Ndoshta vdekja është idea më e mirë!

Libra

Ndoshta vdekja është idea më e mirë!

Nga: Kimete Berisha Më: 4 shkurt 2017 Në ora: 15:37
Kimete Berisha

Vdekja është nevojë
lëreni njeriun të vdes
shih si e fsheh dorën që dridhet 
pleqëria nuk futet në xhep

Kur Sokrati u nis të vdes
i tha të dashurës 'mos qaj', se
përveç atij që ka vdekur, askush s'e di
a më mirë është të vdesësh a të jetosh

Mos qaj të vdekurin
se ndoshta vdekja është 'e mirë'
po të kishte qenë zor, s'do të kishin vdekur pleq e fëmijë

Vdekja është nevojë
i vdekuri bëhet i lirë
A e keni parë, para vdekjes, çdo njeri bëhet i ndershëm, bëhet njeri më i mirë

E kam parë njërin duke vdekur
Më ka shikuar me dritën e Zotit në sy
Më ka thënë, më fal, që s'të kam bë nënë
Më fal që ta kam marrë lirinë

Atë ditë vetëm kam qarë
dhe kam falë e jam
tretë
pas 5 vitesh jam zgjuar nga vdekja e gjallë
dhe e kam parë se zemra nuk falë në të vërtetë

Lëreni njeriun të vdes
Mos e mbani me zor në jetë
vdekja e pastron tokën nga vuajtja
toka e fsheh sekretin në dhe

U zgjuam, s'u zgjuam
në një botë më të mirë
mos më thuaj se mbi dy-tre njerëz që njohe këtu
do të kishe pasur qejf t'i takosh 'atje' përsëri

A je fjalosur me të vdekurin ndonjëherë
Kur të është kujtuar e tija padrejtësi
Nuk ka këngë më të pakënduar
sesa të zemërohesh me të vdekurin ti

Unë këtej- Ai matanë, 
e, Zoti dhe borxhi në mes

Në fillim mpihesh
pastaj vendnumëron
dikur e merr veten
dhe u hakmerresh të gjithë atyre që e kanë lënduar të dashurin tënd

pasi i 'vret' të gjithë ata që ta vranë dashurinë 
ulesh me pushu
të futet ty miza në hundë, dhe përton me e largu

Ti jeton për tjetrin
tjetri jeton për ty
vdekja e tij është e jotja
vdekja jote s'të takon ty

vrite të vdekurin në shpirtin tënd
e pastaj shkruaje një poezi

Lëre njeriun të vdes
qesh me zemër në funeralin e tij
do të qash ti nesër
kur për ty do të qeshin do të tjerë
të rinj

Dhe mos e shaj më vdekjen
se ndoshta vdekja është idea më e mirë.

P.S. Frymëzuar nga 'pazari i poezive' dje!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat