Biblioteka nr. 9 në Tiranë merr emrin e Musine Kokalarit, në 100 vjetorin e lindjes

Libra

Biblioteka nr. 9 në Tiranë merr emrin e Musine Kokalarit, në 100 vjetorin e lindjes

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 12:17
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro

Në 100 vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, gruas së parë të letrave shqipe, e cila luftoi për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, Bashkia e Tiranës nderoi figurën e saj duke i vënë emrin Bibliotekës nr. 9 në kryeqytet, që frekuentohet çdo ditë nga të rinj të apasionuar pas letërsisë e studimit.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe dy anëtarët e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Daut Gumeni dhe Altin Hoxha. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj theksoi se është e nevojshme që ngjarje të tilla si ajo e Musine Kokalarit të mos harrohen, pasi në të kundërt shoqëria do të përsërisë sërish gabimet e së shkuarës.

Ai shprehu besimin se shoqëria shqiptare do të arrijë të kuptojë se çfarë ka ndodhur realisht në të shkuarën e saj, të reflektojë mbi të me qëllim për të qenë të dobishëm për të ardhmen. Veliaj tha se Musine Kokalari është simbol jo vetëm i letërsisë, por edhe i rezistencës, një shembull se e drejta në fund triumfon gjithmonë. “Jam sot shumë i lumtur që këtë bibliotekë ia dedikojmë Musine Kokalarit, një simbol i letërsisë, një simbol i shoqërisë së hapur, një mendje e hapur edhe një simbol i një rezistence që provon se herët a vonë mund t’i kesh njerëzit kundra për disa kohë, ndoshta dhe për shumicën e kohës, në rastin e Musinesë edhe për gjithë jetën e saj, por vjen një moment kur e drejta triumfon dhe kur e mira e mund të keqen”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se vepra që la pas Musine Kokalari është një shembull frymëzimi për brezin e ri për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më solidare. “Sot transformohemi nga një emërtim numerik në një emërtim kuptimplotë, i cili besoj do të frymëzojë dhe do të kujtojë kalimtarët buzë Unazës se 100 vjet përpara lindi një vajzë e mrekullueshme, që kontribuoi në letërsi, kontribuoi në rezistencë, dhe sot në fakt, është frymëzim për shumë të rinj që nuk ishin bashkëkohës të saj, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më solidare, më bashkëpunuese, dhe që dialogon më shumë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se “shoqëria nuk bëhet më e mirë nëse inkurajojmë harresën, se një shoqëri që harron ka gjasa t’i përsërisë gabimet. Një ndër arsyet që kemi pasur tranzicionin kaq të vështirë dhe pse shoqërohemi nga një histeri kolektive për çdo lloj vendimmarrje, është se kurrë nuk bëmë një reflektim mbi atë që ndodhi. Zakonisht, ndodh në politikë, por ndodh edhe në të gjitha fushat, e besoj ndodh edhe në komunitet, në lagje, që për çdo gjë që nuk funksionon, mundohemi të gjejmë armikun, të gjejmë një njeri që e prishi, pra t’ia vëmë fajin dikujt dhe për disa gjëra harrojmë që armiku, jemi ne vetë”.

Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që shoqëria të ketë një moment reflektimi mbi këtë histori. “Arsyeja pse jam krenar që kemi mbërritur në këtë pikë është se kuptova gjatë kohës që ishim në ministri, se kjo puna e dosjeve ishte një “plagë e pashëruar” për shoqërinë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku u shpreh se Musine Kokalari ka pasur kontributin kryesor për të artikuluar se çfarë do të thotë një e majtë progresiste shqiptare. “Besoj se leksioni këtu nuk është kush është i majtë dhe kush është i djathtë, por sa të rrezikshme janë ekstremet, si ekstremi i djathtë që shkon drejt fashizmit, si ekstremi i majtë që shkon drejt komunizmit. Sa e rëndësishme është që të kemi një debat të balancuar sa më afër qendrës dhe jo një inkurajim të histerisë kolektive që na çon drejt ekstremit. Është ekzaktësisht debati që po bëhet sot në Europë, që nxorri Anglinë nga Bashkimi Europian, është sot debati që po bëhet në Francë nga kandidatët për presidentë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se asnjëherë nuk është vonë për të hapur dosjet dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. “Një nga momentet që jam ndierë më mirë ishte dita e fundit në ministri, ku në parlament hyri ligji i dosjeve, i cili më dukej një mision i pamundur. Shumë të tjerë thoshin, “o djalë ti shumë mirë që i hyn kësaj pune, e kanë provuar aq të tjerë përpara teje, nuk ke për t’ia dalë, se me atë mentalitet që ka parlamenti ynë…” Megjithatë me një lloj insistimi arritëm të vijmë në një pikë ku brenda një viti nga kalimi i ligjit, sot po hapen gradualisht dosjet”, tha ai.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi Musine Kokalarin si simbolin e gruas intelektuale shqiptare dhe i rezistencës që vjen përmes forcës së mendjes dhe jo dhunës. “Diktatura ka bërë shumë viktima në Shqipëri. Por unë e gjej shumë të veçantë Musine Kokalarin sepse me fisnikëri të jashtëzakonshme, me një siluetë shumë të brishtë, por me një forcë shpirtërore shumë të madhe, që e bënte në të njëjtën kohë të ishte edhe muzë, edhe heroinë. Dhe për të gjitha këto arsye ne menduam që 100-vjetori i Musinesë të jetë një ditë jo vetëm për lindjen e një intelektualeje shqiptare, të një viktime të komunizmit, por edhe të një simboli të rezistencës që nuk vjen përmes dhunës, por vjen përmes forcës së mendjes”, tha Kumbaro. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat