapi i një gruaje” me autore Mina Çaushin ka në përmbajtje të tij, ngjarje, fabula, rrëfime, përjetime me një shtirje të gjerë kohore dhe tematike. Në të gjithë tregimet, lexuesi do të shohë se stili, figuracioni, aspekti motivues-tematik, ideja, ngjyrimi emocional, mesazhi, dhe shumë e shumë elemente që lidhen me tekstin dhe nëntekstin poetik kanë një ndërthurje organike dhe vështrim interesant.

Në këtë vëllim me tregime, autorja Çaushi vjen ndryshe), pasi punimet më të shumta të autores janë krijime për poezinë, me libra poetik. Në ngjarjet e përcjella dhe fabulat e gjetura artistikisht, shihet qartë se autorja në disa raste përqendrohet  te përvoja jetësore e saj, te temperamenti, te vizioni përshkrues individual dhe te detajet biografike të subjektit.

Në të gjitha tregimet autorja argumenton poetikisht subjektin, duke e përzgjedhur me kujdes dhe duke i prezantuar e analizuar të gjitha ngjarjet në të cilat mbështetet. Tematika e tregimeve janë nga hapësira e gjerë  kombëtare dhe nga vendet e ndryshme të botës,  ku ajo ka lëvizur apo jetuar përkohësisht. Në të 15 tregimet autorja ka shkruar pa komplekse duke u përqendruar tek vlerat artistike të prozës që përcjell. Të sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është fare e lehtë, pasi në qiellin e letërsisë tonë, kritika letrare është e pa konsoliduar akoma dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit.

Për t`i zbutur dobësitë e kritikës letrare, pjesë shumë  e rëndësishme e  vështrimeve mbi tregimet e autores Çaushi, është edhe vlerësimi i veprave të lexuara apo përjashtimet e saj nga idhujt apo ngjarjet e stisura pa efekte emocionale dhe duke dhënë mesazh të qartë. Në këtë libër, autorja është kujdesur që të shpërfaq, anët  më të bukura të personazheve, anët më pikante të subjektit, duke ruajtur veçantitë e secilit tregim, ato veçanti që rrezatojnë art.

Personazheve kryesore të tregimeve autorja u është qasur me dashuri dhe dashamirësi, me një butësi të veçantë, duke qenë shumë e kursyer në lavde dhe hyjnizime pa vërtetësi dhe seriozitet artistik. Duke parë në këtë këndvështrim mund të themi se në libër gjejmë personazhe të skalitura denjësisht, të përpunuar artistikisht dhe të lëmuar estetikisht.

Në tërë gjerësinë e shtrirjes së tregimeve ku spikat përplotësia e figurave të bukura letrare, autorja, njëherazi ka ditur të mos cenojë asnjëherë qartësinë e mendimit, duke e thënë plotësisht atë që ka dashur ta thotë. Në mënyrën e perceptimit të saj të të shkruarit, mund të konstatojmë se, autorja shkruan në mënyrë origjinale dhe me vlerë në stilin e saj. Kjo mënyrë të rrëfyeri e tërheq lexuesin, i shkakton kënaqësi estetike dhe njëkohësisht i jep informacionet e duhura për veprën që lexon.

Për ta arritur në këtë stil të brishtë të  tregimit (për  bindjen time), faktor vendimtar është talenti i saj i kultivuar për një kohë të gjatë përmes leximit dhe i përpunuar  me mund e dashuri përmes ushtrimeve dhe sprovave  të shumta të krijimtarisë së saj të gjerë letrare në poezi dhe prozë. Mina njihet si poete premtuese dhe talentin e saj poetik ka ditur ta shfrytëzoj më së miri në tregimet e saj në këtë vëllim të ribotuar.

Me këtë vëllim me tregime, Mina ka kapërcyer vetveten duke lënë mënjanë, strikun dhe ndjeshmërinë femërore dhe duke i thënë problemet me emrin që ato kanë dhe kjo shërben si gurë kilomertazhi në letërsi, për femrat e tjera që merren me artin, pa rrëshqitur aspak në, banalitet,  por duke i shprehur tregimet bukur, qartë, e të pranueshme për lexuesin. Për mendimin tim, vëllimi me tregime “Hapi i një gruaje”  është një libër me vlerë, një libër i rëndësishëm në krijimtarinë e autores, e cila, përmes këndvështrimeve dhe mënyrës së ndërtimit të personazheve, gjuhës së rrjedhshme, e bën këtë libër të bukur dhe të qartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat