Albanologjia në dimesione të reja

Libra

Albanologjia në dimesione të reja

Nga: Kujtim Mateli Më: 30 janar 2017 Në ora: 17:38
Libri “Qasje albanologjike” i Hysen Matoshit

Libri “Qasje albanologjike” është libri më i fundit i prof. dr. Hysen Matoshit, i cili i jep dimension dhe hapësirë punës kërkimore-shkencore që bëhet në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në këtë libër janë pasqyruar përpjekjet e disa brezave që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e Albanologjisë dhe që kanë bërë që ky institucion të qëndrojë në këmbë e të mbijetojë në sajë të kontributit të tyre.

Punonjësit e këtij institucioni u kanë qëndruar me dinjitet pushtuesve serbë, duke punuar për periudha të gjata pa pagesë, duke na treguar se vazhdimësia dhe rritja e këtij institucioni qëndron tek përkushtimi i tyre për të sjellë para opinionit publik dhe atij shkencor, prova dhe dëshmi të identitetit tonë kombëtar. Opinioni shkencor dhe ai publik, evropian dhe më gjerë, ka qenë i njohur deri më sot për identitetin e shqiptarëve, më shumë prej fqinjëve tanë pushtues se sa prej vetë shqiptarëve. Për ta thyer këtë mentalitet evropian që është formuar nga pseudo-shkenca e fqinjëve tanë, dijetarët shqiptarë që ndodheshin nën pushtimin serb, krijuan me zemër Institutin Albanologjik të Prishtinës, për ta ngritur në ditët e sotme në nivelin më të lartë shkencor dhe që tashmë është në gjendje të ballafaqohet me dinjitet në bashkësinë e institucioneve shkencore të mbarë botës.

Autori në këtë libër ka dashur t`u japë përgjigje të drejtpërdrejtë disa pyetjeve që shqetësojnë jo vetëm opinionin shkencor, por edhe atë publik. Ai i mëshon fort idesë se në trajtimin e një problemi, qoftë ky dhe i identitetit kombëtar, nuk mund të bëhet kurrsesi mbi fakte dhe dëshmi të pjesëshme. Trajtimi shkencor kërkon sjelljen e plotë të fakteve dhe dëshmive që lidhen me një problem të caktuar. 

Duke përdorur metodën e një analize tërësore, prof. dr. Hysen Matoshi arrin në përfundimin se deri tani ka qenë politika ajo që ka përcaktuar identitetin e kombeve më të vegjël, siç ka qenë dhe rasti i shqiptarëve nën të ashtuquajturën Jugosllavi.  Për të shkatërruar identitetin e qëndrueshëm të popujve të vegjël, kjo politikë prodhoi identitetin klasor. Në këtë libër zënë vend jo vetëm fenomenet që kanë ndodhur nën të ashtuquajturën Jugosllavi, por dhe ato pas shpërbërjes së saj, siç është rasti i Enciklopedisë që nxori Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë që realitetet politike atje, kërkonte t`i kthente në realitetete shkencore.

Një përgjigje të argumentuar autori jep dhe për disa qarqe shqiptare që, pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, flasin dhe për lindjen e një identiteti të ri. Autori i jep përgjigje një pyetjeje të drejtpërdrejtë. Me lindjen e një shteti të ri, a krijohet dhe një komb i ri? Ndryshe nga sa ndodh me shumë akademikë e profesorë në trojet shqiptare që u shmangen përgjigjeve të drejtpërdrejta, kur ato lidhen me politikën, në përfundimet që dilet pas leximit të këtij libri, ndodh ndryshe.

Në këtë libër jepet një panoramë e gjerë e përpjekjeve të shqiptarëve për të ngritur një Institut Albanologjik në Prishtinë dhe politikat antishqipatare të qeverive të ish-Jugosllavisë për ta mbyllur këtë institucion që ka qenë dhe mbetet pikë orientuese e shqiptarëve në udhëkryqet e historisë. Përballë skemave asimiluese të Aleksandër Rankoviqit dhe Milosheviçit, ky intitucion i përballoi me sukses sulmet e tyre duke dhënë tek shqiptarët shembullin e qendresës për të mos u gjunjëzuar e asimiluar.

Në ato kushte të vështira nën sundimin e qeverive të Beogradit, Instituti Albanologjik i Prishtinës nuk u mposht. Ata i financuan vetë disa projekte të kushtueshme, duke sakrifikuar mirëqënien e tyre dhe të familjeve të tyre, traditë e cila vazhdon edhe sot për shumë nga figurat më të njohura në Kosovë, të cilat e vazhdojnë punën e tyre edhe kur u mungojnë financimet nga shteti. Duke i parë me admirim dhe adhurim disa nga figurat më të shquara në Institutitin Albanologjik të Prishtinës, kupton se botën shpirtërore dhe atë materiale nuk e lëviz paraja, por përkushtimi i njerëzve për çështje të rëndësishme kombëtare, për ta sjellë kombin shqiptar në vëmendjen e opinionit publik evropian dhe më gjerë si një komb vlerash të qëndrueshme, të shenjuara qysh në zanafillën e qytetërimeve mesdhetare.

Në këtë libër do të gjesh emrat e atyre që kanë punuar në këtë institucion shkencor, si dhe arritjet e punës së tyre. Ata janë dhe do të mbeten dijetarë të shquar, veprat e të cilëve hodhën bazat shkencore për Albanologjinë. Vihet gjithashtu në dujke, me fakte konkrete, shovinizmi i Akademisë së Beogradit dhe i asaj të Athinës.

Të kundërt me këta dijetarë shovinistë të këtyre institucioneve, lartësohen figurat e Institucionit Albanologjik të Prishtinës, veprat e të cilëve janë ndërtuar mbi fakte dhe dëshmi që përfshijnë kontekste të gjera kohore dhe saktësia e tyre është e bazuar në burime të shumta historike, të trashëgimisë popullore dhe në veçanti të atyre arkivore. Ky libër çel një vizion të ri se si duhet të punojnë dhe institucionet e tjera shkencore që merren me Albanologjinë në Tiranë dhe në Shkup apo dhe studiues të tjerë jashtë këtyre institucione, për ta plotësuar sa më shpejt pasaportën e identitetit tonë kombëtar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat